BERZH kundër “Bankers Petroleum” për shpërthimet e nëndheshme

679
Sigal

Prokuroria duhet të fillojë të hetojë akuzat kundër kompanisë që shfrytëzon naftën për tërmetet artificiale që shkakton

Në zonat naftëmbajtëse, ku  operon kompania kanadeze “Bankers Petroleum” mbi aktivitetin e kërkimit të naftës, shpeshherë  kanë ndodhur shpërthime të nëndheshme, të cilat kanë shkaktuar dëme materiale në banesat e gjithë fshatrave përreth.

Akuzat e banorëve kundër “Bankers Petroleum”

Banorët janë ankuar se, këto shpërthime të nëndheshme vijnë si pasojë e shpërthimeve që bëjnë në puset e kërkimit kompania kanadeze “Bankers Petroleum”. Mirëpo, kjo kompani i ka mohuar këto ankesa dhe ka bërë fjalë se ato janë tërmete. Por, BERZH, vjen dhe mbështet ankesat dhe akuzat e banorëve, duke përgënjeshtruar edhe kompaninë “Bankers Petroleum”

BERZH kundër   “Bankers Petroleum”: “Uji i përdorur injektohet me presion nën tokë”

Një raport i hartuar në muajin shkurt, por i publikuar ditët e fundit, i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka në qendër shqetësimin e ngritur nga banorët rreth zonave, ku operon kompania kanadeze “Bankers Petroleum” mbi aktivitetin e kërkimit të naftës. Në raportin e BERZH mbi aktivitetet e kompanisë “Bankers..”, përmendet fakti që firma kanadeze ka puse nafte, ku uji i përdorur injektohet me presion nën tokë. Në raport citohet: “Mbetjet e ujit janë kryesisht uji i nxjerrë bashkë me naftën dhe i ndarë prej saj. Këto ujëra trajtohen për të pakësuar përmbajtjen e naftës dhe të rërës dhe pastaj transferohen në disa puse të posaçme injektimi në fushë, ku injektohen nën tokë në formacione të përshtatshme”. Kjo teknologji që besohet se përdoret nga firma për të shfrytëzuar nëntokën e fushës së Patos Marinzës, dyshohet se, shkakton tërmete të vazhdueshme në zonë.  Ekspertët i referohen një shembulli në Ohajo, ku në një pus injektimi uji dyshohet se shkaktoi mbi 100 tërmeteve. Rasti është shumë i ngjashëm me Zharrëzën, ku tërmetet po ashtu janë të vogla dhe kanë filluar pasi filloi punën “Bankers”

Aferat e Gjoefizikës, me “Bankers Petroleum”

Kundërshtitë e argumentimeve të Institutit të Gjeofizikës, për sa i përket analizimit të lëkundjeve të shkaktuara në zonën naftëmbajtëse në Zharrëz, kanë bërë që prokuroria t’u kërkojë një tjetër përgjigje zyrtare dhe përfundimtare ekspertëve të gjeofizikës. Por pas këtij raporti në Zharrës banorët thonë se kanë ndodhur edhe 2 raste të tjera të tronditjes së nëntokës, në orët e natës. E para në 25 gusht. Por ky tërmet nuk është raportuar nga Departamenti sizmologjik. Pra, është e qartë se Departamenti sizmologjik është në afere korruptive me “Bankers Petroleum”, derisa nuk raporton shpërthimet e nëndheshme, dhe duke i interpretuar në raste të tjera, si tërmete.

Përse prokuroria nuk heton akuzat ndaj “Bankers Petroleum”?

Ndërsa rasti i dytë, që shton dëmtimet në shtëpitë dhe vazhdon të mbajë nën ankth dhe frikë banorët ishte me intensitet më të ulët. Ai ka ndodhur në datën 7 shtator. Megjithatë firma e naftës, këmbëngul se këto janë tërmete natyrore dhe nuk kanë lidhje me aktivitetin e saj. . Më tej,  në raportin e BERZH citohen zhvillimet me dosjen hetimore të prokurorisë së Fierit për dëmtimet e banesave në Zharrëz.  Mirëpo, ajo që është esencialë, duhet të theksohet, përse prokuroria nuk heton akuzat e banorëve të fshatrave të zonës naftëmbajtëse, ku operon  kompania kanadeze“Bankers Petroleum”? Mos vallë edhe organi i akuzës është në afere me kompaninë kanadeze, që, duke zbatuar teknologji të ndaluara për kërkime  dhe shfrytëzim të naftës, shkakton shpërthime të nëndheshme, duke prishur, kësisoj, banesa të fshatarëve, duke prishur edhe strukturën e nëndheshme ujëmbajtëse, me pasoja katastrofike, për ujin e pijshëm.