Besim SHYTI/ E vërteta për Gorën dhe banorët e kësaj zone

1160
Me të drejtën e autorit të historisë së krahinës së Gorës, ju drejtohem publikisht dhe ju kërkoj të ndreqni një gabim historik që keni bërë me aktin e dekorimit të “Besëlidhjes gorare”. “Besëlidhja gorare” nuk i përket ngjarjes së 28 marsit 1906, por 16 qershorit 1942. Nuk e di pse e keni spostuar nga periudha e Luftës së Dytë Botërore në periudhën e Luftës për Pavarësi. Ngjarja e 1906-ës e ka emërtimin Nënkomiteti i fshehtë “Për Lirinë e Shqipërisë”. (Shif librin “Themistokli Gërmenji” me autor Piro Takon f.45, librin “Traditë gorare” me autor Bajram Tresovën f.29 dhe librin tim “Gora” f.49). Kurse “Besëlidhja gorare i përket 16 qershorit të vitit 1942, kur u mblodhën në Selcë 200 burra gorarë dhe vendosën të luftonin së bashku kundër pushtueve fashistë italianë. Kjo mori emrin “Besëlidhja gorare”, fitoi të drejtën e festës së Gorës dhe ka 70 vjet që festohet nga gorarët në Gorë dhe kudo ku ka gorarë brënda dhe jashtë shtetit. 

(Shih “Traditë gorare f.104-105 dhe “Gora” f.130-131). Spostimi i emërtimit të “Besëlidhjes” nga viti 1942 në vitin 1906 është një falsifikim i rëndë i historisë i bërë me qëllim për të marrë lavdi personale aty ku s’u takon, prandaj me të drejtën e autorit kërkoj të ndreqet sa më shpejt. Duhej dekoruar Gora, jo një ngjarje e saj si “Besëlidhja”, e cila është hallka më e dobët në vargun e ngjarjeve të mëdha historike të krahinës. Gora përveç nënkomitetit “Për Lirinë e Shqipërisë” ka dhe “Kuvendin e Zbogjit”, ku më 20 shtator 1907, u mblodhën nën drejtimin e Themistokli Gërmenjit dhe Bajo Topullit përveç pesë çetave të Gorës )së kryekapedanit Kajo Babjeni, e Ismail Dërdushës, e Xhelo Selcës, e Malkë Zvarishtit dhe Hysen Pirgut) erdhën dhe çeta e Themistokli Gërmenjit, e Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos, e Spiro Bellkamenit, e Qamil Panaritit dhe shumë të tjera. Aty u bënë planet e organizimit të kryengritjes së armatosur për pavarësi. Gora ka 28 korrikun e Gurit të Kamjes, ku shtatë çeta të Gorës u bashkuan me ato të Mokrës bënë organizimin në drejtimin e Koli Rrodhes dhe Lluka Karafilit të ardhur nga Korça dhe me kryekomandant Kajo Babjenin çliruan Pogradecin katër muaj para se të ngrihej flamuri në Vlorë. 

Qëndresa e Gorës

Gora dhe shpëtimin e Korçës nga puçi grek i 2 prillit 1914, Gora ka betejën e Leshnicës kur luftëtarë gorarë e mokrarë me kryekomandant Kajon mundën ushtrinë e rregullt greke që tentoj të pushtojë Pogradecin. Gora ka dhe fitoren mbi ushtritë sërbe në zonën e Çërravës, ka luftimet në Qafën e Qarrit, në Arrëz, në Zvezdë e në Poloskë. Luftimet e gorarëve s’kanë të mbaruar, por këto i ka bërë Gora, jo “Besëlidhja” që emrin ka të madh por s’bëri gjë veç se u shpreh për luftë të përbashkët kundër pushtuesit fashist, por këtë nuk e realizoi asnjë here. Ajo mbeti një marrëveshje në letër që nuk u konkretizua. Gora gjithnjë ka qenë në ballë të sakrificave dhe ka bërë detyrën në të gjitha rastet e kthesave historike, por ajo s’ka kërkuar asnjë shpërblim. Dua t’u them dhe si është Gora sot dhe pse ne gorarët duhet të ndjehemi krenarë brënda vendit tone. Gora edhe se ka bërë shumë për atdhen kurrë nuk ka protestuar, kurrë nuk ka kërkuar, por ka ulur kokën dhe ka punuar. Gora është e luftës dhe e punës jo e llafeve boshe. Shikoni ç’ndodhi pas rënies së monizmit dhe ardhjes së pluralizmit politik. 

Vendi u përball me gjakmarrjen, me vrasjet për një llaf goje, me drogën e prostitucionin, me vjedhjet dhe krimin e organizuar, me krimin në familje, me shpërthime dinamiti dhe zjarrvënie në pyje. Më gjeni një rast nga këto që të ketë ndodhur në Gorë. Gora ka urtësinë qytetarinë dhe humanizmin që s’e ka asnjë krahinë. Kjo është Gora prandaj unë e dua shumë, i kam dhënë shpirtin e zemrën, prandaj dua që ta duan të gjithë. Ta duan se ajo e meriton. Prandaj u drejtohem deputetëve të zgjedhur në Gorë ta mbrojnë historinë e krahinës. U drejtohem Këshillave Bashkiakë të Maliqit dhe Pogradecit ta mbrojnë historinë e krahinës. I drejtohem Shoqatës Atdhetare Kulturore “Gora” ta mbrojë historinë e krahinës. U drejtohem intelektualëve gorarë të të gjitha fushave dhe sidomos atyre të historisë ta mbrojnë historinë e krahinës. U drejtohem gorarëve kudo ku janë brënda dhe jashtë atdheut ta mbrojnë historinë e krahinës. 
Sigal