Bizneset e Vilma Nushit trajtohen si veprimtari humanitare, janë përjashtuar nga detyrimet fiskale për 10 vjet

3012
– Koncesioni i “Check-up”, nuk paguan asnjë qindarkë taksë në shtet, ndërsa biznesi i cigareve trajtohet si monopol shtetëror, duke u maskuar pas koncesionit të kontrollit doganor që e ka si shërbim koncesionar Vlima Nushi 
Çfarë “porte”, i ka hapur Vilma Nushit, ministri Arben Ahmetaj kur ishte ministër Ekonomie, duke i dhënë një shërbim doganor të dyshimtë, për zhvillim kontrabande e tashmë si ministër Financash, duke e favorizuar në detyrimet fiskale të produkteve cigare-duhan që importon dhe eksporton? Siç thuhet, Vilma Nushi është përjashtuar nga shumë detyrime fiskale në biznesin e import-eksportit të cigare-duhaneve, qysh prej janarit 2014. Kujtojmë, që në datën 3 dhjetor 2014, ministri Ahmetaj bëri një “mësim tregues” në zyrat e kompanisë “Marketing&Distribution” të Vilma Nushit në Portin e Durrësit, gjoja duke aplikuar procedurat e thjeshtuara të deklarimeve doganore. Duke e paraqitur këtë lloj shërbimi si “model europian”, Arben Ahmetaj autorizoi zyrtarisht kompaninë “Marketing&Distribution” me pronare Vilma Nushin, që të kryente shërbimin e thjeshtimit të procedurave të import-eksporteve të bizneseve shqiptare! Me këtë thjeshtim procedurash doganore që iu besua Vilma Nushit, janë hequr nga kontrolli doganor shumë procedura bazë e të domosdoshme të verifikimit të mallrave që importohen, sidomos për duhan cigaret. Dhe këtë procedurë e kryen bosja e import-eksportit të duhan cigareve. Dhe çfarë ndodh, që prej janarit 2014? Vilma kontrollon zbatimin e procedurave të importit të cigareve! Vilma importon cigare! Vilma vetë-deklaron se sa importon ajo dhe sa sasi importohen në dogana nga të tjerët! Vilma bënë bilancet e import-eksporteve që i paraqiten shtetit! Vilma miraton shifrat e import-eksporteve edhe nëpërmjet INSTAT-it, mbasi është anëtare e bordit të këtij institucioni! Me administratore znj. Vilma Nushi është e vetmja firmë e autorizuar për të kryer procedurat e thjeshtuara në doganë për mallrat e importit dhe eksportit. Çfarë deklaroi ministri Arben Ahmetaj, në këtë falsitet shërbimi doganor, që lë hapur portat për të importuar e eksportuar psh., 1 maune me cigare dhe për të vetë-deklaruar… 1 koli?! Ministri Ahmetaj, ditën e promovimit dhe ligjërimit të këtij koncesioni, ka deklaruar kështu: “Është arritur një marrëveshje mes doganave dhe përfaqësuesve të kompanisë së importit të cigareve, me qëllimin e vetëm për të zbuluar, të bllokuar e goditur kontrabandën e cigareve dhe tregtinë e paligjshme të tyre brenda vendit. Këtë shërbim, ministria ia ka besuar kompanisë së importit të cigareve “Marketing& Distribution”, me pronare biznesmenen e ndershme dhe të suksesshme në këtë lloj tregu, zonjën Vilma Nushi, e cila garanton luftë të plotë kundër kontrabandës së cigareve në dogana dhe në tregun e brendshëm shqiptar”! vetëm një fakt, të cilin do ta publikojmë shkresërisht në vijim: Bizneset e Vilma Nushit trajtohen si veprimtari humanitare, janë përjashtuar nga detyrimet fiskale për 10 vjet
Importi-eksporti i duhan-cigareve, në kontrollin e Vilma Nushit
1. Vilma importon cigare dhe duhan. 
2. Vilma asiston gjithë procedurat në dogana. 
3. Vilma thjeshton (eliminon) disa nga procedurat e kontrollit të detajuar doganor! 
4. Vilma trajnon dhe udhëzon oficerët doganorë, se si duhet të veprojnë e zbulojnë kontrabandën e cigareve që vijnë nga importi! 
5. Vilma ka të drejtën grumbulloj gjithë informacionin doganor që kanë mbledhur oficerët doganorë. 
6. Vilma ka të drejtën të monitoroj tregun e importit, ekspromti e dhe vendas të cigareve. 
7. Vilma ka edhe të drejtën që të bëjë fushata sensibilizimi dhe sqarimi lidhur me të dhënat, markat, origjinën, sigurinë, cilësinë dhe rrezikun e cigareve kontrabandë! 
Fakte për ortakërinë Nushi-Ahmetaj
Për ata që nuk e dinë, kujtojmë se Vilma Nushi ka qenë dhe vazhdon të jetë ortake me ministrin Arben Ahmetaj, i cili në vitet 2001-2008 rezulton të kelt qenë pronar dhe përfaqësues ligjor i firmës “H COMMUNICATIONS” (Hermes), me seli në Rrashbull të Durrësit, me aktivitet shërbimin në telekomunikacione, konsulencë financiare, Softuare, Brokers, operacione financiare, tregtare, industriale, transaksione të pasurive të luajtshme e të paluajtshme. Në firmën “Hermes”, ministri Ahmetaj ka qenë edhe drejtor ekzekutiv dhe ka pasur 65% të aksioneve, ndërsa 35% i ka pasur ortakja e tij Vilma Nushi. Se çfarë ka ndodhur me tej me ortakërinë e tyre, do të flasim me fakte konkrete në numrat në vazhdim. Sot po i drejtojmë vetëm një pyetje ministrit Ahmetaj, përgjigjen e të cilës do ta japim në vazhdim: – A vazhdon të dalë “tym” kontrabande cigaresh, prej “oxhakut” të firmës “Marketing& Distribution” me pronare Vilma Nushin, me të cilën jeni bashkuar në biznes dhe cila është historia e kontrabandës së cigareve të kësaj kompanie, të kapur në vitin 1994, në Kakavijë?
Sigal