Berat, borxhet e bashkisë kufizojnë ndriçimin e qytetit

59

TREMBEN TURISTËT/ Errësira ‘nxin’ rrugët pas mesnate. Banorët e lagjeve muzeale kërkojnë zgjidhje urgjente

Borxhet që ka Bashkia e Beratit po rikthejnë errësirën në këtë qytet muze pas mesnate. Sipas burimeve, gjendja është e vështirë për t’u zgjidhur, por do të merren masa që të paktën lagjet muzeale të kenë energji elektrike, për shkak se janë edhe të tej mbushura me turistë.

Situata

Edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak u diskutua gjerësisht problemi i bllokimit të buxhetit nga Ministria e Financave për shkak të detyrimeve që i ka bashkia CEZ-it. Madje, në këtë mbledhje doli në pah edhe një borxh tjetër që kishte bashkia, ku përveç detyrimeve elektrike të Ujësjellësit kishte për të paguar edhe energjinë elektrike të harxhuar nga ndërmarrja e ndriçimit, ndërmarrje, e cila po shfaq probleme këto ditët e fundit. Në mbledhje u bë e ditur se Ndërmarrja e Ndriçimit ka 165 milionë lekë të vjetra të papaguara, kësaj i shtohen edhe 8.5 milionë lekë të vjetra nga borxhi i Ujësjellësit. Situata duket e rënduar dhe vështirësitë për të paguar detyrimet janë shtuar. Madje, errësira është edhe një treguese e keqe për turistët e shumtë që vizitojnë qytetin në UNESCO këtë fund shtatori.

Kufizimi

Burime nga bashkia bëjnë të ditur për gazetën “Telegraf” se kufizimi do të jetë i përkohshëm derisa të grumbullohen fondet e veçanta, të cilat më pas do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve ndaj CEZ-it. Këtë vështirësi e ka stimuluar më shumë bllokimi i fondit nga Ministria e Financave, e cila ka krijuar një anomali të madhe në këtë bashki. Bllokimi i këtij fondi ka bërë që dhe ndërmarrjet që janë në varësi të bashkisë të mos marrin rrogat mujore. Ndriçimi është i domosdoshëm në tre lagjet muzeale që janë “Mangalemi”, “Gorica” dhe “Kalaja”, të cilat nga vetë struktura e ndërtimit në faqen e shkëmbit masiv duhet me çdo kusht që të ketë ndriçim edhe gjatë natës. Madje, rrugicat e këtyre lagjeve janë në errësirë ditën dhe jo më natën. Kjo errësirë në rrugicat ka vështirësuar situatën në një kohë që këto lagje janë të tejmbushura me turistë të huajë. Ata janë të akomoduar në hotelet dhe familjet e këtyre lagjeve. Më të rrezikuara nga errësira janë rrugët e “Kalasë” dhe të “Goricës”, të cilat janë bërë të pakalueshme në orët e natës, nëse nuk ka energji elektrike, pasi rreziku mund të vijë ngado për shkak të formës së ndërtimit të tyre që janë të mbyllura dhe të ngushta. Sipas burimeve, bashkia do të marrë masa që të favorizojë më shumë këto tre lagje muzeale duke i dhënë një ndriçim maksimal dhe ka kufizuar ndriçimin në lagjet e tjera të qytetit.