Berat, ndërtimet pa leje po zhdukin kurorën e gjelbër dhe po rrezikojnë lagjet muzeale

778
Sigal

Flet për “Telegraf”, Drejtoresha e Shërbimeve Publike, Flutura Brami: “Shpyllëzimi ka rikthyer rrëshqitjet e dherave”

Prej disa vjetësh kurora me pisha e qytetit të Beratit është vënë në shënjestrën e personave, të cilët e kanë shkatërruar atë për qëllimet e tyre vetjake. Kurorat e pishave si në malin Partizani, në lagjen “Goricë”, “Kala” dhe në Urë – Vajgurore, janë drejt shkatërrimit të plotë. Ka mëse 5 vjet që këto pisha po digjen, po prihen dhe deri më sot asnjë person nuk ka rënë në prangat e policisë. Sipërfaqet e mëdha me pisha, e kanë zanafillën e tyre të mbjelljes rreth viteve 1955. Tani pishave shekullore, ju kanë mbetur vetëm rrënjët, pasi një pjesë e tyre janë prerë dhe një pjesë janë djegur nga zjarret e shumta. Sipas burimeve të Prefekturës dhe Ndërmarrjes Pyjore, bëhet e ditur se zjarret kanë qenë të qëllimshme. Por gjëja më e keqe është se kjo sipërfaqe e djegur me pisha nuk është zëvendësuar me bimë të reja, por është lënë në një gjendje të mjeruar. Berati njihet si një qytet, i cili është i rrethuar nga kodrat të mbjella me pisha disa vjeçare. Kjo kurorë e pishave ndryshe është quajtur dhe “Mushkëria e qytetit muze”. Një pjesë e këtyre pishave i kanë prerë në vitet e tranzicionit, ku nga lëvizja e lirë e njerëzve, një pjesë e banorëve që kanë ardhur nga zonat rurale, kanë hapur vende (duke prerë pishat) dhe kanë ndërtuar banesat e tyre. Ky fenomen është kryer edhe në zonën e Kalas, rrëzë murit të saj. Tashmë të gjitha këto familje që kanë ndërtuar banesat e tyre jo vetëm që kanë shkatërruar kurorën me pisha, por tashmë po ndikojnë dhe në shembjen e zonës së Kalasë, pasi nga prerja e pishave dhe ujërat që derdhen, po rrëshqasin shkëmbinj dhe dhera, të cilët po rrezikojnë, gjithashtu, lagjen “Barrikada”, që shtrihet poshtë Kalasë. Madje, një pallat 5- katësh, që është ndërtuar pranë malit, çdo ditë po rrezikohet nga shkarja e dherave masive. Faji, sigurisht për rrezikshmërinë që i kanoset lagjeve muzeale bie edhe mbi Ministrinë e Kulturës, e cila nuk ka investuar në Berat, kur dihet që situata ka degraduar deri në atë pikë saqë banesat qindravjeçare po prishen. Restaurimi është i domosdoshëm për t’i rikthyer qytetit pamjen e dikurshme. Sipas banorëve, Ministria e Kulturës ka hedhur në kosh, çdo ankesë të tyre dhe të drejtuesve të bashkisë për të investuar në këtë zonë, e cila është pjesë e trashëgimisë kulturore.

Ish- punëtorët

Disa ish-punëtorë të Ndërmarrjes Pyjore, Sabedin Malasit dhe Myqyrem Tafa, shprehen për gazetën “Telegraf” që: “Na kujtohen ato vite kur ne i mbillnim pishat, ndërsa sot kur i shikojmë ato kur digjen apo prihen, trishtohemi”. Ata tregojnë se në vitet ‘60 “kemi patur një drejtor shumë të pasionuar për pishat, ai quhej Saleko Sula. Për ne, në ato vite pishat ishin kurora e gjelbër që sinjifikonte “mushkëritë e qytetit”, por ja që sot kjo ‘dorë e zezë’ nuk mendon as për kurorë dhe as për mushkritë”, dhanë ata.

Reagimi

Drejtoresha e Shërbimeve Publike pranë Bashkisë së Beratit, Flutura Brami tha për gazetën “Telegraf” se, lagja “Barrikadë” dhe pallatet e saj, janë të rrezikuar nga shembja e dherave. “Rrëshqitja e dherave po rrezikon banorët e lagjeve muzeale. Shkak për këtë janë bërë ndërtimet që janë kryer nga banorët në këto zona, pasi pas prerjeve të pishave dhe ujërat që derdhen nga lartë kanë vënë në rrezik të madh lagjen “Barrikadë”. Masakër e madhe është kryer dhe në periferi të lagjes muzeale “Goricë” që shtrihet në malin Partizani. Aty sipërfaqe të mëdha me pisha janë djegur apo prerë nga persona të ndryshëm. Kjo sipërfaqe e madhe tashmë i jep një pamje të shëmtuar qytetit”, -tha Brami. Burime jo zyrtare po të besueshme bëjnë të ditur për gazetën se edhe malet në Berat kanë pronarë. Kjo gjë është vërtetuar në malin Partizani, i cili është (ishte) i mbjellë me pisha, por ato vit pas viti digjen apo priten me qëllim që të veproj dora e lirë e pronarëve pretendues. Ndërsa në Urë-Vajgurore, nuk veprojnë sëpatat, por zjarret dhe minierat e gurit, të cilat sipërfaqe të mëdha me pisha i kanë zhdukur fare.