Beogradi tërheq personelin e ambasadës në Maqedoni

542
Beogradi thërriti papritur për bisedime urgjente të gjithë personelin e ambasadës serbe në Maqedoni për shkak të veprimtarive shumë ofensive kundër Serbisë, njoftoi presidenti Aleksandër Vuçiç. Ministria maqedonase e Punëve të Jashtme theksoi se ishte informuar nga ambasada serbe për këtë vendim dhe siguroi se nuk ishte në dijeni të shkaqeve të këtij xhesti që rrezikon të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve të Ballkanit. “Shërbimi sekret serb u ka dhënë autoriteteve mjaftueshëm prova për aktivitetet e fshehta shumë ofensive kundër disa organeve dhe institucioneve të Serbisë”, deklaroi për shtypin Vuçiç, pa dhënë shumë detaje. “Personeli i ambasadës duhet të jetë i përgatitur për të funksionuar në një mjedis ndryshe nga ai që ne nuk e njihnim disa muaj më parë (…) dhe të mbrojë miqësinë mes serbëve dhe maqedonasve”, theksoi Vuçiç. Ai njoftoi gjithashtu ndryshime të mundshme në personel.

“Një pjesë e punonjësve të ambasadës do të rikthehet në Shkup që prej javës së ardhshme”, theksoi ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç. Sipas medies maqedonase, Beogradi veproi për shkak të reagimit për vendimin e dyshuar të qeverisë maqedonase për të mbështetur anëtarësimin në UNESCO të Kosovës, që shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe që Serbia refuzon ta njohë. Presidenti serb ka mbetur i paqartë për mbështetjen e mundshme nga Maqedonia për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe është shprehur se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Maqedonisë duhet të mbështeten në një respekt të përbashkët. “Për sa i përket votimit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, qeveria e Maqedonisë do të marrë parasysh qëndrimin e pjesës më të madhe të vendeve të BE-së”, theksoi kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.
Sigal