Berat, 800 invalidë, nuk festojnë Kurban Bajramin

474
Sigal

Prej dy muajsh nuk shpërndahet pensioni i invaliditetit. Së shpejti priten protestat para bashkisë

Rreth 800 invalidët e Beratit, ku përfshihen invalidët e punës, të verbërit, para dhe tetraplegjikët, kanë dy muaj pa marrë përkrahjen sociale, e cila jepet nga bashkia e qytetit. Invalidët e pyetur nga “Telegraf” thanë se, gjatë këtyre ditëve të fundit kanë shkuar çdo ditë parë zyrës, ku shpërndahet pensioni i tyre i invaliditetit me shpresën se mos i merrnim këto lek për të festuar të paktën festën e Kurban Bajramit, si gjithë të tjerët. Ata ende nuk e dinë se cili është shkaku që ka bllokuar shpërndarjen e lekëve të tyre. Madje këtë “neglizhencë” e kanë quajtur si një ndëshkim të dytë që po i bëhet kategorisë së tyre, sepse një dënim e kanë marr nga natyra, por këto që iu shtojnë njerëzit mund të quhen të tepërta për ta. Sipas të dhënave bëhet e ditur se invalidët e punës marrin 33 mijë lekë të vjetra nga bashkia si përkrahje, ndërsa të verbërit, marrin 80 mijë lekë të vjetra po nga bashkia, pasi kësaj kategorie shteti iu paguan edhe kujdestarin. Po aq marrin para dhe tetraplegjikët, të cilët janë në këtë kategori. Edi Spahiu, një invalid pune shprehet se “të gjithë sot (dje) festojnë Kurban Bajramin, ndërsa ne nuk kemi mundësi të gëzojmë, pasi na mungojnë të ardhurat financiare. Pse tallen pushtetarët, si ata dje dhe këta të sotmit, me shtresën tonë”. Por Edi Spahiu nuk ndalet me kaq, ai u dërgon edhe një mesazh qeveritarëve që drejtojnë qeverinë sot. “Zotërinj pushtetarë kur të hani drekën e Kurban Bajramit kujtoni edhe invalidët, të cilët nuk mund ta gëzojnë këtë ditë të bekuar, sepse nuk kanë marrë pensionin e invaliditetit. Dihen vuajtjet e kategorisë tonë, por gjatë këtyre viteve të fundit po na persekutojnë edhe njerëzit pushtetarë, të cilën dhe atë pak lëmoshë që na jep shteti nuk na e japin rregullisht”, u shpreh Spahiu. Më dhimbje ai vazhdon duke kujtuar fëmijët e tij. “Më kërkuan fëmijët që të festonim Kurban Bajramin, por unë nuk ju ktheva përgjigje, ula kokën e dola jashtë. Kam dal që të gjejë lek borxhe për t’u festuar fëmijëve këtë festë, e cila për ne është një nga festat që e festojmë njëlloj si Vitin e Ri”, tha ai. Burime nga invalidët, bëjnë të ditur për gazetën se së shpejti invalidët do të protestojnë para bashkisë për përkrahjen që nuk ju jepet në kohë nga pushtetarët. Ne nuk duamë t’ja dimë nëse ka arka e shtetit apo jo lekë. Shteti e ka të planifikuar buxhetin për invalidët që herët dhe askush, për asnjë arsye nuk duhet ta cenoj atë”, thanë invalidët e irrituar në ditën e Kurban Bajramit.