BE nxjerr bilancin pas termetit: 1850 ndërtesa në gjendje kritike

496
Sigal

Bashkimi Evropian po ndihmon autoritetet shqiptare të vlerësojnë ndërtesat e dëmtuara pas tërmetit dhe shpall konferencën e donatorëve.

Inxhinierë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, me mbështetjen e Ekipit të Mbrojtjes Civile të BE-së, kanë vlerësuar 1.850 ndërtesa që janë identifikuar si kritike nga autoritetet shqiptare në 10 bashki të prekura.

Vlerësimi u përqendrua në përcaktimin e qëndrueshmërisë strukturore të ndërtesave dhe të kuptuarit e shkallës së dëmtimit, në mënyrë që të planifikohet faza e rikuperimit.

Ndërsa inxhinierët shqiptarë po i udhëheqin këto vlerësime, ekspertët ndërkombëtarë vazhdojnë të ndajnë njohuritë e tyre dhe të ndihmojnë aty ku është e nevojshme, deri në përfundimin e misionit të tyre.

Duke vizituar ekipet në terren, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca tha: ‘Inxhinierët  ndërkombëtarë dhe ata shqiptarë po punojnë ngushtësit së bashku në zonat e prekura.

Ka një angazhim mbresëlënës nga të gjithë inxhinierët në terren për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti. Inxhinierët ndërkombëtarë gjithashtu po trajnojnë intensivisht kolegët shqiptarë, duke u dhënë ekspertizën teknike përpara largimit të tyre.’

Udhëheqësit e BE-së diskutuan për situatën në Shqipëri: ‘Bashkimi Evropian është në solidaritet me Shqipërinë pas tërmetit të fundit. Këshilli Evropian mirëpret njoftimin e Komisionit për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të organizuar një konferencë donatorësh.’

Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, tha: ‘Ishte shumë mirë që ramë dakord të zhvillonim një konferencë donatorësh për Shqipërinë në Tiranë para fundit të janarit. Ishte shumë inkurajuese të shikoje menjëherë mbështetjen e të gjitha shteteve anëtare për të qenë krah njerëzve në Shqipëri, kryesisht edhe për të përgatitur rindërtimin në rajonin ku do të jetë e nevojshme. Do të ketë një periudhë të gjatë rindërtimi që do të jetë e nevojshme.’

Pas tërmetit me magnitudë 6.4, që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare dërguan menjëherë ekipe kërkim-shpëtimi, si dhe ndihma materiale.

Pas fazës së kërkim-shpëtimit, BE-ja ndihmoi për mobilizimin e inxhinierëve strukturorë nga Italia, Greqia, Kroacia, Qiproja dhe Franca për të vlerësuar dëmet. Vlerësimi i dëmit është bërë nga inxhinierë shqiptarë së bashku me 75 inxhinierë të huaj strukturorë, të cilët po punojnë ngushtësisht në ekipe të përbashkëta. Ekipi i Mbrojtjes Civile të BE-së do të mbetet në dispozicion për të ofruar mbështetje për inxhinierët shqiptarë deri në largimin e tyre të planifikuar në 20 dhjetor 2019.

Komisioneri i BE-së për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenar?i?, mbajti vizitën e tij të parë në terren si Koordinator i Evropës për Reagimin ndaj Emergjencave në Shqipëri në 5 dhjetor, një ditë pasi Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se BE-ja do ta mbështesë popullin shqiptar me 15 milion € pas tërmetit shkatërrimtar.

BE-ja ka ndarë gjithashtu 300.000 € në fonde të menjëhershme të emergjencës për t’u siguruar njerëzve të prekur strehim, ushqim dhe mbështetje psiko-sociale.

Pas një kërkese nga autoritetet shqiptare, një vlerësim i nevojave pas katastrofës (PDNA) është duke u përgatitur nga Bashkimi Evropian, Banka Botërore dhe Kombet e Bashkuara.