Sigal

Albert Z. ZHOLI

-Ardhja e eshtrave te Mid’hat Frashërit në Atdhe ka ngjallur shumë reagime nga veteranët dhe disa parti të vogla të majta, cili është mendimi juaj?

Ishte një borxh i madh, një borxh shumëvjeçar që populli shqiptar kishte ndaj një atdhetari të madh, ndaj një publicisti të shquar, ndaj një politikani të spikatur, ndaj një intelektuali të kompletuar të një pinjolli të fisit më të shquar shqiptar. Edhe pse i vonuar ishte një borxh që u vu në vend. Shqipëria duket tashmë e lehtësuar ndaj këtij mendimtari të madh që e ka vlerësuar bota dhe qytetërimi i përparuar. Ai me dijet e tij ka lënë gjurmë kudo në botë, sidomos në Amerikë .

– Cili është komenti juaj për për heqjen e Shqiponjës në rrethrrotullimin e Tiranës?

Shqiponja është simbol i identitetit kombëtar. Nëse ne si komb kemi një identitet në botë na njohin me shqiponjën që tashmë është bërë e përbotshme. Kombet e tjera kanë identitetin e tyre nëpërmjet simboleve në flamurin e tyre. Në qoftë se shqiponjën e heqim dhe pas përfundimit të mbikalimit e vendosim në një vend tjetër, kjo s’ka asgjë të keqe, pasi zhvillimi i vendit kërkon edhe zhvendosje. Askush në këtë rast nuk duhet të luajë rolin e kritizerit. Por, nëse shqiponja hiqet, se e ka vendosur më parë dikush tjetër, kjo nuk është e pranueshme. Ne duhet të heqim dorë nga praktikat qindravjeçare apo ato të brumosura nga komunizmi, që jo çdo gjë e ndërtuar më parë kur ke pushtet mund ta prishësh. Kjo është e papranueshme, pasi historia transmetohet edhe nëpërmjet veprave të tilla.

– Rasti Kaçifas në Bularat, sipas jush, çfarë përbën për opinionin shqiptar dhe më gjerë?

Në këtë rast duhet të jemi gjakftohtë. Pse u krijua dhe kush e krijoi këtë rast? Ishte i rastësishëm? Gjithë loja e qarqeve greke u shemb si kala prej rëre në Parlamentin Evropian, ku eurodeputetin grek nuk e lejuan të fliste në PE për këtë rast me gjuhën e ekstremizmit të pabazuar. Pra ishte qartë përgjigja e PE, që nëse shkel ligjet e një shteti nuk lejohesh, as me ligj, as me demokraci ta bësh këtë shkelje të paimagjinueshme në një shtet demokratik. Grekët që erdhën në Bularat iniciuan me thirrje Greqinë e madhe, Vorio-epirin dhe në opinionin ndërkombëtar u etiketuan si shkelës të ligjit të një shteti tjetër. Politika e racistëve dhe ekstremistëve grekë kishte paramenduar të krijonte incidente që, nëpërmjet Kaçifas të krijohej në opinionin ndërkombëtar ideja, se në Shqipëri nuk po respektohen të drejtat e minoritarëve. Ne në fakt jemi vendi që i kemi respektuar më shumë nga të gjithë minoritarët grekë, kemi lidhur krushqi dhe kemi qenë si një familje. Kjo bie ndesh dhe me ultra-nacionalistët që e dinë fare që dhe populli vëlla grek nuk bie pre e tyre, ne jemi për vëllazërim për bashkëpunim dhe të ecim në atë rrugë qindravjeçare të vëllazërisë më minoritetin grek në Shqipëri. Ne jemi i vetmi komb në botë që kemi respektuar më shumë komshiun dhe kemi ndarë bukën e gojës, këtë kemi bërë historikisht me popullin vëlla grek.

– Si do ta komentonit qenien jashtë parlamentit të opozitës, a do të hyjë në parlament dhe cilat janë arsyet e të qenit jashtë?

Unë jam për një opozitë në parlament, për një opozitë që ta thotë fjalën e saj në tempullin e fjalës së lirë. Ata janë përfaqësues të një pjese të madhe të popullit dhe, më shumë se kudo, fjalën e drejtë do duhet ta thonë aty. Por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë që pozita shumë herë të flasë me gjuhën e të fortit, me gjuhën e kartonëve, me gjuhën e zaptimit të institucioneve. Pozita duhet të jetë e ekuilibruar në shumë ligje dhe ndërmarrje, që çdo ligj të miratohet me konsensus, me gjuhën e bashkëpunimit, për atë që është në interes të popullit dhe jo të politikës së ditës. Nuk mund të ndërtohet një shtet i së drejtës, nëse nuk bashkëpunohet sipas normave demokratike. Por nuk mund të ecet në demokraci, që opozita të bëhet levë e pozitës, të mos i dëgjohet fjala, apo të nënshtrohet. Nëse pozita vepron me dhunë kartonësh në aprovimin e shumë ligjeve, atëherë ka rrezik që kthehemi në një diktaturë. Pra, duhen respektuar kushtetuta, ligjet dhe normat në funksionimin real të shtetit. Në parlament duhet hequr gjuha e rrugës, e vulgaritetit dhe të përcillet gjuha reale e debatit konstruktiv në interes të mirëqenies së popullit. Të gjithë në parlament duhet të punojmë me konsensus në të mirë të atdheut, që të mos jemi më, delja e zezë në Evropë. Të gjithë të punojmë për paqen.

– Cili është mendimi juaj për bazën e Kuçovës e cila tashmë do kthehet në bazë të NATO-s, çfarë do sjellë kjo bazë për shqiptarët dhe Shqipërinë?

Hapja e bazës së NATO-s në Kuçovë është realizimi i një ëndrre të bukur, i një ëndrre shekullore të popullit shqiptar. Diktatura na çoi në lindje duke qenë historikisht me perëndimin. NATO është simbol i lirisë, i ndihmës dhe ruajtjes së paqes kudo në botë. Kjo bazë, jo vetëm që do jetë një ndihmë e madhe ekonomike për zonën, por do shtojë në mënyrë të sigurt paqen në Rajon dhe më gjerë. Ky është vlerësimi më i madh që i bëhet vendit tonë nga vendet anëtare të NATO-s. Këtë bazë do ta dëshironte gjithkush nga vendet në rajon, por NATO, jo rastësisht zgjodhi vendin tonë. Kjo, pasi shqiptari shquhet për dashurinë ndaj paqes, nuk ka sulmuar kurrë dhe jemi një vend që ruajmë besnikërinë ndaj atyre që na besojnë me zemër. Kjo bazë është një sinjal i mirë për shumë zhvillime të tjera interesante në vendin tonë ku demokracia është ende e brishtë.