Berat, bombolat e gazit tregtohen pa kolaudim dhe pa certifikim

588
Sigal

RREZIKSHMËRI E LARTË/ Në disa raste përdoren për mbushjen e tyre vetëm disa pompa dore ose pompa elektrike

Tregtimi i gazit të lëngshëm pranë qendrave të banuara vazhdon të jetë një problem shqetësues për qytetarët. Në disa lagje të qytetit të Beratit pranë pallateve, apo shtëpive të banimit ka pika që tregtojnë gaz pa asnjë masë sigurie. Kështu bombolat janë të vjetra dhe janë në numër të madh gjë që nuk lejohet për shkak të rrezikut të shtuar. Asnjë nga pikat e tregtimit nuk ka mjete të ndërhyrjes në rast të rënies së një zjarri. Vetë banorët shprehen se, këto pika përbëjnë një rrezik për jetën e tyre dhe të fëmijëve. Ata sugjerojnë edhe masat që duhet të merren për zgjidhjen e këtij problemi mjaft shqetësues. Sipas të dhënave janë shumë pika që tregtojnë bombola me gaz duke mos plotësuar kushtet e vendosura për këtë lloj produkti të domosdoshëm, por edhe mjaft të rrezikshëm.

Situata

Tregtimi i gazit në Qarkun e Beratit ka një rrezikshmëri shumë të lartë, pasi nuk zbatohen rregullat e sigurimit teknik dhe bombolat e gazit nuk janë të certifikuara dhe nuk kanë asnjë etiketë kolaudimi. Specialistët e repartit zjarrfikës, duke u nisur nga fakti që pjesa më e madhe e zjarreve në të gjithë Qarkun e Beratit kanë pasur si shkak kryesor energjisë elektrike dhe gazin, kanë ngritur shqetësimin se tregtimi, përdorimi dhe mbushja e bombolave të gazit përbën një rrezik serioz. Tragjedia e ndodhur nga shpërthimi i bombolave të gazit nuk kanë qenë të pakta. Specialistët e fushës shprehen se në këtë qytet duhet të intensifikohen kontrollet në të gjitha pikat (me shumicë e pakicë), ku tregtohet e mbushet gaz, sepse vetëm kështu mund të parandalohet rreziku. Nga kontrollet e ushtruara në të gjitha këto pika ka rezultuar se 18 prej tyre që bëjnë transaksion të gazit përbëjnë një rrezikshmëri shumë të lartë, ndërsa 6 të tjera tregtojnë gaz për makina pranë pikave të karburantit. Specialistët kanë pohuar për gazetën se një rrezikshmëri të lartë paraqesin edhe pikat, ku mbushen bombolat e gazit, ku në disa raste përdoren për mbushjen e tyre vetëm disa pompa dore ose pompa elektrike. PMNZSH e Qarkut Berat, ka pohuar se, pjesa më e madhe e bombolave që qarkullojnë në Berat janë shumë të vjetra, nuk kanë asnjë certifikatë nga IQT-ja dhe nuk kanë të shënuar afatin e kolaudimit të tyre, gjë që sjell edhe rrjedhjet e vazhdueshme të gazit me kalimin e kohës së përdorimit. Burimet e zjarrfikësve kanë bërë të ditur se janë vendosur 18 gjoba për subjektet e tregtimit e mbushjes së gazit, ku edhe janë gjetur shkelje, por nuk është në kompetencat e sektorit të PMNZSH-së bllokimi i këtyre pikave, të cilat janë licencuar dhe janë të pajisura me lejen e tregtimit të gazit nga ana e bashkisë së qytetit.