Berat, Osumi "rrëmben" milionat e Bankës Botërore

Vazhdon skandali me tregun e ri industrial në Berat. Tregtarët: Jemi më keq se në tregun e vjetër!

Ndërtimi i tregut të ri industrial në periferi të qytetit të Beratit, nuk kaloi pa zhurmë. Përplasjet e mëdha midis bashkisë, tregtarëve dhe Bankës Botërore nuk kanë përfunduar edhe sot, gjë, e cila reflektohet në mosprerjen e shiritit të inaugurimit. Ky konflikt, i cili ende nuk ka gjetur zgjidhje është pasqyruar gjerësisht në faqet e gazetës "Telegraf", duke nisur që në përplasjen e parë më datë 19 shtator të një viti më parë. Tregtarët në atë periudhë nuk pranuan të shkonin në ambientet e reja, pasi sipas tyre, dyqanet kishin (kanë) sipërfaqe të vogla dhe nuk i plotësonin kërkesat e tyre, pasi sasia e mallit që ata disponojnë është shumë herë më e madhe se hapësirat e vëna në dispozicion. Pas kundërshtimeve të tregtarëve, zëdhënësi i Bashkisë së Beratit, Kadri Kuka deklaroi se, fajin për këtë e kishin vetë tregtarët. Këtë akuzë ai e shpjegoi duke thënë se, ishin vetë ata, që në takimet që kishin bërë me komisionin e ngritur, kishin gënjyer për sipërfaqen e vendit, ku tregtoni. Këtë, tregtarët sipas tij, e kishin bërë, me idenë për të paguar më pak taksa (pasi sa më e vogël të jetë sipërfaqja aq më pak lekë paguhet në bashki). Pas takimit, komisionerët kanë hartuar planin, ku dhe kanë caktuar sipërfaqen që u ndërtuar tregu i ri, duke vendosur hapësirat që kërkuan vetë tregtarët.

Fondi

Banka Botërore dha një fond prej 780 milionë lekë për ndërtimin e këtij tregu dhe 20 për qind ishin aksionet e Bashkisë së Beratit. Sipas projektit, inaugurimi do të bëhej para 1 viti dhe rreth datës 15 tetor të 2011 do të shpërndaheshin dhe ambientet për tregtarët, në bazë të kritereve. Fillimi i ndërtimit të këtij tregu qe një ogur i mirë si për tregtarët po ashtu dhe për banorët e lagjes, të cilët prej vitesh vuanin shqetësimet nga tregu i vjetër.

Dyqanet

Nga të dhënat e bashkisë bëhet e ditur se dyqanet me sipërfaqe të vogël janë bërë për të strehuar sa më shumë tregtarë, pra nga 240 tregtarë që ishin të punësoheshin 350. Sipas tregtarëve, dyqanet janë 2.5 m me 1.7 m, gjë e cila kundërshtohet nga drejtuesi i Bashkisë së Beratit.

Reagimi

Në deklaratën e kreut të Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, thuhet: "Projekti ka parashikuar 292 njësi shitjeje, dimensionet e të cilave përshtaten me deklarimet dhe verifikimet që ka bërë komisioni. Në tregun aktual janë 222 njësi tregtimi x 5 m = 1110 m2 dhe 60 njësi tregtimi x 8 m = 480 m2".

Inaugurimi

Edhe pse kanë kaluar rreth 1 vit nga dita që tregtarët e tregut industrial janë vendosur në tregun e ri, në periferi të qytetit, tregut ende nuk i është prerë shiriti i inaugurimit. Banka Botërore nuk e merr në dorëzim projektin pasi nuk është zbatuar me përpikëri. Në projekt ishte përcaktuar gjatësia 300 dhe gjerësia po 300 e vendeve të shitjes, parametra, të cilat janë tjetërsuar. Tregtarët shprehen se, projekti ishte parashikuar për 180 tregtarë, por me cenimin e projektit tashmë në këtë treg janë sistemuar 350 të tillë. Kjo është arritur duke zvogëluar ambientet e tregtimit.

Kushtet e këqija

Ky treg në përbërje të vetë ka shumë mangësi si në ajrosjen e ambientit, sistemimin e mallrave ashtu dhe nga ana higjieno - sanitare pasi ambienti është shumë i vogël, ku dhe ajrimi nuk kryhet siç duhet dhe ajri aty, në këto ditë të nxehta është shumë i rëndë. Kjo ndikon dhe në gjendjen shëndetësore të tregtarëve, të cilët kalojnë rreth 8 orë në këtë ambient. Një pjesë e tregtarëve i kanë vënë çelësin dyqaneve, pasi kanë falimentuar. Tregtarët shprehen se, cilësia e punimeve nuk është e mirë, pasi gjatë dimrit patën lagështirë.

 _________________________________________________________________________________________________

REAGOJNË SPECIALISTËT E SHËNDETIT PUBLIK: PROJEKTI I AMBIENTEVE TË TREGUT SHKEL NORMATIVAT HIGJIENO-SANITARE

Në një prononcim për gazetën "Telegraf", ekspertë të Drejtorisë së Shëndetit Publikë konfirmojnë se për ngritjen e ambienteve që shërbejnë si dhoma banimi  apo punë ka norma të caktuara për sipërfaqen dhe volumin në metër kub. Edhe vendi ynë në të gjitha objektet social-ekonomike sikurse janë çerdhet, kopshtet, shkollat, zyrat e punës, qelitë e të ndaluarve dhe atyre që kryejnë dënime si dhe ato të shërbimeve publike respektojnë rregulloren dhe normativat europiane dhe ato të Shëndetit Publik Shqiptar. Sipas këtyre normave çdo person duhet që të ketë si hapësirë në vendin e punës 4-6 m katror. Kur bëhet fjalë që do jenë ambiente shërbimi, duhet patjetër që të kihet parasysh që ato të jenë të sigurta, të kenë mundësinë të ushtrohet aktiviteti, të ketë vend lëvizje dhe të mos dëmtojë shëndetin. Për këto raste më e pakta sipërfaqe e lejuar është 8-10 metra katror. Ato duhet të jenë pa mbyllje dhe të respektohen rregullat higjienike, ku të ketë edhe vendin e larjes së duarve. Duke patur parasysh që këto lloj shërbimesh sikurse bëhet fjalë për tregjet kanë lëvizje të klientëve dhe qytetarëve, të cilët kanë me vete edhe ngarkesa mikrobike, ku sipërfaqja duhet të jetë edhe më e lartë, pasi treguesit e sipërpërmendur janë vetëm për shitësin dhe materialet që tregtojnë. Por ligji kërkon që të ketë edhe pajisje, kasa, ekonomistë të punësuar, disa persona fizikë, por edhe juridikë etj.. Në këtë mënyrë sipërfaqja duhet të jetë dyfishin e saj dhe jo  5 metra katror sa është projektuar dhe që kanë aktualisht tregtarët e Beratit. Në këtë mënyrë këto ambiente duhen bllokuar dhe vetëm kur të garantojnë parametrat ligjorë të lejohen për përdorim për tregtarët dhe shërbime ndaj publikut. Nga ana tjetër specialistët e Bankës Botërore s'duhet të akordonin fondet nëse nuk respektoheshin këto parametra, pasi në të kundërt ky fond ka përfunduar në dallgët e lumit Osum.