Berat, shkatërrohet banda që kryente vjedhje me maska dhe kallashnikovë

1371
Sigal

OPERACIONI “TREGU I RI”/ Arrestohen katër të rinj. Pronari i dyqanit ushqimor tregon skenën e grabitjes

Polica shkatërron një bandë hajdutësh, të cilët kryenin vjedhje në qytet me maska dhe armë zjarri, tip “Kallashnikov”. Ka qenë vjedhja e tyre e fundit që ka zbuluar edhe rrjetin e tyre kriminal të shtrirë gjerësisht në qytetin e Beratit. Preh e vjedhjeve të tyre bini dyqanet që kishin xhiro të madhe ditore dhe shtëpitë që kishin pronarët jashtë shtetit. Nga ana e strukturave të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit u finalizua me sukses operacioni i koduar “Tregu i Ri”, nga ku rezultoi arrestimi në flagrancë i shtetasve Aleksandër Arëza, 18 vjeç, Manuel Sakolli, 18 vjeç, Elvis Grëmi, 21 vjeç dhe Leonard Lamaj, 22 vjeç, të katër banues në Berat me gjendje gjyqësore të padënuar më parë.

Vjedhja

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur një dyqan ushqimor në Tregun e Ri Industrial në lagjen “30 -Vjetori”. Burime të policisë, bëjnë të ditur se, në sallën operative është njoftuar se një grup hajdutësh të veshur me rroba të zeza, maska dhe të pajisur me armë zjarri kallashnikovë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin rreth orës 20:00 kanë hyrë brenda një dyqani dhe kanë vjedhur të gjithë xhiron ditore të dyqanit ushqimor që kap shumën 900 mijë lekë të vjetra. Dyqani ishte pronë e shtetasit me iniciale D. Z.. Hajdutët e armatosur kanë kërcënuar me vdekje pronarin e dyqanit dhe e mbanin të mbështetur me forcë pranë murit, ndërsa me shpejtësi kanë marrë lekët dhe janë larguar. Pas denoncimit menjëherë në vendngjarje, ka shkuar grupi i gatshëm, ku brenda një kohe shumë të shkurtër ka arritur të arrestojë bandën e hajdutëve, të cilët nuk mundën të shkonin larg. Policia në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar një armë zjarri tip “Kallashnikovë”, një armë sportive, një automjet tip “Ford” me targa  AA616 FC, sasinë e parave të vjedhura, rrobat dhe maskat, të cilat kanë shërbyer, për realizimin e kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Pronari i dyqanit, i njohur si njeri i thjesht dhe punëtor deklaron se, policia duhet të marri më shumë masa për të mbrojtur qytetarët, të cilët janë të hapur ndaj çdo rreziku kriminal. Sipas të dhënave katër të rinjtë, kishin kohë që e kishin studiuar këtë dyqan dhe duke parë shitjet e shumta që bëheshin aty, janë hedhur në veprim.