BERZH: Nëse nuk ndihmoni bizneset e vogla, integrimi do vonohet

181
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka prezantuar dje në ambientet e Bankës së Shqipërisë Raportin e Tranzicionit për vitin 2017. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pohoi se raporti ka vlerësim pozitiv për zhvillimet në rajon. Ai shtoi se disa vende te rajonit kanë e ecur me shpejt se vende të tjera me kushte të njëjta zhvillimi. Megjithatë, raporti vëren se produktiviteti i bizneseve është ulur. Problematike janë sidomos bizneset e vogla, që nuk po zgjerohen dhe nuk po rrisin prodhimin dhe kanë një produktivitet shumë të ulët. Raporti rekomandon që duhet bërë më shumë për fuqizimin e tyre. 80 për qind e bizneseve në rajon janë të vogla dhe kanë peshë të rëndësishme për Prodhimin e Brendshëm Bruto, punësimin etj. Por, ata kanë vështirësi të gjejnë financime dhe mbështetje me politika. Kjo kategori e biznesit është shumë e rëndësishme për procesin e konvergjencës (rritjes me ritme më të shpejta se vendet e zhvilluara për ta kapur sa më shpejt mesataren e të ardhurave të Bashkimit Evropian). Raporti thekson se është pikërisht produktiviteti, ai që përcakton shpejtësinë e konvergjencës, pra se ku do të arrijmë mesataren e të ardhurave të Bashkimit Evropian. BERZH rekomandon që në këto kushte integrimi do të vonohet nëse nuk rritet produktiviteti. “Nëse nuk ndihmohen bizneset e vogla ky proces integrimi mund të vonohet”, tha Sejko, duke iu referuar gjetjeve të raportit. Në tërësi raporti ka një frymë optimiste për rajonin. Raporti sugjeron që politikat duhet të përqendrohen te sipërmarrja. Drejtori i Zyrës së BERZH në Shqipëri, z. Matteo Colangeli, tha se BERZH ka mbështetur me financime sidomos sipërmarrjet. BERZH ka interes në financimin e sektorit të energjisë. Turizmi është një sektor tjetër me interes për zhvillim. “Do të mbështesim sipërmarrjen private në sektorin e turizmit. Agrobiznesi është gjithashtu me interes dhe ne jemi duke parë mundësi për financime”, tha ai. Zëvendësdrejtori i Sektorit për Çështjet dhe Politikat Ekonomike të Vendeve në BERZH, Peter Sanfey, tha se të gjitha vendet në rajon kanë pësuar rritje pas konflikteve. “Ekonomia e Shqipërisë është rritur pas krizës, por me ritme më të ulëta krahasuar me para krizës”, tha ai.