“Baticat” dhe “zbaticat” e krizave dhe pazareve, prej 30 vitesh kanë “mbytur” ndërtimin e HEC-it të Skavicës

1257
HEC i Skavicës është vepra më e rëndësishme hidroenergjetike në Shqipëri. Është ideuar që në vitet ’80, nga qeveria e atëhershme shqiptare, me synimin për të stabilizuar kaskadën e lumit Drin dhe për të evituar përmbytjet në zonën e Shkodrës. Projekti fillestar është bërë në vitet ’80, ku punuan dhjetëra inxhinierë e specialistë, gjeologë, hidroteknikë etj. Ky projekt, llogariste një digë 220 metra të lartë dhe një liqen 105 km2 me një shtrirje edhe 300 hektarë në Maqedoni, me një rezervuar në total prej 6.7 miliardë metër kub ujë. Pra, mbi dyfish i Fierzës. 
Nisja dhe miratimi i projektit të HEC-Skavicës
Për arsyes të krizës ekonomike dhe të vështirësive të qeverisë së atëhershme ky projekt nuk u realizua, megjithëse ishte theksuar se ishte “projekt prioritar”. Pas viteve ’90, përpjekjet e para për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës janë bërë nga grupi italian TGK (Tassara, Girola dhe Kinglor), të cilët përfaqësonin kompani elitare, të fuqishme, veçanërisht “Tassara Group” e cila kontrollonte Kompaninë “Edison” dhe ishte aksionere kryesore në “Intesa San Paolo” dhe në Kompaninë “Siguracioni Generali”, që ishte kompania më e madhe italiane. Projekti italian ndryshoi paksa nga projekti i mëparshëm, për arsye se inxhinierët italianë sipas llogaritjeve që bënë, menduan se një digë aq e lartë dhe me shtrirje deri në brendësi të Maqedonisë, kishte shumë probleme për të zgjidhur, jo vetëm teknike, por dhe probleme të kufirit. Gjithashtu, investimi ishte shumë i lartë dhe nuk e justifikonte fizibilitetin në kushtet e reja. Grupi italian “TGK” e përgatiti projektin për një periudhë 3-vjeçare, madje e vazhdoi edhe në vitet e mëparshme. Por, projektin paraprak e përgatiti mbi një digë 176 metra të lartë, me një rezervuar prej 2.8 miliardë m3 ujë dhe me një sipërfaqe 69 km2. Ky projekt, i cili u rishikua disa herë dhe u konsultua me specialistët shqiptarë, të cilët kishin punuar në ndërtimin e hidrocentraleve të mëparshme, më së fundi iu paraqit qeverisë shqiptare. Pasi kaloi konsulencat dhe oponencat paraprake, projekti përfundoi me paraqitjen në qeveri dhe në miratim të plotë nga qeveria shqiptare në fund të muajit prillit 2005. Me ndryshimin e qeverisë, ashtu siç ndodh gjithmonë në Shqipëri, qeveria “Berisha” e sapo ardhur në pushtet, rifilloi vlerësimin e projektit dhe në bashkëpunim me Bankën Botërore, vendosi që çdo projekt i ardhshëm, të kalonte nëpërmjet një procesi tenderimi dhe gare midis kompanive të ndryshme të interesuara. Meqenëse grupi italian “TGK”, kishte një ofertë të pa kërkuar, iu dha një bonus prej 10%. Po çfarë ndodhi?
Zvarritja e punimeve dhe gara e gjigandëve që lakmuan ndërtimin e Skavicës….
Zvarritjet për miratimin e fillimit të punimeve nga grupi italian “TGK”, bëri që “Tassara” të largohej nga ky grup dhe në vend të grupit “Tassara”, hyri grupi shumëkombësh, me bazë në Zvicër me emrin “Re Power”, ku bënin pjesë “EGL”, “ATEL” dhe qeveria zvicerane. Në vitin 2007, u bë gara para-kualifikuese ku morën pjesë kompani të fuqishme botërore, ku mund të përmendet “RËE-ja” e Gjermanisë, një nga 5 kompanitë më të fuqishme energjetike botërore në atë kohë, “KEPCO” e Koresë së Jugut, e cila kontrollonte shumicën e prodhimit, prej rreth 500 miliardë kilovatorë të energjisë elektrike në Korenë e Jugut. “Grupi Stat Kraft”, “Verbundi” i Austrisë dhe “TGK-ja” dhe grupi italian, pra të gjitha këto kompani, u kualifikuan dhe u vendos që në një periudhë të mëvonshme, qeveria të vendoste se cila nga kompanitë do të fitonte garën. Por, në vitin 2008 shpërtheu kriza botërore dhe Banka Perëndimore, nuk ishte e gatshme të financonte një projekt të përmasave të tilla, që shkonte 500 deri në 550 milionë euro. Në këto kushte, shumica e kompanive u tërhoqën, ndërsa “Stat Kraf” dhe “TGK” mbetën. “Stat Kraft-i” u bashkua me grupin “NVN” për ndërtimin e digës së devollit dhe e humbi interesin për të vazhduar garën me Skavicën. Grupi “TGK”, në kushtet e reja kur shpërtheu kriza dhe ra prodhimi i energjisë dhe Italia e uli kërkesën për importin e energjisë, nuk ishte e gatshme të vazhdonte garën për të ndërtuar këtë projekt. Megjithëse në atë kohë, qeveria e atëhershme, shprehu simpati për projektin e grupit “TGK”. Duhet thënë, që në atë kohë, para se të bëhej tenderi para-kualifikues, me ndërhyrjen e Bankës Botërore, grupi francez “Sogrea” (një grup francez projektues dhe studiues i projekteve energjetike) bëri studimin e Drinit të Zi dhe lumit të Vjosës, sipas të cilit doli me opinionin shklencor-ekonomik e mjedisor, se mbase mund të bëheshin 3 diga në Skavicë. Grupi “Sogrea” e kishte këtë ide, mbështetur në interesa biznesi, fizibiliteti dhe jo në interesat e vendit, për arsye se, duke krijuar HEC-e të vegjël dhe jo një të fuqishëm në Skavicë, humbiste interesi për Skavicën, mbasi Skavica, para së gjithash ndërtohej jo si hidrocentral, por si një rezervë gjigande uji për stabilizimin, rritjen dhe kontrollimin e prodhimit në kaskadën e Drinit. Megjithatë, u bënë disa studime nga kompani të ndryshme, për të kaluar projektin e “Sogrea”, por ai nuk gjeti mbështetje të gjerë. Madje edhe një pjesë e specialistëve shqiptarë, nuk e mbështetën. Përfundimisht, me largimin e qeverisë “Berisha” nga pushteti në vitin 2013, nuk pati përpjekje për të investuar në këtë drejtim. Kishte interes nga disa kompani perëndimore dhe kineze, por që nuk binin dakord me termat e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës, i cili është shumë i kushtueshëm dhe është më i rëndësishëm, të ndërtohet nga shteti shqiptar, sesa nga kompanitë e huaja, për arsye se është i lidhur me kaskadën e Drinit dhe është një hidrocentral që vendos mbi prodhimin e HEC-eve të tjerë. Njëkohësisht, në këtë humbje interesi nga kompanitë e huaja ishte fakti se, Italia si importuesi kryesor, që në perspektiv të energjisë shqiptare e uli në nivele minimale importin e energjisë nga 50-60 miliardë kilovatorë që importonte në vit, në 4-5 miliardë kë/h në vit. Pra, nuk kishte ndonjë interes të madh, sidomos për ndërtimin e linjës nga Shqipëria, veçanërisht pas marrëveshjes me Malin e Zi, për ndërtimin e linjës së transmetimit nga Mali i Zi. Hidrocentrali i Skavicës, ka kuptim vetëm po të bëhet në digën e Skavicës dhe të ketë përmasat e një liqeni, të një rezervuari të madh, që të stabilizojë kaskadën dhe njëkohësisht, të shpëtojë fushën e Shkodrës nga inondimet, duke mënjanuar hapjen e portave në Vaun e Dejës dhe të Komanit. Por njëkohësisht, hidrocentrali i Skavicës ka kuptim, vetëm duke qenë në nivelet e projekteve të njohura të qeverisë shqiptare, apo qoftë të grupit italian, ose të disa kompanive të tjera që kishin projekte të përafërta, kuptim që duhet vlerësuar edhe në drejtim të prodhimit të energjisë elektrike. Nëqoftëse, p.sh, prodhimi i energjisë elektrike nga grupi italian “TGK” shkon 1.1 miliardë plus 300 milionë që i shton kaskadës, prodhimi i HEC-eve më të vegjël, sidomos i projektit me 2 ose 3 HEC-e, lëviz nga 600-800 kë/h dhe nuk shton asnjë kilovat në kaskadën e Drinit. Pra, nuk shton kapacitete në Fierzë, Koman apo në Vaun e Dejës. Në këtë drejtim, përpjekja për të “minuar” Skavicën, duke ndërtuar HEC-e të vegjël, krijon një problem të madh kombëtar, ku çdo qeveri duhet ta shikojë me shumë përgjegjësi, sepse kjo shkakton një dëm ekonomik të pallogaritshëm dhe të pariparueshëm në vend. 
Sigal