Berat, privatizimi i shërbimit urban përçan PS-në dhe LSI-në

521
Sigal

Akuza dhe debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Nasufi: Ndërmarrja ka falimentuar. Vendimi shtyhet për 3 muaj

Mbledhja e djeshme e Këshillit Bashkiak të Beratit është shoqëruar me debate të shumta si dhe me akuza nga këshilltarët në lidhje me një nga pikat e rendit të ditës që ishte “Privatizimi i shërbimit urban të qytetit”. Komisioni ekonomik në bashki e argumentoi vendimin për këtë privatizim me faktin se Parku i Udhëtarëve është në vështirësi të mëdha ekonomike dhe se ky shërbim jo vetëm që nuk ofron asnjë lloj komoditeti për qytetarët, por paraqet rrezikshmëri të lartë. Kundër këtij privatizimi kanë qenë këshilltarët e PD, LSI dhe PK. Duket se qëndrimi i LSI ka irrituar së tepërmi PS, e cila ka mbetur e vetme në këtë kërkesë të bërë.

Debati

Kryetari i grupit demokrat, Dritan Haznedari ka akuzuar bashkinë për keqmenaxhimin e këtij shërbimi, ndërkohë që, këshilltari i Partisë Komuniste, Aleko Boçe ka pohuar se tentativa që po bën bashkia për privatizimin është një akt i pastër korruptiv, duke dënuar me vdekje të vetmin shërbim publik në qytet. Edhe këshilltari i LSI-së, Artur Çepani është ngritur kundër këtij privatizimi duke kërkuar gjetjen e rrugëve dhe mundësive ligjore për funksionimin e tij. Akuzat e bëra, Kryebashkiaku Nasufi i ka quajtur të pabaza, duke argumentuar se bashkia e ka të pamundur financiarisht funksionimin e këtij shërbimi pasi borxhet që ka ndaj kontratave të shërbimeve publike kanë arritur në 1 miliard e 350 milion lekë, ndërkohë që të ardhurat dhe grandet kanë qenë gjithmonë në rënie. Sipas Nasufit, kjo ndërmarrje ka falimentuar tashmë dhe bashkia nuk mund të bëjë punë vullnetare. Pas shumë debateve, këshilltarët vendosën shtyrjen për 3 muaj të këtij privatizimi. Deklarata që ka bërë Nasufi në këshill, ku konfirmoi se në Berat nuk do të ketë më asnjë ndërtim, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të kryetarit të PD-së, Arenc Berati, i cili e ka quajtur këtë vendim të marrë nga KRRTRSH-ja si abuziv dhe një represion që po bëhet nga Rilindja, pasi ky vendim çon drejt falimentimit bizneset e ndërtimit në Berat dhe njëkohësisht penalizon qytetarët.

Detaji

1.Bashkia: Ndërmarrja ka falimentuar, ne nuk mund të bëjmë punë vullnetare

2.Demokratët kanë akuzuar bashkinë për keqmenaxhimin e këtij shërbimi

4. Komunistët: Tentativa e bashkisë për privatizimin, një akt i pastër korruptiv

5. LSI ka kërkuar gjetjen e rrugëve dhe mundësive ligjore për funksionimin e tij