BERAT/ Drejtori i Policisë nuk gjurmon krimin, por banorët që “Rilindja” i ka skeduar si votues kundër saj

Vjollca KUTA

Nuk e dimë, nëse policia do të ketë rol neutral në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017, por një informacion i djeshëm, na bëri me dije, se Drejtori i Policisë të Beratit, po vazhdon të zbatojë udhëzimet sipas skenarit të 18 qershorit, duke u bërë pjesë e fushatës elektorale të PS në këtë qark. Sipas informacionit, veprimtaria partiake elektorale e këtij drejtori policie është përqendruar e po zhvillohet intensivisht, në zonat ku mendohet se “Rilindja” nuk mbledh dot asnjë “xhep” me vota. Ky fakt, ka detyruar kupolën e “Rilindjes” në qarkun e Beratit, që të pranojë humbjen e pritshme në zgjedhjet e 25 qershorit, duke i kërkuar një skenar tjetër veprimi kupolës “Rilindëse” në qendër. Pasi “ekspertët” e vjetër e të rinj të “korrje-shirjes” së votave që ka caktuar PS-ja për garantimin e votave, trajtuan planet për joshje me punësime, për kërcënime me largime nga puna dhe ndonjë “qindarkë” në dorë për familjet e varfra, rezultoi, se në zonat ku ajo mbetet me pak vota si parti e si kandidatë për deputetë, dhe se nuk arrihet rezultati që duan me këto mjete. Mirëpo, nuk kanë mbetur pa zgjidhje, përkundrazi kanë gjetur një “levë” shumë efikase (sipas tyre). Ata kanë ndërtuar një skemë aktivizimi të policisë zonale, duke i dhënë udhëzime vetëm drejtorit të policisë. Ky i fundit, në mirënjohje të gradimit në detyrën e drejtorit të policisë vendore dhe premtimit për poste më të larta pas zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, ka pranuar të zbatojë skenarin e dhënë gati, duke nisur nga aktiviteti. Sipas informacionit, drejtori ka angazhuar strukturën e specializuar policore, duke e hedhur në veprim në zonat; Skrapar e Kuçovë. Ata janë ngarkuar me “detyrën”, për të rifreskuar listën me të gjithë personat, banorë në këto dy zona, të cilët janë të skeduar në regjistrat e policisë së Beratit, për shkelje ligji edhe të kahershme. Këto “plagë të vjetra”, inspektorët elektoralë të policisë, “ua kujtojnë” në formë presioni për hapje letrash, ndërkohë që atyre, të cilët kanë shkelje ligjore aktuale, u premtojnë për “mbyllje letrash”. Me urdhër të drejtorit të policisë, struktura e inspektorëve policorë të besuar të “Rilindjes” në Berat, ka nisur inkursionin në qytete, fshatra e lagje të këtyre dy zonave, për të mbledhur denoncime rreth familjeve dhe personave që janë skeduar, se nuk do të votojnë PS-në dhe të kandidatët e saj për deputetë. Prej disa ditësh, ata kanë zbarkuar në çdo cep të Kuçovës dhe Skraparit, duke vazhduar të “gërmojnë” e, madje të nxisin dhe provokojnë raste shkeljesh ligjore, prej atyre që dyshohet dhe ka bindje, se nuk do votojnë “Rilindjen”. Çdo mbrëmje, “policët elektoralë” raportojnë te Drejtori i Policisë së Beratit, i cili në rastin konkret kryen detyrën partiake si “shef i shtabit elektoral të PS” në këtë qark! Edhe pse kupola e “Rilindjes”, po e akuzon Drejtorin e Policisë së Beratit, se në këtë mision po ecën si “Karroca e Dylit”, faktikisht ai po punon me të gjitha mundësitë që i jep fuqia e detyrës si kryepolic, por edhe “betimi” që ka bërë para partisë, për të arritur rezultate sa më të larta në grumbullimin e votave për “Rilindjen” dhe për kandidatët e saj në Skrapar e Kuçovë!