Berat, Fondi Shqiptar i Zhvillimit rikonstrukton rrugët rurale

79

Kryetari i Këshillit të Qarkut Berat, z.Petrit Sinaj: “Aksi do të lidhë me qytetin 5400 banorë të 17 fshatrave”

Fillojnë punimet në segmentin rrugor Berat-Roshnik, me një investim prej 30 milionë lekësh të akorduara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ky aks do t’u vijë në ndihmë fermerëve të këtyre zonave, që dallohen për resurse të shumta në fushën e blegtorisë, atë të frutikulturës dhe vreshtarisë.

Situata

Kanë filluar punimet në segmentin rrugor Berat-Duhanas-Roshnik, një aks nga më të rëndësishmit në Qarkun e Beratit që i shërben dy komunave. Fondi prej 30 milionë lekësh, i akorduar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të mundësojë rikonstruksionin e plotë të këtij aksi, duke lidhur me qytetin 4200 banorë të 16 fshatrave të Komunës Roshnik dhe rreth 1200 banorët e fshatit Duhanas të Komunës Velabisht. Ky aks ka një gjatësi prej 12 km, gjerësi asfalti 4.75 m dhe gjerësi rruge së bashku me bankinat 5.75m. Lajmin e bënë të ditur për gazetën “Telegraf”, Kryetari i Këshillit të Qarkut Berat, z.Petrit Sinaj, i cili është shprehur se, ecuria e punimeve po vazhdon normalisht, nga ana e firmës ndërtuese, ku po punohet për heqjen e dherave dhe punimet e shtresave me çakull e zhavorr. “Deri tani punimet janë realizuar në masën 85 për qind”, tha kryetari i Këshillit të Qarkut të Beratit. Sinaj pohon se, në këtë aks rrugor po punohet edhe për realizimin e veprave të artit siç janë ura të vogla, mure mbajtëse dhe murepritëse. Ndërtimi i kësaj rruge- ka thënë Sinaj- “do t’u vijë në ndihmë fermerëve të këtyre zonave, që dallohen për resurse të shumta në fushën blegtorisë, atë të frutikulturës dhe vreshtarisë. Nëpërmjet rikonstruksionit të kësaj rruge, banorët e këtyre zonave do të kenë mundësi të transportojnë lehtësish produktet e tyre në tregjet e qytetit dhe më gjerë. Edhe vetë banorët e zonës ndihen entuziast për rikonstruktimin e rrugës, e cila për vitesh ishte bërë pengesë për zhvillimin e resurseve të tyre. Tanimë të gjithë ata fermerë që merren me tregti nuk do ta kenë të vështirë për të udhëtuar deri në tregjet javore të Beratit, të cilët janë një mundësi e mirë për tregtimin e produkteve të ndryshme të blegtorisë, vreshtarisë dhe frutikulturës që ata prodhojnë.