Sigal

Një shqiptar 29-vjeçar u arrestua nga autoritetet italiane 4 ditë pasi qëlloi me armë xhaxhin e gruas së tij moldave.

Arratia e Endrit Memajt mori fund pas 67 orëve, kur ai u vetëdorëzua në polici të enjten e 19 korrikut. Këtë vendim ai e mori pasi u konsultua me avokatin e tij.

Memaj nuk arriti të ikte jashtë Italisë, i mbaruan paratë dhe të gjitha kontaktet e tij ishin nën vëzhgimin e policisë. Kjo e detyroi 29-vjeçarin shqiptar të dorëzohej.

Gjithçka ndodhi mesnatën e së hënës, në shtëpinë e tij në Brugheria. Të pranishëm në momentin e ngjarjes ishin gruaja e shqiptarit, e cila është moldave, xhaxhai i saj dhe gruaja e këtij të fundit.

Midis Memajt dhe bashkëshortes së tij kishte nisur një debat dhe xhaxhai kishte tentuar të ndërhynte.

Në këto momente, Memaj, i cili nga fqinjët është përshkruar si një person që zemërohej shpejt, nxori armën dhe qëlloi në bark 36-vjeçarin moldav. Menjëherë pas kësaj ai hipi në makinën Alfa Romeo, që është në pronësinë e vëllait të tij dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Policia ka njoftuar se deri më tani nuk kanë arritur ta zbulojnë se ku është arma e krimit, të cilën shqiptari e mbante në mënyrë të paligjshme.

Ndërkohë 36-vjeçari i plagosur është i shtruar në spital dhe po merr ndihmën e nevojshme mjekësore.

Mbi shqiptarin rëndon akuza vrasjes së mbetur në tentativë. Gjithashtu 29-vjeçari Memaj ka precedentë të mëparshëm penalë për shpërndarje të lëndëve narkotike