Berat, Partia Socialiste pa zyrë, godinës 3- katëshe i del pronari

14

Socialistët kanë 1 muaj pa ambiente, dosjet i kanë marrë në shtëpi, ndërsa takimet i bëjnë nëpër lokalet e qytetit

Ka një muaj që Partia Socialiste në Berat ka mbetur pa zyrë, sepse godinës trekatëshe i doli pronari. Prej kohësh ishte kërkuar prej këtij të fundit, që t’i dorëzohej ndërtesa e ‘zaptuar’ nga PS, por vetëm para disa javësh është bërë lirimi total i saj. Meqenëse, nuk kanë mundur të gjejnë ende një ambient të ri, socialistët janë detyruar të marrin nëpër shtëpitë e tyre dosjet dhe çdo gjë tjetër që ishte e rëndësishme, ndërsa takimet po i kryejnë nëpër lokalet e qytetit. Por problemi bëhet akoma më i madh tani që po afron shtatori, sepse anëtarët e PS-së duhet të mblidhen e të diskutojnë për çështje të ndryshme.

Situata

Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur për gazetën “Telegraf” se, godina, ku ishte strehuar prej disa vjetësh, i ka dalë pronari, i cili sipas ligjit, ka kërkuar pronën e tij. Ka disa vite që kjo godinë trekatëshe është diskutuar për boshatisje, pasi kërkesave të vazhdueshme të pronarit. Por vetëm para një muaji godina është dorëzuar. Tashmë partia në pushtet nuk ka ambiente për të organizuar punën e saj, problem do të jetë ky rast, pasi pas fitores, PS-së i dalin detyra më të mëdha për riorganizimin e punës dhe për zgjidhjen e problemeve që do të krijohen gjatë emërimeve të strukturave shtetërore, si dhe ankesat që do të bëhen nga shumë simpatizantë, që luftuan për të arritur këtë fitore, për të zënë ndonjë vend pune. Drejtuesit e kësaj partie i kanë marrë të gjitha dosjet e dokumentet në shtëpi për të ruajtur identitetin e tyre për nga vetë vlerat që ato kanë, e ndërsa takime i bëjnë nëpër lokalet e qytetit. Por kjo, sipas tyre, nuk është zgjidhje. Ata kërkojnë që sa më shpejt të gjendet një godinë e re. Kjo situatë ka vështirësuar shumë punën e kësaj partie. Ka kaluar një muaj dhe drejtuesit e bashkisë nuk kanë bërë asnjë tentativë për të gjetur një ambient për partinë e tyre, pasi bashkia i përket Partisë Socialiste prej shumë vjetësh. Socialistët e Beratit, tashmë kanë mbetur pa zyra dhe nuk dinë se ku të shkojnë për të diskutuar objektivat ose premtimet që janë bërë gjatë fushatës. Heqja e PS-së nga godina në qendër të qytetit e ka ndërlikuar shumë situatën në këtë parti. Në fasadën e godinës kanë mbetur vetëm posterat dhe asgjë më shumë, të cilët tregojnë se në këtë godinë ka qenë Partia Socialiste.