Berat, pushtetarët eliminojnë nga fushata drejtuesit e partisë

500
Sigal

Krerët e bashkisë lë të drejtojnë bashkinë dhe të ndihmojnë fushatën, por jo të jenë drejtuesit e shtabit elektoral

Pushtetarët e Beratit në mënyrën si udhëheqin, na kujtojnë shprehjet e kohës së komunizmit se ‘Partia drejton në të gjitha sferat’. Kjo shprehje ka gjetur sërish vend, vetëm me një ndryshim të vogël se nuk drejton partia, por drejton pushteti. Sapo ka filluar fushata elektorale në Qarkun e Beratit, ku janë bërë projektet dhe janë zgjedhur strukturat që do të drejtojnë fushatën elektorale, por të bije në sy diçka interesante; strukturat e Partisë Socialiste, kanë dalë jashtë loje, në këtë fushatë. Drejtuesit e lartë të partisë në këtë qark janë jashtë loje, sepse kryetar të shtabit elektoral janë drejtuesit e pushtetit lokal në një kohë që gjendjen në parti e njohin vetëm drejtuesit e strukturave të partisë dhe jo drejtuesit e pushtetit lokal apo vendorë. Shumë struktura të Partisë Socialiste janë befasuar nga një vendim, ku thuhet se, fushatën do ta drejtojnë drejtuesit e pushtetit lokal me degët e tyre. Kjo është absurde, janë shprehur disa anëtarë të Asamblesë dhe kryetar partie në disa organizata. Është një anomali e madhe që një drejtues i pushtetit lokal të drejtojë fushatën në një kohë që partia ka një kryetar të zgjedhur me votën e socialistëve dhe ai e shikon vetën jashtë kësaj fushate, pavarësisht se, strukturat e partisë po punojnë për të fituar zgjedhjet. Drejtuesit e pushtetit, njohin vetëm situatën e bashkisë dhe jo atë të partisë në rrethin e Beratit. Gjendjen më mirë se e njohin kryetarët e organizatave dhe ato të asamblesë, nuk e njohin pushtetarët, janë shprehur disa kryetarë organizatash në Berat. Krerët e bashkisë lë të drejtojnë bashkinë dhe të ndihmojnë fushatën, por jo të jenë drejtues të fushatës, në një kohë që nuk e njohin situatën. Krejt ndryshe paraqitet situata në rrethin e Kuçovës, ku në krye të fushatës është drejtuesi i kësaj partie, z.Vangjel Shyti, i cili në bashkëpunim me deputeten e rrethit Ermonela Felaj dhe kreun e Bashkisë Kuçovë, Bardhyl Gjyzeli, kanë organizuar një fushatë model në të gjitha sferat. Ata kanë gjetur një mbështetje të madhe në bazë, ku elektorati i tyre i ka pritur me ngrohtësi dhe ju ka premtuar se do të kenë mbështetjen e tyre duke ju dhënë votën. E njëjta gjë paraqitet dhe në qytetin e Urës- Vajgurore, ku fushata drejtohet nga kreu i partisë i mbështetur nga kryetari i bashkisë. Këtë fakt nuk e ka zbatuar vetëm Berati, ku në krye të fushatës është kreu i bashkisë.