Beteja me hashashin në Komisariatin e Përmetit

736

Ndryshimi i pushteteve politike, “kurban” të parë kanë Policinë
e Shtetit


Mithat Havari



Në prill të vitit 2012, kur unë u riktheva në Policinë e
Shtetit, drejtori i përgjithshëm Hysni Burgaj më ofroi detyrën e shefit të
sektorit të kartotekës në DPPSH me gradën drejtues. Unë i kërkova të drejtoja
një qark me gradën që kisha, pasi një e kisha humbur sipas ligjit, “kur
isha i shkëputur më shumë se tre vjet nga policia”. Burgaj më tha se nuk
kishte vende, por unë e kisha të qartë se kjo e drejtë më privohej nga
autoritetet e kohës deri tek ministri i Brendshëm Bujar Nishani, ky i fundit
kishte treguar zell të madh për të më penguar për rreth dy vjet. Bllokada u ça
vetëm nga Lulzim Basha, i cili ishte dhe është dashamirësi im. Nuk kisha
dëshirë të izolohesha në një zyrë burokrati, ndaj i kërkova Burgajt të shkoja
shef komisariati, ku të kishin nevojë, duke sakrifikuar kështu një gradë tjetër.
Po më tha drejtori, do shkosh në Përmet. Pranova menjëherë propozimin e tij. Pas
dy ditësh mbërrita në qytetin e largët jugor, kisha qenë atje vetëm dy herë për
arsye shërbimi, kur isha në funksione më të larta. Dua të kujtoj se nuk isha i
mirëpritur nga drejtori i qarkut Halit Murati, por dhe nga kryetari i komunës
Lazarat, Dasho Aliko. Dashua i kishte thënë këtij të fundit se, ardhja e
Mit’hat Havarit në Përmet, është “acarim” për Lazaratin. Dashua
kishte të drejtë që ishte shprehur në atë mënyrë tek drejtori i qarkut, se unë
para disa kohësh, isha prononcuar tek gazetari Çim Peka, që Partia Demokratike
duhej të distancohej nga Lazarati, duke e humbur si elektorat, por do fitonte
Shqipërinë. Megjithatë fillova punë pikërisht në sezonin kur mbillej kanabis
sattiva, ose hashashi siç e quan populli. E kisha fiksim, që në atë distrikt
nuk do lejoja tê mbillej ajo farë e keqe e një “ideologu” të “Rilindjes”,
i cili dy vjet më parë i bëri propagandë të madhe “barit magjik”
“shërues” dhe “çudibërës”” duke inkurajuar gjithë
Shqipërinë ta mbillte në çdo cep të saj, sikundër dhe e mbollën.

Bashkëpunimi me
komunitetin

 Organizova në
sallën e komisariatit një takim të zgjeruar, në të cilin kisha ftuar të dy
kryetarët e bashkive, atë të Përmetit dhe Këlcyrës, drejtorin e bujqësisë dhe
drejtorin e pyjeve të distriktit, të gjithë kryetarët e komunave, kryepleqtë e
komunave dhe strukturën e policisë komplet, të cilën e kisha vet në vartësi, nga
inspektor zonash që kishin lidhje direkte me bashki e komuna, deri tek shefi i
krimeve dhe i rendit. Pas një debati mes palësh, ndarje detyrash e marrje përgjegjësish
para ligjit, koordinim veprimesh midis strukturave vendore dhe institucioneve
shtetërore, shkëmbim telefonash, dmth numrin e telefonit tim e morën të gjithë
deri tek çobanet në stane, të tyret unë i kisha gjithashtu, filluam operacionin
pa kod, jo si këta të sotmit. Kërkova mbështetjen e drejtuesve të pushtetit vendor
për karburant, se Ministria e Brendshme ishte e mbaruar, copë-copë i kisha lënë
para vitesh, copë-copë i gjeta, asnjë ndryshim për fat keq dhe uniformat si
“ushtarët e Haxhi Qamilit” i kishin larabala, falë kontakteve të mia
të drejtpërdrejta më prodhuesin e uniformave të policisë Jani Gjergjefi, munda
t’i unifikoja, aq sa bëra xheloz dhe drejtorin e qarkut Halit Murati, pasi dhe
uniformat e drejtorisë Gjirokastër linin për të dëshiruar. Por dhe të kthehemi
tek operacioni anti-kanabis, ose lufta që kisha vendosur t’i bëja kultivimit të
tij. Ato makina që kisha në dispozicion, mbështetur me strukturën policore që
punonte me orar dhe pa orar, me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe me
ndershmëri absolute, nuk ngeli cep i territorit pa shkelur këmba e inspektorëve
të zonave, në koordinim me kryetarë komunash, kryepleqtë e komunave inspektorë
e policisë pyjore deri tek çobanet në male, u bë e mundur të mos mbillej as një
rrënjë kanabisi.

Opozita e sotme
fle “gjumë”, nuk ka specialistë të zotë të thonë realitete të
ndodhura, të paktën të mbrojnë punën e tyre

Unë isha i sigurt se e kisha situatën nën kontroll, por u
desh dhe avioni i specializuar i “Guarda Di Financa”, që monitoronte territorin
e vendit për evidentimin ose jo të mbjelljes se hashashit, i cili raportoi tek
autoritetet qendrore, se në zonën e Përmetit nuk ishte kultivuar hashash. Me
këtë rast i kujtoj Edi Ramës, që ditë më parë deklaroi, se monitorimin e
kanabisit në vend e bëjnë avionët e specializuar të Guarda di Financa italiane,
përpara nuk kanë ekzistuar monitorime të tilla. Jo i them kryeministrit, Guarda
di Finnanca monitoronte dhe në 2012, por opozita e sotme fle “gjumë”,
nuk ka specialistë të zotë të thonë realitete të ndodhura, të paktën të mbrojnë
punën e tyre, dhe të mos e lënë këtë, t’ju a bëjë të zezë çdo gjë. Drejtori i
qarkut Halit Murati e deklaroi në mbledhjen e drejtuesve kryesorë të qarkut
Gjirokastër këtë fakt. Pashë në sytë e tij një lloji “hakërrimi” ndaj
vartësve të vet, pasi hashash ishte mbjellë në disa fshatra të Gjirokastrës, që
policia i kishte nën zotërim, përveç Lazaratit, i cili ishte provincë autonome
e pa kontrolluar nga shteti, aq më pak nga policia që nuk kishte kurajo të
afrohej, e jo më të vepronte. Për këtë sukses të komisariatit të policisë së
Përmetit nën drejtimin tim, ndoshta ka qenë i vetmi në shkallë republike, që
atë vit nuk u kultivua hashash, për ironi të fatit, nuk morëm asnjë vlerësim
qoftë nga Ministria e Brendshme, qoftë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë
së Shtetit. Isha e jam i qartë, se suksesi im i pa diskutueshëm, “verbonte”
kundërshtarët e mi të “vjetër”. Madje dua të kujtoj, se brenda muajit
që kisha filluar punë, Burgaj tentoi të më transferonte nga Përmeti dy herë, një
herë në Delvinë dhe tjetra në Bulqizë, këtë të fundit e kishte propozuar Bujar
Nishani ish ministër i Brendshëm, medemek isha burrë i ndershëm dhe do ndaloja
trafikun e kromit, por unë i refuzova të dyja rastet, madje i thash Burgajt, tani
u kujtua Nishani që jam drejtues i zoti e i ndershëm, pasi më pengoi 2 vjet të
ushqeja fëmijët me bukë?! Sot e kësaj dite nuk i jap dot shpjegim se ç’ishte ai
nxitim nga shteti për tê më larguar nga ai komisariat. Ju që do e lexoni këtë
shkrim mund t’i jepni përgjigje. Aq më bën se nuk më vlerësuan, unë mora
respektin e qytetarëve të Përmetit dhe gjithë asaj krahine, punova me nder dhe
dinjitet në shërbim të tyre, mora respektin e strukturës policore me të cilët
punova, e mora ato rezultate pozitive. Gjej rastin të shpreh respekt e
mirënjohje për atë strukturë policie kudo ndodhen, se ndryshimi i pushteteve
politikë në Shqipëri, policinë e shtetit e kanë “kurbanin” e parë
duke larguar vend e pa vend specialistë të mirëfilltë, ndaj nuk jam i sigurt
nëse ata oficerë e policë që bashkëpunuan me mua, ende kontribuojnë në atë
komisariat. Një vit pasi unë u largova nga ajo detyrë, në distriktin e Përmetit
është mbjellë kanabis sativa dhe vazhdon të mbillet sot e kësaj dite pa
ndërprerje. E solla këtë realitet në kujtesën e njerëzve, pse jo të drejtuesve
aktualë të policisë së shtetit, pse jo dhe të medias, pse jo dhe të politikës, që
atje ku ka profesionalizëm, vendosmëri, ndershmëri e përkushtim gjithçka
realizohet, e jo më të ndalosh mbjelljen e një bime që sjell vdekje dhe jo
lumturi njerëzore. Unë nuk pranoja urdhra të paligjshme nga askush, qoftë dhe
nga funksionarët më të lartë të shtetit, që në fakt as më ka shqetësuar kush, nuk
guxonin ta bënin një gjë të tillë, se më njihnin shumë mirë, pastaj nuk bëhet
fjalë të kisha presione nga bota e krimit, të cilët në gjithë karrierën time,
as që i kam konsideruar ndonjëherë.

Isha “mbret” i ligjit dhe askush tjetër! 

Sigal