Berat, të deleguarit e PS, PD dhe LSI-së në garë për fituar elektoratin e lëkundur

495
Sigal

Banorët: Gjynahet e pushtetarëve nuk i lan as uji i lumit Osum, kemi shpresa vetëm tek Nasip Naço, pasi po mban premtimet

Me afrimin e zgjedhjeve është shtuar edhe ashpërsia e fushatës elektorale në Qarkun e Beratit. Këtë e tregojnë dhe lëvizjet e shumta nëpër zonat e ndryshme të tre të deleguarve politikë për këtë qark, ku z. Namik Dokle përfaqëson Partinë Socialiste, z. Genc Pollo Partinë Demokratike dhe z. Nasip Naço, LSI-në. Ata në mënyrë individuale po shkelin të gjithë territorin e qarkut duke kryer takime me elektoratin e tyre. Këto ditë Dokle ka shkuar në zonën e Sinjës, ku ka kryer takime me elektoratin socialistë. Gjatë takimit Dokle u ka kërkuar banorëve të kësaj zone që të votojnë Partinë Socialiste, pasi ajo ka një platformë më të mirë se forcat e tjera politike. Por në takime të ndryshme ka pasur dhe përplasje fjalësh mes simpatizantëve dhe drejtuesve politikë, pasi ka shumë qejfmbetje, sepse nuk janë mbajtur premtimet e dhëna para fushatave zgjedhore. Banorët shprehen se kanë votuar për Partinë Socialiste si për pushtetin vendore dhe parlamentarë, por nuk kanë parë ndonjë ndryshim, prandaj ata ndihen të lëkundur për votën që do të japin. Namik Dokle, si një nga politikanët më të sprovuar të PS ka bërë që në Qarkun e Beratit, krejt ndryshe nga herët e tjera të ketë një zhvillim shumë të gjerë politikë. Dokle i ka premtuar socialistëve se me ardhjen në pushtet, do të ketë ndryshime në infrastrukturë, do të hapen vende të reja pune dhe do të korrigjojnë gabimet që mund të jenë bërë gjatë gjithë kohës së shkuar. Në shumë takime që janë zhvilluar simpatizantët dhe anëtarët e Partisë Socialiste, janë treguar optimistë për fitoren e 23 Qershorit. Dokle në takimet e kryera është shprehur: “Ja, ku e keni fytyrën e Sali Berishës në Berat, në rrugë të shkatërruar, papunësia ka arritur kulmin. Varfëria është ulur këmbëkryq në këtë qytet, prandaj Partia Socialiste është ajo që do të ndërtojë Shqipërinë dhe Beratin”. Dokle mesa duket ka një reputacion politikë të mirë në Qarkun e Beratit dhe këtë e tregojnë takimet që ai ka kryer më elektoratin e Beratit. “Berisha ka bllokuar fondet për momentin, që kur të afrohen zgjedhjet, të hidhet në sulm, për të ndërtuar ndonjë copë rrugë. Por ai nuk i gënjen dot më banorët e Beratit”, ka thënë Dokle. Ne do të fitojmë mundshëm në këto zgjedhje se na takon, kjo për arsye se kemi një platformë të shkëlqyer si parti, e cila përveç sferave të tjera ka dhe një mbështetje të madhe për fermerët, ka thënë i deleguar i PS-së në Berat.

Fushata ndryshe

Krejt ndryshe po e zhvillon fushatën drejtuesi politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Nasip Naço. Ai po bënë realitet premtimet para zgjedhjeve duke ndërtuar rrugë e ura në zonat e Skraparit. Gjëja më karakteristike e tij është se kjo forcë politike dhe drejtuesi i saj në Qarkun e Beratit nuk shanë asnjë forcë politike. Kjo e ka favorizuar shumë këtë parti, e cila ka një zgjerim shumë të madh krahasuar me vitet e mëparshme në këtë qark. Banorët e zonave rurale, por dhe ato të qytetit janë befasuar nga premtimet lumë, të cilat vijnë nga drejtuesit e këtyre forcave politike, prandaj po gjejnë mbështetje tek fjalët e të deleguarit të LSI-së, z. Naço. Disa banorë të zonës së Tërpanit, shprehen në prag të fushatës se kjo zonë është lënë në harresë nga të gjitha qeveritë e të dyja krahëve të majtë e të djathtë. Ata shprehen se, sa vijnë fushatat elektorale në Komunën e Tërpanit vërshojnë kandidatët e të gjitha forcave politike. Për të marrë votat ata bëjnë be dhe fe se do të ndihmojnë këtë zonë. “Ne ua kemi dhënë votën të majtës, por kur e majta ka qenë në pushtet nuk investoi asnjë qindarke në këtë komuna, por të njëjtën gjë ka bërë dhe e djathta për këtë zonë. Deputetët se marrin votat, për çudi nuk duken më”,-u shpreh një 75-vjeçar. “Gjynahet e tyre (pushtetarëve) nuk i lanë as uji i lumit Osum”, tha ai. Disa anëtarë kryesie të Partisë Socialiste, u shprehën për gazetën se, “Thembra e Akili”, është infrastruktura e qytetit të Beratit, që është një skandal i vërtet.