Betonizimi ka humbur bukuritë dhe vlerat e bregdetit të Durrësit

1006
Sigal

Përveç kosovarëve askush tjetër nuk preferon të kalojë pushime në Durrës, askush nuk jep llogari për betonizimin e bregdetit

Betonizimi  vijës bregdetare të Durrësit, ku padyshim zonat më të prekura janë Shkëmbi Kavajës dhe Golemi, kanë humbur çdo vlerë dhe bukuri, e cila joshte pushuesit vendas dhe të huaj. Llogariten të jenë derdhur miliona metër kub beton, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk dihet se me çfarë projekti dhe mbi bazën e kujt masterplani kanë marrë “OK” nga KRRT e bashkisë Durrës, Golem, Rrashbull dhe  KRRTRSH-ja. Kthimi vijës bregdetare të Durrësit në zonë urbane, nuk është justifikuar deri më sot nga asnjë ligj i veçantë kushtetues, duke mos identifikuar asnjë përgjegjës apo grup përgjegjësish. Dyndja e pushuesve nga Kosova dhe viset shqiptare të Maqedonisë, fillimisht u interpretua me “nisjen e një periudhe të re zhvillimi për turizmin në Shqipëri”, por që shumë shpejt  dhe kryesisht zona e Durrësit-Golemit dhe Shkembit të Kavajës, do të veniteshin dhe vëmëndja do të kthehej nga plazhet e jugut. Durrësi, Golemi dhe Shkëmbi i Kavajës, janë  kthyer në zona të banuara, duke humbur rëndësinë e tyre dhe stradegjinë e zhvillimit të turizimit bregdetar. Masakra ka nisur në verën e vitit 1992 dhe po vazhdon edhe sot e kësaj dite me ritme të çmendura. Ngado shikon pallate, hotele, objekte pa studime urbanistike, pavarësisht se arrestohen kryetarë komunash, bashkish, apo edhe kur nisin çështjet penale ndaj KRRT-ve. Aktualisht në  zonën bregdetare të tre rajoneve të Durrësit edhe sot vazhdon betonizimi fushave dhe shkulja e pishave, ngritja e pallateve dhe kateve pa leje, pushtimi i çdo hapësire boshe duke milimetruar  me beton gjithçka. Kjo çmenduri po vazhdon qetësisht edhe pse ministrant e kësaj qeverie deklarojnë masat për turizmin, ambientin, ndjekje penale për shkaktarët e kësaj situate. Gjithçka është propogandë e turpshme dhe e qëllimshme e cila tenton të fshehë situatën reale në të cilën po degradojnë  resurset  kryesore të  turizmit  bregdetar. Sipas ligjit mbi Urbanistikën në Zonat Bregdetare e vitit 1994, thuhet se atje “nuk lejohen pallate mbi 5 katësh, hotele dhe motele më shumë se 3 katësh, duke ruajtur stilistikën  dhe largësinë mes tyre, pa dëmtuar rërën dhe gjelbërimin”. Por, injorimi ligjeve dhe shkelja e tyre, padyshim bëhet nga persona me mbështetje politike, pasi askush nga qytetarët e thjeshtë nuk mund të sulej mbi pishat dhe zonat bregdetare, duke shkaktuar dëme të pakthyeshme mbi florën dhe faunën. Mbi Golemin dhe Shkëmbin e Kavajës, të parët sulën politikanët të cilët kanë ngritur komplekset e tyre turistike, duke mos pyetur për pyllin me pisha, fushat e mbjella, apo rërën e cila i takon plazhit publik.

Kosovarët, pushuesit tradicionalë

Pavarsisht shpërfytyrimit, duket se kosovarët mbeten pushuesit tradicionalë dhe besnikë të tre zonave bregdetare të qarkut të Durrësit. Ashtu edhe siç ishte parashikuar, sezoni veror 2014, ka mbushur plazhin me pushues, ku nuk mungojnë si çdo vit kosovarët, që kanë vendosur të frekuentojnë plazhin e Durrësit dhe të braktisin Ulqinin apo Budvën. Ka mbi një javë që kosovarët pas rritjes së temperaturave kanë nisur pushimet ditore, me autobuzë zbarkojnë në plazhin e Durrësit. Pronarët e vilave dhe të pallateve në plazhin e Durrësit janë njoftuar se këtë sezon do të kenë një numër të madh kosovarësh të orientuar në drejtim të tyre. Prej disa ditësh kosovarët nuk reshtin së ardhuri në plazhin e Durrësit. Sipas të dhënave të marra për “Telegraf” nga Policia e Qarkullimit Rrugor, e cila monitoron automjetet që hyjnë e dalin nga Durrësi rezulton se, “gjatë këtyre 10 ditëve në zonën e plazhit vijnë mesatarisht 20 autobuzë në ditë prej të cilëve zbresin  mbi 1500 vetë të cilët kanë vendosur t’ i kalojnë pushimet ditore në plazhin e Durrësit”. Sapo mbërrijnë në plazh, turistët kosovarë priten nga vetë pronarët e pallateve dhe të vilave dhe procedura vazhdon me sisteminin e tyre.  Një pronar i një hoteli në plazhin e Durrësit, i cili ka strehuar në banesën e tij disa kosovarë  deklaroi se, “kosovarët kanë bërë këtë zgjedhje për dy arsye, e para janë çmimet favorizuese që ofron plazhi i Durrësit dhe e dyta ka të bëjë me bojkotin e tyre  karshi plazheve të Ulqinit dhe të Budvës”. Për të mbërritur deri në plazhin e Durrësit një kosovari i kushton 20 euro udhëtimi nga Prishtina deri në Durrës, kurse atyre që zgjedhin të gjejnë strehim nëpër pallate dhe vila nga krahu matanë rrugës, u duhet të paguajnë nga 10 euro për çdo natë të kaluar nëpër dhoma të kompeltuara me pajisjet e domosdoshme për një jetë normale. Ndërkohë ata që zgjedhin anën e detit, paguajnë15 deri 20 euro natën. Pjesa më e madhe e kësaj kategorie pushuesish gatujanë vetë nëpër dhomat e tyre dhe vetëm një pjesë e vogël preferon restorantet. Në krahasim me plazhet e Malit të Zi, plazhi i Durrësit Golemit dhe Shkëmbit të Kavajës, pavarësisht kostos së rrënimit, duket se për pushuesit tradicionalë është më ekonomik.