Belshi, me autoambulancë të ardhur nga Kina në 1970

1012
Mbi 38 mijë banorët e zonës së Belshit, prej vitesh kanë mbetur pa shërbimin shëndetësor. Qendra shëndetësore, e cila është ndërtuar në vitin 1970, është aty bashkë me autoambulancën, e cila edhe ajo i përket vitit 1970, ardhur asokohe nga Kina, me pajisje dhe gjithçka që i duhet një mjeku dhe infermieri. Por tashmë pas afro 46 vitesh, gjithçka duket sikur ka mbetur në vitin 1970, me ato krevate të ndryshkur, me ato dyer dhe dritare druri të kalbura, me ato dollapë që janë mbuluar nga lagështira dhe merimangat, ku mbaheshin dikur ilaçet dhe pajisjet mjekësore, por edhe pa mjekët dhe infermierët që natyrshëm i duhen një qendre të tillë. 

Edhe pajisjet diagnostikuese si radiografia dhe radioskopia i përkasin vitit 1970 dhe më tepër po kalben dhe po rrezikojnë pothuajse çdo ditë jetën e atyre pak mjekëve dhe infermiereve që bëjnë sikur vizitojnë dhe sikur mjekojnë ndonjë të sëmurë. Tek i pyet mjekët dhe ndonjë infermiere të përgjigjen të frikësuar se “ju e shikoni vetë situatën, sikur të ishim në Siri dhe jo në Belshin që gjendet larg Tiranës vetëm 1 orë e 15 minuta, gjithçka duket sikur jeton akoma në vitin e largët 1970, dhe asnjeri nuk flet sepse ikën nga puna”. Në dhjetor 2015 nga kjo qendër shëndetësore u kërkua pranë Ministrisë së Shëndetësisë një autoambulancë e re, ose ndonjë e tillë e cila të ishte punuar dhe përdorur nga rrethet e tjera, dhe përgjigja e zotit Beqja ishte “riparojeni me lekët tuaja, nuk kemi mjete, sillni faturat t’ju paguajmë”. Por ministri harron se autoambulanca e cila është prodhim i “Made in China” i përket vitit 1970 dhe në Shqipëri aktualisht nuk gjendet qoftë edhe një pjesë të vetme ndërrimi për t’i bërë asaj servisin. Po ashtu ministri harron se ajo autoambulancë e ndryshkur nga jashtë dhe e kalbur nga brenda, nuk ka asnjë sedilje dhe asnjë pajisje të vetme mjekësore e cila do të mund ti shërbente mjekut dhe pacientit, në një kohë që mungesa të tilla kanë edhe spitalet e rretheve si Elbasani, dhe jo pastaj Belshi. Trokitjet e lehta dhe të forta të shefave dhe përgjegjësve të asaj qendre shëndetësore në vite, duket se nuk i ka dëgjuar asnjeri nga ish-ministrat dhe për pasojë nuk po i dëgjon edhe ky që sot është ministër i Shëndetësisë. 

Pothuajse të gjitha lindjet, urgjencat, sëmundjet e rënda dhe të lehta, dërgohen nga vetë banorët në Elbasan ose Tiranë. Banorët shprehen se “ky skandal që po na merr jetën ka vite që na shoqëron, si ka mundësi që qeveria nuk paska mundësi të na sjellë këtu në Belsh një autoambulancë të re, kur për vete blejnë makina të shtrenjta çdo vit? Si ka mundësi që ministri Beqja del dhe thotë në media se, kemi pajisur qendrat shëndetësore dhe spitalet me pajisje dhe aparatura, kur ne këtu në Belsh kemi akoma pajisjet e vitit 1970, ndërkohë që kryeministrit Rama i themi të mos na shkelë për të na ndarë lejet e legalizimeve sepse më shumë nevojë kemi për kujdesin shëndetësor, se për fletushkat e tij”. Vetëm për vitin 2015 në Belsh ka patur 317 lindje të reja, të cilat janë kryer jo nga mjekët dhe mamia e qendrës shëndetësore atje, por nga Materniteti i Elbasanit, apo edhe i Gramshit. Banorët e Belshit apelojnë për ndryshimin e situatës ndryshe, ndëshkimin dhe përgjigjen e tyre ata do ta japin me vote në 2017, kurse mjekët për pajisjen e qendrës shëndetësore me aparaturat e nevojshme dhe investimet e pritshme, sepse mungesa e tyre po rrezikon seriozisht jetë njerëzish.
Sigal