Besnik Bedollari: Një pjesë e prindërve angazhojnë fëmijët me punë bujqësie dhe blegtorie

708
Shkolla e mesme e bashkuar “Lozhan i Ri” është ndërtuar rreth viteve 1983 dhe ka në juridiksionin e saj katër shkolla 9-vjeçare dhe katër fillore, përfshirë dhe gjashtë kopshte. Këto shkolla janë ndërtuar në vite të ndryshme dhe janë në kushte të pranueshme mësimdhënie. Madje disa prej tyre janë rikonstruktuar në vitet e fundit, sidomos shkolla e mesme që ka fituar dy rikonstruksione. Kjo tregon për një krahinë arsimdashëse. Dy shkolla për shkak të amortizimit në vite janë shembur, ndaj pushteti vendor ka krijuar ambiente me qira. Numri i nxënësve arrin në rreth 300.

Sa mësues janë në shkollën e mesme të bashkuar “Lozhan i Ri” Gorë Korçë?

Stafi mësimor në shkollën e mesme dhe shkollat vartëse përbëhet nga 31 mësues, përfshirë dhe drejtuesit.
A ka klasa kolektive?

Komuniteti gorar ka emigruar në masë në qytetet kryesore të Shqipërisë si: Tiranë, Durrës, Vlorë, etj, që ka sjellë dhe uljen e numrit të nxënësve. Kështu që në të gjitha shkollat vartëse klasat janë kolektive. Edhe në shkollën qendër cikli fillor është më klasa kolektive. Një shenjë e mirë po vërehet se në disa shkolla kemi rritje graduale të numrit të nxënësve, pasi dhe familje të emigruara po kthehen përsëri aty në vendlindjen e tyre.
Po mësuesit, a janë brenda lëndës që kanë studiuar?

Reforma e qeverisë në arsim dhe portali “Mësues për Shqipërinë” bëri që çdo shkollë të shkojë në sitë, madje deri në skajet malore. Kështu dhe shkolla ku unë jam drejtor e kaloi këtë stad. Ndaj mund të them se numri i mësuesve jashtë profilit është i papërfillshëm. Dhe aty ku mësuesit janë pa profil qëndrojnë për shkak se në atë profil nuk ka fitues dhe gjithashtu dhe largësia si zonë e thellë malore. Pra këtu e kam fjalën më tepër për shkollat vartëse. Më duhet të shtoj se në testimin kombëtar që dhanë mësuesit më 23.01.2016 rezultatet ishin në nivele të kënaqshme. Gjithashtu dhe stafi mësimor në shkollën qendër është i kualifikuar dhe i gjithi brenda profilit.

A ka nxënës nga shkolla të largëta dhe sa larg janë këta nxënës?

Tani po t’i referohemi shkollave vartëse, të gjithë nxënësit janë brenda komunitetit të shkollës ku banojnë, ndërsa shkolla e mesme ka një rrjet të zgjeruar gjeografik. Përveç fshatrave të zyrës administrative Gorë, vijnë dhe nxënës nga zyra administrative Moglicë. Dëshira për tu arsimuar bën që këta nxënës të bëjnë një orë udhëtim me automjetet e përditshme që qarkullojnë linjën Moglicë-Korçë. Ata mbërrijnë në kohë në shkollë duke kapur orarin mësimor të orës 08:00. Ndërsa në stinën e dimrit për shkak të kushteve si paraqiten, mësimi fillon edhe në orën 8:30 minuta në mënyrë që nxënësit mos e humbasin orën e parë.

A kanë ngrohje klasat në dimër?

Krahina e Gorës relativisht ka një dimër të ashpër dhe të ftohtë, por dhe drutë e zjarrit nuk i mungojnë asnjëherë. I përgjigjemi dimrit me të njëjtën monedhë mund ta them paksa me shaka. Por pushteti vendor është gjendur gjithmonë i gatshëm që çdo shkollë të jetë pajisur me drutë e zjarrit në bazë të numrit të klasave mësimore duke mos sjellë për asnjë moment vonesa dhe problem në këtë drejtim. Pra dhe pse kemi dimër,brenda ambienteve të klasës ai nuk ndihet fare dhe mësimi kalon normalisht dhe pa problem.

Tekstet shkollore, a janë të unifikuara?

Entuziazmi i përzgjedhjes së teksteve mësimore mendoj se ka filluar të zbehet me kohën. Gjatë punës mësuesit kanë hasur në probleme dhe defekte shkencore apo dhe në hartime jo produktive të teksteve të ndryshme. Kohët e fundit po vërehen debate në këtë drejtim, nga ku mendojmë se unifikimi i tyre do të ishte ndoshta i duhuri. Si në çdo shkollë të vendit dhe shkolla jonë ka ndjekur procedurat e përzgjedhjes sipas udhëzimeve në fuqi në mënyrë korrekte dhe trasparente. Por personalisht i bashkohem idesë se unifikimi i teksteve do ishte më produktiv, pasi eliminon burokracitë e ndryshme dhe presione interesash. Mjafton që të hartojmë tekstin e gjuhës, letërsisë, historisë dhe gjeografisë dhe mjaft mirë në lëndët ekzakte shkencore kemi plot specialist të huaj që i kanë hartuar më së miri ato. Madje dhe nxënësit që lëvizin nga një shkollë në tjetrën për arsye të ndryshme nuk do të hasin më në vështirësi. Këtu do të vlerësoja posaçërisht kurrikulën e re te gjimnazit.
Cila është mbështetja që jep Ministria e Arsimit?

Ministria e Arsimit në çdo shkollë të vendit është e gatshme të mbështesë dhe të ndihmojë në procesin mësimor edukativ. Punët shkojnë të lidhura zinxhir. Ministri, DAR/ZA deri më çdo drejtori shkolle. Udhëzimet, shkresat zyrtare, modulet e ndryshme mësimore, trajnime etj., qarkullojnë madje në kohë reale në çdo shkollë. Problemet e ndryshme që mund të dalin përcillen me shkresa zyrtare nëpërmjet Drejtorisë Arsimore. Do të thosha se aty ku është dëshira e mirë për punë, padyshim që ndihet dhe dora e Ministrisë së Arsimit.

Cilat janë problemet më imediate të shkollës?

Përgjithësisht puna në shkollë ecën normalisht në aktivitetin e saj, duke respektuar gjithë dispozitën normative. Po ku ka punë dalin dhe probleme. Do të thosha se në shkollë duhet të jetë i pranishëm interneti, i cili me mungesën e tij vështirëson marrjen në kohë të kërkesave dhe udhëzimeve të ndryshme. Gjithsesi ne si drejtori shkolle kemi bërë të pamundurën që asnjë informacion i duhur të mos humbas kohën. Jemi në pritje të rikthimit të tij në shkollë. Gjithashtu në shkollë ka dhe mungesë laboratorësh.

Cili është niveli i nxënësve, sa prej tyre vazhdojnë shkollën e lartë?

Edhe pse zonë malore, nuk mund të themi se interesi për të mësuar është i zbehur. Qëndrojmë në nivele mesatare. Por ka nxënës që tregojnë interes të fortë në mësim, sidomos vajzat. Madje një pjesë e tyre ka dhe kompjuter në shtëpi. Kemi mundësuar në shkollë dhe orët mësimore me video-projektor. Përgjithësisht pjesa më e madhe e nxënësve vazhdojnë studimet në universitetin e Korçës, por ka dhe nxënës që vazhdojnë studimet në Universitetin e Tiranës, duke realizuar me sukses ciklin e studimeve.

A ka interesim nga prindërit mbarëvajtja në shkollë apo pasdite i vënë në punë bujqësore apo blegtorale?

Dy vitet e fundit kemi lidhur një bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e prindërve. Konkretisht me këshillin e prindërve dhe bordin e shkollës. I ftojmë ata në diskutime dhe në ecurinë e punës mësimore të nxënësve në mësime dhe mungesa, qoftë këto me arsye ose pa arsye. Kemi vërtet prindër të interesuar për fëmijët e tyre, por fatkeqësisht ka dhe prindër që tregojnë indiferentizëm për ecurinë mësimore. Dëshira më e madhe qëndron në mospengimin e nxënësve, orëve të pasdites me punë bujqësie dhe blegtorie, por një pjesë e prindërve ka tendencë dhe të angazhojë fëmijën me punët e shtëpisë.
Sigal