Berat, “Mangalemi” pret gurët e shkëmbit të Kalasë

540
Sigal

Rikthehet frika tek banorët. Flet kreu i Njësisë Bashkiake Nr. 2 në, Venetik Çarka: “Duhet ndërtuar urgjent muri i betonit”

Rikthehet pas një viti ankthi dhe frika e banorëve të dy lagjeve muzeale “Mangalem” dhe “Goricë”, frikë kjo e shkaktuar nga shkëputja e gurëve nga shkëmbi i Kalasë dhe nga mali i Goricës. Vetëm ditën e djeshme kanë rënë shumë pranë banesave një sasi e konsiderueshme gurësh të përmasave të ndryshme. Shkëputja e tyre nga masivi shkëmbor është bërë një fenomen i përvitshëm dhe askush nuk merr masa për mbrojtjen e qytetarëve, të cilët ndihen në rrezik. Për banorët stina e dimrit, do të thotë frikë dhe stres, pasi jetojnë çdo ditë nën presionin e rënies së gurëve dhe rrëshqitjen e dherave. Lajmin e bënë të ditur për “Telegraf”, Kryetari i Njësisë Bashkiake Nr. 2 në Berat, Venetik Çarka, i cili u shpreh se, gjendja në këto dy lagje është serioze. “Situata është ajo e disa viteve të mëparshme. Sapo ka filluar stina e dimrit dhe nga lagështia e krijuar nga shirat e fundit ka dhënë sinjali e parë të shkëputjes së gurëve dhe dherave. Ne si pushtet lokal prej kohësh e kemi dhënë alarmin, se është në rrezik jeta e qindra banorëve si dhe nëse nuk merren masa gjithashtu banesat muzeale do të shkatërrohen. Këtu kanë ardhur përfaqësues të Qeverisë dhe komisione, ku kanë parë nga afër gjendjen e të dyja lagjeve. Kanë qenë vetë ata që kanë dal në konkluzionin se situata është alarmante, pasi disa pjesë shkëmbore janë gati për tu shkëputur nga masivi shkëmbor. Madje prej tyre është kërkuar edhe analiza e tokës, ku përfaqësues nga Gjeologjia Sizmike, të bazuar në analizat e nxjerra kanë dal në përfundimin se toka është e paqëndrueshme dhe si e tillë shkëputja e gurëve do të jetë e vazhdueshme. Edhe pse u bë gjithë kjo punë asnjë masë nuk u mor. Për të frenuar rënien e tyre duhet në mënyrë urgjente ndërtimi i mureve prej betoni”, tha Çarka.

Rëniet

Gjatë natës të ditës së djeshme kanë rënë lagjen “Mangalem” tre gurë të mëdhenj. Gurët gjatë rrokullisjes janë përplasur me gurë të tjerë dhe kanë ndryshuar drejtimin e tyre, duke rënë në hyrje të lagjes, por nëse nuk do të bëhej ky devijim do të dëmtoheshin disa banesa dhe në rrezik do të ishte edhe jeta e qytetarëve. Burime nga bashkia bëjnë të ditur se, duhen akorduar fonde për të realizuar projektin, në të kundërt situata do të jetë e njëjtë.