Biblioteka e Myftiut të Tabakëve, orakullit të famshëm të Shkodrës

792
Vepror Hasani

Një shekull më parë, ndoshta dhe më herët akoma, në të hyrë të Shkodrës, jo larg Xhamisë së Plumbit, gjendej një bibliotekë me libra të shumtë e dorëshkrime të rralla, të lidhura bukur, me kapakë të trashë dhe zbukurime prej ari. Krijuesi i bibliotekës u shndërrua në orakull. Pas kësaj biblioteka nisi të vizitohej edhe nga njerëz që vinin nga vende të largëta të botës. Dëshironin të dinin si do të ishte e fati i tyre. E pyesnin orakullin për gjithçka, që nga çështjet familjare, punët e tregtisë, luftërat dhe paqen e deri te vdekja e mbretërve. Parashikimet e orakullit ishin gjithnjë të sakta, ndaj të gjithë e shihnin me adhurim, vendas dhe të huaj. Biblioteka ishte selia e tij, prej aty, ai i jepte përgjigje misterit. Biblioteka ndodhej në një nga lagjet më të vjetra të Shkodrës, në lagjen e Tabakëve. Biblioteka u krijua prej myftiut të tabakëve të Shkodrës. Udha që të çonte te biblioteka quhej “Udha e Myftiut”. Emri i myftiut nuk u përmend më që nga vendosja e diktaturës, por këngët që iu kënduan këtij njeriu të madh e të ditur, ishin të shumta. Thuhet se ato këngë këndohen ende edhe sot e kësaj dite. Ka të tjerë që mbajnë mend edhe parashikimet e famshme të tij. Te biblioteka e myftiut vinin njerëz nga veriu dhe jugu; mbretërit dhe qeveritë dërgonin emisarë për të mësuar mbi fatin e vendit të tyre. Vizitat bëheshin më të shpeshta sa herë që bota e gjente veten në udhëkryqe. Ata që për arsye të ndryshme, nuk kishin mundësi të udhëtonin, dërgonin letra; edhe përgjigjen me letër e merrnin. Myftiu ulej e shkruante fatin e njerëzve dhe të botës që nuk po gjente qetësi që nga krijimi i saj. Për myftinitë bibliotekat dhe arkivat ishin gjëja më e parësore e tyre. Shembujt janë të shumtë: “Myfttnija e Beratit ka pasur një arkiv të moçëm në turqisht, ku gjendeshin gjithë aktet e gjykatores së shenjtë (Sherie), regjistrat kadastrale të moçëm dhe shumë sendet të tjera me interes për historinë e atij qyteti, si edhe dorëshkrime të ndryshme në arabisht e persisht dhe koleksione kuranesh.” (“Hylli i dritës” 1938, nr. 6. 290). Të tilla biblioteka kanë pasur edhe myftinitë e qyteteve të tjera, mirëpo Shkodra shkëlqeu me orakullin e saj. Frekuentues të rregullt të bibliotekës së myftiut të tabakëve të Shkodrës u bënë edhe gjermanët. Nuk kishte turist gjerman që të vinte në Shkodër dhe të mos kthehej te selia e orakullit. Pyesin për gjithçka, ndoshta përpiqeshin të kuptonin ku qëndronte zotësia e këtij njeriu kaq të famshëm e të njohur në shumë vende të botës. Sipas dr. Filip Fishtës, gjermanët, pasi njiheshin me Xhaminë e Plumbit, vizitonin edhe bibliotekën. Madje, Fishta porosiste të shkruhej çdo gjë që ndodhte apo kishte ndodhur në bibliotekën e myftiut, pasi bëhej fjalë për ngjarje që dilnin mbi kohën, ishin të jashtëzakonshme. Dimë që për këtë bibliotekë ka shkruar edhe dr. Taullah Shkreli, profesor i liceut shtetëror të Shkodrës. Sipas Shkrelit, në bibliotekë gjendeshin dorëshkrime shqipe, të shkruara me alfabetin e vjetër turqisht, por ajo që dimë për momentin është shumë pak. Emri i myftiut të tabakëve të Shkodrës u bë i njohur edhe në rangjet më të larta të Perandorisë: Ja çfarë shkruan dr. Filip Fishta në një artikull të revistës “Përpjkejka Shqiptare”: “Stambolli i drejtohej për këshilla Mvftisë së Tabakëvet sa herë që e shihte nevojën në lidhje me çeshtje problematike që i paraqiteshin n’interpretimin e sa problemeve me besimtarët. Populli ynë ende sot e kujton emrin e Myftisë së Tabakëvet, vdekur para një shekulli. Populli i qytetit të Shkodrës shton se, i pyetur ky myfti, “u epte fetfa” (zgjidhje) shumë çështjeve të shumëllojshme”. (Përpjekja shqiptare 1939, nr 25-27, f. 64) Filip Fishta jep edhe një informacion tjetër: “Shtëpia ku ndodhet kjo Bibliothekë, asht nji nga ato tipiket në qytetin e Shkodrës: me oborr të madh para shtëpisë; nji shtëpi e vjetër dykatëshe. Pranë çardakut dhe odës së miqve, ndodhej dhoma tjetër e librave.” Aty Fishta u njoh për herë të parë me bibliotekën e famshme: botimet dhe dorëshkrimet zinin tri faqet e mureve. Ishte e vështirë që në pak kohë të krijoje një ide të qartë, çfarë vlerash ruheshin në atë shtëpi, por edhe një shikim i vetëm të emociononte me gjërat e rralla që gjendeshin aty. “Librat e shtypun si edhe dorëshkrimet, gjithsejt afër tri mij blejsh, – shkruan Fishta, – ishin të mbajtun përgjithsisht mirë, gati të gjithë të lidhun në kartuç. Disa nga dorëshkrimet ishin shkruem prej nji kaligrafie t’ushtruem, që i kujtonin njeriut disa nga dorëshkrimet e bibliothekave të mëdha t’Europës Perëndimore.” Megjithatë, të njihesh me një bibliotekë të vërtetë, nuk mjaftojnë orët, duhen vite. Babai i shkrimtarit Evlia Celebiut ndenji 7 vjet në bibliotekën e familjes Vlora për t’u njohur me botimet e dorëshkrimet e asaj biblioteke dhe përsëri nuk e dimë, nëse ia doli dot mbanë. Vetë shkrimtari Evlia Çelebiu, shkruan se me 1072 (alla turka) ka banuar në fshatin Mekat (pranë Vlorës) në çifligun e Isuf Beut edhe ka shkuar kohën në bibliotekën e tij shumë të çmuar, në të cilën punoi shtatë vjet rresht edhe i ati i Evlia Çelebiut.

(Hylli i dritës 1938, nr, 4. f. 162 -166)
Por biblioteka e Myftiut të Tabakëve të Shkodrës mund të ketë qenë më e frekuentuara, ajo kishte mysafirë të përhershëm edhe nga tregtarët vendas. Ata dëshironin të dinin si do të ishte tregu, pas një ngjarjeje të bujshme, pas një kërcënimi që ishte shfaqur në horizont apo kur botën e prisnin të papritura. Lef Nosi, koleksionisti i njohur, mes dokumenteve të shumta, ruante edhe një letër të Myftinisë së Tabakëve drejtuar Myftisë së Elbasanit në lidhje me këshillat që do t’u jepeshin tregtarëve të vendit për atë mot, gjë që na tregon se Myftinia e Shkodrës kish fituar emër të madh. Përshkrimin e librave të bibliotekës së myftiut e gjejmë sërish te Filip Fishta: “Ndonji herë në fletën e parë apo gjatë tekstit ndër fletët e ndryshme, si asht zakon ndër dorëshkrimet e vjetra vrehet nga nji punim vizatimi me ngjyra: arabeskime shumëllojësh mbi një shesh ari. Këto lloje dorëshkrimesh edhe nga pikëpamja e artit të vizatimit duhet të tërheqin vërejtjen tonë: duhet t’i ruajmë me kujdesin ma të madh edhe të mos i lëshojmë ndër duart e fëmijve” Pavarësisht nga porositë e Fishtës, ajo bibliotekë e famshme nuk ekziston më.

(Prof Filip Fishta, “Përpjekja shqiptare” 1939, nr 25-27, f. 64).

“Nobeli” për Letërsinë, shpallet fitues Kazuo Ishiguro
Çmimin Nobel për Letërsinë, ku një ndër pretendentët kryesorë, ishte edhe shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, e ka fituar novelisti britanik Kazuo Ishiguro. Të shumtë ishin shkrimtarët, që u shfaqën sërish, vit pas viti, por Kadare nuk ka rezultuar fitues as në 2017-ën.

Mes emrave të përfolur ishin: Don DeLillo i Amerikës, Margaret Atwood e Kanadasë, poeti i lindur në Siri, Adonis, romancieri japonez Haruki Murakami dhe shkrimtari nga Kenya, Ngugi Wa Thiong’o, vetëm për të përmendur disa. Amos Oz i Izraelit dhe David Grossman, Claudio Magris i Italisë, Ismail Kadare i Shqipërisë dhe Michel Houellebecq i Francës përmenden po ashtu shpesh.

Bjorn Wiman, redaktori i Kulturës së gazetës kryesore suedeze “Dagens Nyheter”, parashikoi se këtë vit, do të jetë një zgjedhje krejt ndryshe, nga ajo e vitit 2016, ku “Çmimi Nobel për Letërsinë” iu dha kantautorit Bob Dylan.
Sigal