Bitumi i zi i Albpetrol “nxiu” përjetësisht Ministrin Haxhinasto

558
Nëse qeveria shqiptare e ka seriozisht luftën kundër korrupsionit dhe nëse ndërkombëtarët vërtetë besojnë se ligji për dekriminalizimin ka si qëllim hetimin, gjykimin dhe ndëshkimin e atyre që kanë grabitur, vjedhur apo abuzuar me taksat e shqiptarëve, sot më shumë se kurrë kanë kohën që ta bëjnë realitet zbatimin e këtij ligji. Është momenti final që të gjithë nëpunësit e administratës, pushtetarë, qeveritarë apo ish-ët duhet të japin llogari për abuzimet me ligjin, pavarësisht se ky ligj është shkelur me ndërgjegje apo nga neglizhenca, me veprime konkrete apo mosveprime, në formën e krimit ordinerë apo shpërdorimit të detyrës. Një nga këto raste sikurse e trajtuam edhe dje është edhe ai i ish – Ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës (në kohën e Qeverisë “Berisha” ) Edmond Haxhinasto. Gjithsesi ne do të vazhdojmë të pyesim, ende sot e kësaj dite, institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm, megjithëse kanë kaluar 4 vjet. Pas disa ditësh kur të hyjë në fuqi dhe të nisë aktivitetin Byroja Kombëtare e Hetimeve edhe këtë strukturë do e pyesim dhe do t’i kërkojmë të zbardhë fatin e 85 milionë eurove të sigurimit të ofertës për shitjen e ALBPETROL, kur në postin e Kryetarit të Entit të Prokurimit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës ishte Edmond Haxhinasto. Pikërisht ky drejtues bëri disa deklarata tërësisht politike, duke garantuar shqiptarët se oferta është e sigurtë edhe po dështoi kompania e parë dhe se sipas ligjit, fitues do shpallet kompania pasardhëse. Por çfarë ndodhi më vonë? “Procesi i privatizimit të “Albpetrol” mbeti pezull, pasi kompania “Vetro Energy”, e cila u shpall fituese për tenderin e privatizimit, nuk depozitoi shumën prej 20% të garancisë së kontratës, siç e parashikon ligji. “Kanë filluar proceduarat ligjore për të bërë kërkesën e garancisë së ofertës që është paraqitur nga kompania”, theksoi në atë kohë Edmond Haxhinasto.

 Edhe pse ekzistenca e garancisë së ofertës është vënë në dyshim nga opozita,( Partia Socialiste ) qeveria ka deklaruar se ajo është verifikuar më parë nga firma konsulente “Patton Bogs”, do të mbyllte deklaratën e tij ish-Ministri Haxhinasto, pas datës 7 shtator 2012, ditë kur Komisioni i Posaçëm për Vlerësimin e Ofertave për Ankandin e Privatizimit të aksioneve të Albpetrol Sh.a kishte hapur publikisht ofertat e paraqitura dhe ishte tërhequr për një vendimmarrje. Dhe nëse kompania e parë skualifikohej, kompania e dytë në radhë ishte Chine INC me 790 milion euro, por që u skualifikua menjëherë, sepse nuk kishte edhe kjo garanci të ofertës. Kompania e tretë ishte Bankers Petrolium me 303.8 milion euro. Kjo kompani që vazhdon aktivitetin edhe sot e kësaj dite duhej të shpallej fitues dhe shteti të merrte detyrimin e tij për këtë shitje. Por çuditërisht kjo gjë nuk u bë dhe tenderi u harrua dhe përveç se disa deklaratave boshe të Ministrisë së Haxhinastos, paratë nuk erdhën në vendin, për të cilin u zhvillua ky prokurim. Ja çfarë deklaronte në media ato ditë Ministri Edmond Haxhinasto: “Ministria e Ekonomisë sqaron për mediat, se do shqyrtohet oferta e dytë. Tenderi i Albpetrolit është i hapur dhe më duhet t’ju konfirmojë, se komisioni i vlerësimit është autorizuar për të kaluar tek ofertat e tjera. Oferta e parë, e cila u shpall fituese nuk përmbushi detyrimet. Sipas ligjit, kompania që ofroi 850 mln euro për të blerë Albpetrolin ka detyrim të paguajë një detyrim garancie prej 10 për qind, e cila akoma nuk ka kaluar në llogarinë e shtetit shqiptar. Tenderi i privatizimit të kompanisë Albpetrol është ende pezull, pasi kompania Vetro Energy e shpallur fituese, nuk siguroi paratë e duhura brenda afateve ligjore. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, konfirmoi se po zbatohen hapat që përcakton VKM-ja e 1 shkurtit 2012, ku përcaktohen rregullat e privatizimit të Albpetrolit. Tashmë pritet që të konsiderohet oferta e dytë e kompanisë, “Vin Bussines”, e cila ka ofruar 290 milionë euro”. Dje gazeta “Telegraf” botoi një pjesë të debatit që deputeti socialist, Erion Braçe zhvilloi në parlament sapo u morë vesh se “ Vetro Energy” nuk ka depozituar sigurimin e ofertës dhe është tërhequr. 
Erion Braçe 
Privatizimi i Albpetrol nuk ka qenë i ligjshëm dhe se, pas tij janë fshehur afera korruptive, duke e bërë një privatizim të dështuar. “Kam depozituar në Prokurorinë e Tiranë padi për gjithë zyrtarët tuaj, si përgjegjës për shitjen e kompanisë më të madhe në vend Albpetrol, si dhe konsulentin tuaj si përgjegjës për mashtrim dhe dëm ekonomik që arrin 85 milionë euro. Shkelja e ligjit është flagrante dhe dëshmon një qeveri klienteliste të kapur”. Kjo përbën “piramidën e shekullit”.
Sigal