Berat, Kremtohet 5 Maji Dita e Dëshmorëve

571
Petrit Sinaj – Ftoj politikën qendrore e lokale të punojë për më shumë të drejta për gjithë qytetarët
Në Berat është kremtuar 5 Maji Dita e Dëshmorëve me një ceremoni në varrezat e dëshmorëve të atdheut. Ka qenë dita e përkujtimit të të rënëve në 

LANÇ, por edhe e reflektimit për idealet e të rënëve për lirinë e atdheut. Në varrezat e dëshmorëve të atdheut ishin të pranishëm veteranë, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, pasardhës të tyre , qytetarë etj. Ishin të pranishëm edhe përfaqësues të forcave politike, deputetë dhe drejtues të pushtetit vendor. Gjithashtu morën pjesë në këtë ceremoni edhe sekretari politik i LSI për qarkun e Beratit: Nasip Naço, deputeti Gledion Rehovica, përfaqësues të forumeve drejtuese të LSI etj. Nën marshet e bandës frymore të qytetit u bënë homazhe dhe u vendosën kurora pranë memorialit dhe varreve ku prehen të rënët.

Duke përshëndetur të pranishmit Kreu i bashkisë z. Petrit Sinaj e vuri theksin së pari tek idealet e dëshmorëve të atdheut duke rezervuar mirënjohje dhe respekt për të rënët.

Megjithëse kanë kaluar disa dekada ,- tha Sinaj,- ne si shoqëri vazhdojmë të përballemi me të njëjtat mungesa lirish , ndonëse përpiqemi çdo ditë që këto ti fitojmë. Ndaj kreu i bashkisë ka gjetur rastin të ftojë publikisht politikën qendrore e lokale të punojë çdo ditë për realizimin e këtyre të drejtave dhe lirive , madje, jo vetëm për të mirën e siglave të partive të tyre, por edhe për gjithë qytetarët. Madje Sinaj ka parë të materializuara në këtë sentencë edhe dëshirat dhe ëndrrat e dëshmorëve. Kreu i bashkisë ka ftuar që përtej politikës mediokre në këtë ditë të kthjellojmë mendjen për të siguruar këto të drejta për secilin prej nesh , por edhe për brezat që vijnë. Edhe sekretari politik i LSI, njëkohësisht kandidat për deputet në zgjedhjet politike z. Nasip Naço, në përshëndetjen e tij e cilësoi 5 Majin një ditë të shënuar. Gjaku i derdhur nga dëshmorët është ngritur në piedestal dhe sipas z. Naço që këtej nuk mund ta zbresë asnjë politikan apo kalemxhi.

Në fund të ceremonisë të pranishmit kaluan në heshtje pranë varreve ku prehen të rënët në shenjë mirënjohje dhe respekti ndaj tyre.
Sigal