Berat, 80 për qind e tregtarëve shkelin ligjin

79

SHERRET/ Shitësit nuk vendosin etiketën që tregon çmimin e produktit. Revoltohen konsumatorët hallexhinj

 Janë bërë të përditshme sherret midis tregtarëve dhe blerësve në tregjet e fruta perimeve në qytetin e Beratit. Shkaku më kryesor ndër të shumtit është mosvendosja e etiketave të çmimeve që shoqëron mallin që është nxjerr në shitjet. Sherri acarohet, sepse jo të gjithë qytetarët e kanë mundësinë e blerjes së produkteve, kështu që, gjithsecili kur shkon në treg në bazë të çmimeve që shikon të vendosura mbi produkt bënë edhe ndarjen se çfarë do të blejë. Por kjo mënyrë selektive nga ana e konsumatorit po bëhet e ndaluar nga ana e tregtarëve, të cilët këtë mosvendosje të çmimeve po e përdorin si asin në mëngë’ për të shitur mallin e tyre.

Situata

Shumica e tregtarëve për interesa përfituese ndaj klientëve nuk preferojnë të vendosin etiketat e mallrave të tyre. Kjo për arsye që klientët të blejnë mallin pa ditur sesa kushton një kile domate, p.sh, por kur ka ardhur puna tek peshimi ka plasur sherri, sepse çmimet e larta nuk janë të mirëpritura për të gjithë. Blerësit, vitet e fundit janë bërë selektivë. Ata nëse nuk bien dakord me çmimin që vendosi tregtari largohen pa blerë, pasi nuk kanë leverdi për t’i marrë ato, duke qenë se po jetojmë në kushte të vështira ekonomike. Tregtarët nuk e vendosin çmimin, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të futur në ‘gracë’ konsumatorin, pasi jo të gjithë ata që fusin frutat apo perimet nëpër qeska do t’i heqin sapo të marrin veshë çmimin. Ndonjë edhe do e marri. Debate të tilla nëpër tregjet e Beratit dëgjon përditë, sepse konsumatori dëshiron të njihet fillimisht me çmimin e domateve, specave, trangujve, patateve etj., dhe më pas t’i blejnë ato. Këto veprime janë cilësuar nga konsumatorët si korruptim dhe të djallëzuara për të përfituar mbi kurrizin e njerëzve, të cilët mundohen të nxjerrin muajin pa borxhe. Në shumë dyqane që tregtojnë zarzavate 80 për qind e tyre nuk kanë shoqëruar mallrat me etiketa sipas ligjit .Por tregtarët duke parë braktisjen që kanë bërë blerësit, për efekt të rënies ekonomike, kanë vepruar duke mos vendosur etiketa çmimesh. Në një nga tregjet e zarzavateve në qytetin e Beratit, shumë tregtarë nuk kishin vendosur etiketat e çmimit, blerësit pa ditur çmimet kanë rendur duke blerë. Kur më pas janë njohur, një pjesë e tyre në shenjë hakmarrjeje kanë hedhur mallrat që kanë blerë në tokë dhe janë larguar të dëshpëruar, ndaj këtyre veprimeve, që kanë bërë tregtarët e pa ngopur. Shefqet Dine, 60 vjeç, banor në lagjen “Çlirimi” është shprehur për gazetën se, “këta nuk janë tregtarë, por ‘vampirë’, që kërkojnë të na rrjepin, për së gjalli. Ata nuk vendosin etiketat e çmimeve mallrave të vitrinës për të na mashtruar ne, duke mos na njohur me çmimet. Kjo është dhe puna e dobët e Drejtorisë së Tatimeve lokale, të cilët nuk kryejnë kontrolle, duke parandaluar veprime të tilla. Madje, ata tregtarë që nuk binden, të ndëshkohen me gjoba sipas ligjit”, ka thënë Dine. Ky fenomen, nuk është vetëm tek tregtarët e zarzavateve, por dhe tek dyqanet e tjera si ato bulmetore, ku shitësit nuk vendosin etiketat e çmimeve sidomos tek djathi, por përgjigjen e çmimit e merr me gojë, nga shitësi pasi ke marrë mallin.