Berat, Meta dhe Naço, të pranishëm ceremoninë e ditës së “Ujit të Bekuar”

539
Sigal

Kryetari i Parlamentit Ilir Meta dhe ministri i Drejtësisë Nasip Naço kanë qenë dje të pranishëm në ceremoninë e zhvilluar në qytetin e Beratit, lidhur me ditën e shenjtë të “Ujit të Bekuar”. Dita e 6 Janarit, simbolizon ditën e shenjtë të “Ujit të Bekuar”, në qytetin e Beratit përcillet çdo vit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët e krishterë që përkujtojnë në këtë mënyrë pagëzimin e Jezu Krishtit në ujërat e lumit Jordan. Z.Meta është shprehur se, “Dita e sotme të na japë energji për të ecur përpara. Qoftë një vit i mbarë dhe i bekuar për të gjithë shqiptarët”. Pas vizitës në Mitropolinë e Beratit, i shoqëruar edhe nga Ministri i Drejtësisë Nasip Naço për të uruar Ditën e Ujit të Bekuar, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, në një deklaratë për median ka shprehur kënaqësinë e të qenit në këtë qytet në këtë eveniment të veçantë, në një ditë kaq të rëndësishme siç është dita e pagëzimit. Kjo ditë, festa e sotme, sakrifica dhe bekimi i kësaj dite, – ka thënë Meta – të na japë forcë, energji dhe vullnet për të patur përpara një vit të mbarë për të gjithë qytetarët beratas dhe të gjithë qytetarët shqiptarë. Meta më pas ka bërë edhe këtë urim për beratasit dhe qytetarët Shqiptarë:-“ Qoftë një vit i mbarë dhe qoftë një vit i bekuar, besoj se do jetë për të gjithë Shqipërinë po padyshim edhe për Beratin sepse këtë vit do të përfundojë më në fund një rrugë e standardeve europiane që do të lidh këtë qytet me Lushnjen dhe akset kryesore të vendit!”. I pyetur në lidhje me fjalët për afrimin në radhët e LSI-së së përkrahësve të deputetit të ndjerë Sokol Olldashi, Meta është shprehur se, qëllimi i ardhjes së tij në këtë qytet është festimi i Ditës së Ujit të Bekuar dhe se nuk dëshiron ta ngatërrojë me situatat dhe ngjarjet politike.

.