BERAT/ Kreu i Njësisë Nr.2, Çela: “Për investime i kemi sytë nga qeveria e re”

610
Sigal

Pas fitores së thellë të koalicionit të majtë, beratasit i kanë hedhur sytë nga qeveria e re që do të drejtohet nga Edi Rama. Problemet në këtë qytet janë të shumta, por më emergjentet janë ato të infrastrukturës, punësimit, përmbytjet e lumit Osum dhe rënia e gurëve nga shkëmbi masiv i kalasë. Në lidhje me këto kryetari i Njësisë Bashkiake Nr.2, Venetik Çela është shprehur për gazetën “Telegraf”, se, Bashkia e Beratit si gjithmonë ka përgatitur projektet për rregullimin e territorit të qytetit, por dhe një sërë projektesh për zbutjen e varfërisë në këtë qytet. “Projektet kanë shkuar në ministritë përkatëse dhe atje kanë ngecur pasi asnjë qindarkë nuk është dhënë nga qeveria në ikje. Ne jemi në prag të stinës së dimrit dhe nga situata e krijuar një vit më parë kur Berati u përmbyte nga ujërat e shtratit të lumit Osum nuk ishte aspak e mirë. Nga përmbytjet u shkaktuan dëme tek familjarët dhe bizneset. Bashkia ka kërkuar fonde për betonizim duke bërë prita të posaçme për të frenuar daljen e ujërave, por deri më sot nuk na është dhënë asnjë qindarkë. Kështu që, edhe këtë dimër jemi të rrezikuar, pasi shirat do të bëjnë punën e tyre. Qyteti do të përmbytet sërish. Por shpresat tona janë tek qeveria e re, e cila e ka në projekt investimin ne këtë sferë”, tha Çela. Por një problem i rëndësishëm është edhe në lagjen “Mangalem” dhe “Goricë”, të cilat janë nën presionin e shkëputjeve të gurëve. “E kemi theksuar edhe më parë në gazetë, se këto zona duhet t’i kalojnë një analizë gjeologjike, ku të përcaktohen dhe parametrat e saj, se deri në çfarë gjendje ka arritur rezistenca e saj, nga veprimet e faktorëve natyrore. Ne sytë dhe shpresat i kemi tek qeveria e koalicionit të Majtë, e cila duhet të investojë në këtë qytet”.