Bektashinjtë përkujtojnë 98-vjetorin e Kongresit të Parë Bektashian të Prishtës

657
Sigal

Kujtim Boriçi

Syrja Xhelaj

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, i dorëzoi Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dekoratën “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) për Sali Niazi Dedein

Ashtu siç ishte paralajmëruar, dita e djeshme shënoi dy ngjarje të rëndësishme për miliona bektashinj në gjithë botën: Përkujtimin me madhështi e krenari të 98-vjetorit të Kongresit të Parë Bektashian të Prishtës dhe dekorimin me medaljen “Nderi i Kombit” (Pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës i ish-Kryegjyshit Botëror Bektashian, Sali Niazi Dedei. Këtë ngjarje të rëndësishme, mes pjesëmarrësve të shumtë, në Selinë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, e përshëndeti dhe Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, i pranishëm në këtë eveniment, i cili gjithashtu i dorëzoi dekoratën Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj. Në ceremoninë e zhvilluar dje ishin të pranishëm dhe Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, përfaqësues të besimeve të tjerë në vendin tonë, klerikë të ardhur nga Kosova, Maqedonia, deputetë, funksionarë të lartë shtetëror dhe besimtarë të shumtë bektashianë.

Pas Himnit Kombëtar, Kryegjyshi Botëror Bektashain, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, përshëndeti të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe mbajti përshëndetjen e rastit. Ndër të tjera Kryegjyshi Bektashian pohoi: “Së pari, në emrin e miliona besimtarëve anekënd botës, si edhe tuaj, të pranishmëve në këtë takim, më lejoni të falënderoj posaçërisht Presidentin e Republikës, Shkëlqesinë e Tij, Ilir Meta, i cili na është gjendur pranë në çdo hap tonin, duke na frymëzuar me fjalën e urtë dhe të ngrohtë, duke na mbështetur në udhëtimin tonë historik si Qendër Botërore Bektashiane. Faleminderit Shkëlqesi President dhe paçi këmbën e mbarë në Selinë tonë të Shenjtë edhe për këtë vit! Data e sotme është shumë e rëndësishme, jo vetëm për ne në këtë sallë, por të gjithë shqiptarët kudo që janë, brenda apo jashtë trojeve tanë, pasi mbyll vitin jubilar të përkujtimit të heroit dhe krenarisë sonë kombëtare, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Një vit i mbushur me evente vlerësues të këtij kalorësi të lirisë, nga Janina deri në Australinë e largët, dëshmoi se shqiptarët janë dhe do të mbeten të vetëdijshëm, se, pavarësisht situatave të vështira dhe plot rrebeshe që kemi kaluar dhe kalojmë, raca jonë i falet Zotit, lirisë dhe fateve të atdheut. Data e sotme mbetet po aq e dashur sidomos për ne bektashinjtë. Më 17 janarin e vitit të largët 1921, në teqenë historike të Prishtës, në praninë e klerikëve më të shquar bektashianë të krejt trevave shqiptare, mbylli punimet e veta, kuvendi i parë i yni, u sendërtua modeli i parë i një bashkëbisedimi dhe bashkëpunimi institucional, bazuar në kodet tona identitare. Në mënyrë të veçantë kur në Turqi dhe krejt viset Aziatike, tarikati bektashian po gjendej nën zemërimin e verbër dhe dënimin kapital të pakuptimtë, Kongresi i Parë Bektashian, në prehër të maleve të Prishtës, ishte jo vetëm një zjarr i ndezur shprese, por edhe gurë i rëndë themeli në godinën madhështore bektashiane… Nga lartësia e 98 viteve të shkuar, ne kujtojmë sot me ndjenjat e respektit më të thellë krejt ata klerikë, shtetarë, intelektualë, myhiban dhe dashamirës të tarikatit bektashian, të cilët me devotshmërinë dhe përulësinë e tyre fisnike, vendosën piketat e para nga do të ecte tarikati ynë, duke shmangur mëritë dhe keqinterpretimet otomane, për t’u mbështetur fort në identitetin dhe frymën tonë kombëtare. Emra të tillë si: Gjysh Ahmet Turani, gjysh Sulejman Gjirokastra, Ahmet baba Elbasani, Xhemal baba Përmeti, Mustafa baba Frashëri, Kamber Prishta, baba Ali Tomorri dhe baba Hajdar Qencka, të cilët paskëtaj formuan “Këshillin Atnor”, i bëjnë nder jo vetëm besimit bektashian të fillim-shekullit të 20-të, por sot e kësaj dite kanë hyrë me plot vëmendje në historinë botërore bektashiane. Data e sotme, ndërkaq zbukurohet edhe me një lajm të gëzuar. Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij, Ilir Meta është sot i pranishëm për të lartësuar veprën e pavdekshme të Sali Njazi Dedesë, e këtij kleriku të shkëlqyer, e këtij burri atdhetar, e këtij udhërrëfyesi me frymën e të cilit, patën fatin e madh të rriteshin një brez i tërë klerikësh jo vetëm në trevat shqiptare, por edhe në teqetë që shërbyen plot dinjitet e përkushtim në Kosovë, Maqedoninë Veriore, Greqi, Bullgari etj… Koncepti i qartë i atdhetarisë, rrezatuar në ardhjen në Shqipëri, harmonia me të cilën ai e zhvendosi Qendrën Botërore Bektashiane në Tiranë, si dhe modeli i vijimit të traditave më të vyera qysh nga koha e Haxhi Bektash Veliut, janë shembujt më kuptimplotë prej të cilëve, ne përulemi me respektin e thellë para Sali Niazi Dedeit. Me jetën, me veprën, por edhe me kalimin e tij nga kjo botë, Sali Niazi Dedei, rrëfeu se ishte në nivelin e përgjegjësive që i jepte vetë historia jonë kombëtare dhe shpirtërore.”

Në vazhdim, Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, i dorëzoi dekoratën për klerikun Sali Niazi Dedei, Kryegjyshit Dede Edmond Brahimi, duke vazhduar pas me përshëndetjen e tij. Ndër të tjera, Presidenti Meta theksoi: “Sapo lamë pas Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, përkujtimi dhe nderimi për të cilin do të ngelet i përjetshëm!… 17 Janari i vitit 1921 koincidon gjithashtu me finalizimin e Kongresit të Parë Kombëtar të bektashinjve shqiptarë, i mbajtur në Teqen e Prishtës, në Skrapar. Këtë tubim historik e kujtojmë për vendimet e tij shumë të rëndësishme në reformimin e bashkësisë bektashiane dhe konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Aty u shpall pavarësia e bektashizmit në Shqipëri dhe u formua ‘Lidhja Bektashiane Shqiptare’. Kongresi i parë i bektashinjve i dha pavarësinë një prej strukturave shpirtërore më të rëndësishme të kombit shqiptar. Më 17 janar 1921 u vendos për herë të parë përdorimi i gjuhës shqipe në ushtrimin e shërbesave fetare. Atdhetarët shqiptarë, e realizuan bashkimin kombëtar duke u mbështetur mbi identitetin e tyre etnik, origjinën, gjuhën si dhe vlerat e përbashkëta etnokulturore. Ky akt i Firmëtarëve të Pavarësisë u bë lajtmotivi i bashkimit kombëtar dhe i harmonisë tonë fetare. Bektashizmi, si pjesë e bashkësive tona fetare u fali shqiptarëve mirësi, solidaritet e atdhedashuri. Ai u ofroi paqe dhe bashkëpunim vëllezërve shqiptarë të besimeve të tjera. Raporti që ky besim krijoi me interesat e shqiptarëve, etnokulturën e tyre dhe iluministët e kombit, e shndërruan Shqipërinë gradualisht në atdheun mëmë të bektashizmit. Ne jemi krenarë që në vitin 1930, Selia e Botërore e Bektashizmit u vendos Tiranë, ndaj vlerësojmë faktin që në krye të saj u vendos kolonjari i nderuar, Shenjtëria e tij Niazi Salih Dede, ish-Kryegjyshi i Teqesë së famshme të Haxhi Bektashit. Kemi ardhur në Kryegjyshatën Botërore, pikërisht aty ku i nderuari Niazi Salih Dede hodhi themelet dhe lartësoi faltoren e shenjtë në nivel përfaqësimi botëror. Gjatë Rilindjes Kombëtare, i madhi Naim Frashëri do të këshillonte bashkëkombësit bektashianë se : ‘Ata duhet të kryesojnë me fjalë të shenjta luftën e lirisë së shqiptarëve dhe të mos kursehen nga vdekja për atdhe.’ Niazi Salih Dede është ndër shembujt e ndritur se si për atdhe, nën magjinë e bektashizmit lindën dhe u flijuan patriotë e burra të shquar mëmëdhetarë.

Sot ne së bashku po nderojmë një dëshmor të atdheut dhe klerik të shquar bektashian.

Një patriot i cili i tha ‘Jo’ pushtimit fashist, dhe për të cilin si gjithë bektashinjtë Shqipëria ngelet mbi gjithçka! Njiazi Salih Dede ka zënë tashmë një vend të rëndësishëm në panteonin e pafund të gjithë klerikëve atdhetarë që nuk kursyen edhe jetën për devizën “ Pa atdhe nuk ka fe”.

Për sa më sipër kam kënaqësinë të vlerësoj krenarinë e bektashizmit dhe dëshmorin e atdheut, Niazi Salih Dede me titullin e lartë ‘Nderi Kombit’

Pas ceremonisë, pjesëmarrësit kaluan një ditë të ngjeshur me aktivitete, ku me shumë interes u ndoq ekspozita kushtuar rrugës së besimit bektashian, dhe jetës e aktivitetit të Sali Niazi Dedeit. Po ashtu, grupi lab “Bënça” i Tepelenës, nën drejtimin e mjeshtrit Golik Jaupi, përshëndeti të pranishmit me këngë atdhetare e bektashiane, duke ia shtuar më tej bukurinë këtij evenimenti.