Berat, s’shlyenin dot detyrimet, mbyllen 170 biznese në tregun e ri industrial

885
Sigal

Drejtori i Policisë Bashkiake, Sokrat Gode: “Falimentimet po bëhen kërcënim serioz për të ardhurat e bashkisë”

Kriza ekonomike ka çuar në falimentimin dhe mbylljen e aktivitetit të 170 biznese në Tregun Industrial të qytetit, ndërkohë që, 70 biznese të tjerë e kanë deklaruar se do të mbyllin punën e tyre në fund të viti, për arsyen e thjeshtë se kanë falimentuar. Lajmi bëhet i ditur nga Bashkia e Beratit, ku vetë tregtarët janë detyruar të dorëzojnë licencat e ushtrimit të këtij aktiviteti, në pamundësi për të shlyer taksat dhe detyrimet vendore kur xhiroja e tyre është krejt e papërfillshme. Drejtori i Policisë Bashkiake në Berat, z. Sokrat Gode është shprehur për “Telegraf”, se, vështirësitë ekonomike kanë bërë të pamundur pagimin prej disa muajsh të taksave dhe detyrimeve tatimore që tregtarët e tregut industrial i detyrohen bashkisë së qytetit. Gjithashtu, kujtojmë këtu se edhe 30 biznese u mbyllën vetëm para një muaji pasi e kishin të pamundur të shlyenin detyrimet. Kjo gjendje tregon se shumë shpejtë ky treg do të boshatiset komplet nga tregtarët.

Gjendja

Në tregun industrial të qytetit të Beratit, ku numërohen 450 dyqane tregimi të produkteve të ndryshme, 100 prej tyre janë mbyllur edhe pse pjesa më e madhe kanë vetëdeklaruar falimentin duke bërë edhe mbylljen e aktivitetit. Shkak për këtë falimentim është bërë kriza ekonomike, që ka sjellë rënie të theksuar të blerjeve e rrjedhimisht të xhiros ditore, duke çuar në mospagimin e taksave dhe detyrimeve vendore. Tashmë 100 familje do t’i shtohen armatës madhe të papunëve në këtë qytet, i cili nuk ka mundësi punësimi. Burime nga Bashkia e Beratit bëjnë të ditur se dhe 70 biznese të tjera kanë paralajmëruar që vitin e ardhshëm do të mbyllin aktivitetin e tyre për arsye se nuk arrijnë dot që të paguajnë detyrimet ndaj bashkisë. Ne këtë qytet po vihet re se bizneset e vegjël janë drejtë mbylljes, kjo për arsye se fuqia blerëse ka rënë shumë dhe si pasojë gjendja sa vjen e përkeqësohet. Burime nga bashkia bëjnë të ditur për gazetën, se bizneset që kanë kërcënuar për mbyllje të aktivitetit, do të ndikojnë shumë në të ardhurat e taksave të bashkisë. Madje, bashkia nëpërmjet vjeljes së taksave po mbijeton, pasi Qeveria ju ka shkurtuar fundin grand. Për situatën e krijuar Gode tha: “Jemi të detyruar të zbatojmë ligjin për të gjithë bizneset që nuk kanë shlyer detyrimet ndaj bashkisë edhe pse ata punojnë në kushte të vështira dhe kriza është bërë e ndjeshme”. Një gjendje e tillë paraqitet dhe në 4 bashkitë e tjera të Qarkut Beratit, ku shumë biznese janë drejtë falimentimit dhe si të tillë ata do të mbyllin aktivitetet e tyre për arsye se nuk përballojnë dot detyrimet ndaj bashkive.