Beqaj: Pushteti që del nga 21 Qershori, kompetenca më të gjera për shërbimin shëndetësor

494
Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj inspektoi sot punimet që po kryhen për rikonstruksionin e Qendrës Shëndetësore të Specialiteteve Nr. 1 në Tiranë, një investim i Qeverisë shqiptare me vlerë 630 mijë dollarë. “Vetëm në javët e fundit, ne kemi vënë në punë me pajisje moderne dy Poliklinikat e tjera të Specialiteteve në Tiranë dhe besoj se dhe ky investim, që është pjesë e kantierit të hapur të shëndetësisë, është demonstrim se ne jemi në drejtimin e duhur për të përmirësuar ndjeshëm edhe kujdesin shëndetësor parësor edhe në qytetin e Tiranës”, tha Beqaj.
Beqaj renditi një sërë nismash të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë, që sipas tij, shprehin vullnetin e Qeverisë për të ofruar shërbim shëndetësor sa më cilësor dhe sa më pranë qytetarëve. “Nismat tona në Shërbimin Parësor janë konkrete, duke filluar nga Programi i Kontrollit Shëndetësor Bazë pa Pagesë për popullatën 40-65 vjeç. Ka një zgjerim të ndjeshëm të Listës së Barnave të Rimbursueshme; ka një qasje të re të shërbimit të mjekut të familjes me zëvendësimin e një kohe të madhe burokratike me elementë inovativë, që janë zëvendësimi i librezës me kartën e shëndetit, kalimi nga receta një në dy mujore për të sëmurët kronikë.
Gjatë fjalës së tij, Beqaj e vuri theksin edhe në zgjerimin e kompetencave të pushtetit vendor përsa i takon funksionimit të shërbimit shëndetësor në territor. “Tirana është tashmë qytet shumë i madh dhe Bashkia e re ka një territor akoma më të madh, ndaj dhe pushteti që del nga zgjedhjet e 21 Qershorit, do të ketë kompetenca më të gjera edhe sa i takon shërbimit shëndetësor, sidomos lidhur me vendndodhjen në territor dhe me funksionimin e Qendrave të ndryshme shëndetësore në territor, me orare më fleksibël, sipas stinëve të vitit apo epidemiologjive të caktuara”, tha Beqaj.
Sigal