Sigal

Një burrë është prangosur nga Policia e Tiranës, pas dhunës fizike që ai ushtroi ndaj bashkëshortes së tij. Si pasojë e kësaj dhune, gruaja ka përfunduar në spital, dhe mësohet e është jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ka ndodhur në Babrru, ku sipas Policisë, u arrestua në flagrancë shtetasi A. A., 35 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, F. L., 28 vjeçe.

Komisariati i Policisë Nr. 5

Më datë 25. 10. 2018, u arrestua në flagrancë shtetasi A. A., vjeç 35, banues në Babrru, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, F. L., vjeçe 28, banuese në Babrru, e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Neni 130/a/4 i Kodit Penal.

Neni 130/a

Dhuna në familje

(Shtuar me ligjin nr. 23/2012, datë 1.3.2012; ndryshuar paragrafi i fundit me ligjin nr. 144/2013, datë 2.5.2013)

Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet.

Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me  pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim gjer në tre vjet.

Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.

Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga një deri në pesë vjet.