Berati, qarku më i varfër, 2500 familje jetojnë me përkrahje sociale

600
Sigal

SHIFRA TRONDITËSE/ Flet ekonomisti Valter Muho: “Krahasuar me të ardhurat, detyrimet familjare janë shumë të larta”

Kriza ekonomike që ka kapur Shqipërinë, ka ndikuar shumë edhe në Qarkun e Beratit, i cili mund të quhet ndryshe dhe qarku më i varfër në shkallë vendi. Varfëria në këtë rajon është ulur këmbëkryq dhe po i merr frymën gradualisht mijërave familjeve. Sipas të dhënave nga bashkitë bëhet e ditur për gazetën “Telegraf”, se në 5 bashkitë e Qarkut të Beratit jetojnë me përkrahje sociale 2500 familje, të cilat gdhihen dhe ngrysen me uri, këtë uri atyre prej 20 vjetësh, nuk ja kanë hequr qeveritë e dy forcave politike, e majtë e të djathtë. Këtë e tregojnë dhe shifrat tronditëse të familjeve që jetojnë me një lëmoshë për të mbajtur shpirtin gjallë. “Është absurde, sepse ne i kemi pritur me shumë dëshirë të madhe, ndryshimet demokratike të vitit 1990, por vetëm tani pas 20 vjetësh e kuptojmë se ndryshimi nuk na duhej, sepse ne humbëm gjithçka që kishim gjatë sistemit komunist. Ne sot i kemi shkatërruar plotësisht rrugët, lulishtet e parqet industriale që na la ai sistem. Pse, ky ishte ndryshimi i madh që ne po prisnim?!”, thanë disa persona që ushqehen me asistencë.

Shifrat

Burime nga pesë bashkitë e Qarkut të Beratit, bëjnë të ditur se, një numër i madh familjesh jeton vetëm me përkrahje sociale. Kështu, në Bashkinë e Beratit 1000 familje jetojnë me përkrahje sociale. Kjo shifër është tronditëse. Sipas ekonomistit Valter Muho, bëhet e ditur se përkrahja që marrin familjet, e cila është 2800 lekë të reja, nuk mjafton as për të blerë bukë thatë, sepse familjeve me pesë persona sipas llogaritjes i takon 56 lekë në muaj vetëm një personi, pa llogaritur këtu ilaçet, qiratë, detyrimet mujore si uji, dritat, taksa etj.. Me pak fjalë kjo është katastrofë e vërtet, sepse detyrimet familjare janë të larta krahasuar me këto të ardhura”, tha financiari. Në Bashkinë e Kuçovës sipas të dhënave rreth 600 familje ushqehen me përkrahje sociale. Dihet se në këtë qytet industrial ka dhe probleme shëndetësore nga përpunimi i naftës, që shkaktoi një numër të madh të sëmurësh, të cilët edhe sot ata kurohen në sanatoriumin e Tiranës. Bashkia e Poliçanit trajton sot 200 familje me përkrahje sociale, Bashkia e Urës – Vajgurore trajton 300 familje ndërsa Bashkia e Çorovodës 400 familje.

Lista e borxheve, e lartë

Sipas statistikave mësohet se, lista e borxheve nëpër dyqanet e familjeve beratase kapë shifrën 950 milionë dollarë. Këto shifra tregojnë se nga dita në ditë varfëria në këtë qark sa vjen e shtohet. Ekonomisti Muho shprehet se, “Qarku i Beratit prej 23 vjetësh nuk ka patur një strategji zhvillimi, për ta nxjerrë nga kjo situatë, ku është futur ekonomia. Shumë familje kanë dhënë alarmin pasi jetojnë në kushte të vështira ekonomike, kushte, të cilat shpesh herë po ju marrin edhe jetën. Madje ekonomia e dobët po ndikon edhe te fëmijët e tyre, pasi prindërit nuk kanë mundësi t’i ndjekin me studime”, -tha Muho. Banorët e Qarkut të Beratit sipas specialistëve, kanë shpresa në ndërrimin e qeverive. Ata shprehen se, qeveria “Berisha” i ka lënë në pikë të hallit, pa bukë, pa rrugë, pa arsim etj..