Bashkurti: Shërbimi diplomatik në traumë, Cakaj po merret me çështje teknike

527
Sigal

Ish-ambasadori, Lisien Bashkurti, mendon që Ministri i Jashtëm në detyrë po merret me çështje teknike dhe nuk po angazhohet për politikën e Ministrisë së Jashtme. Në lidhje me lëvizjet në shërbimin diplomatik, Bashkurti e sheh si një situatë jo tranparente nga Gent Cakaj.

Lëvizjet në diplomaci nga ana e Ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakaj nuk janë pritur pozitivisht nga ana e ish-ambasadorëve që kanë shërbyer për Shqipërinë për vite me radhë.

Lista e Cakajt me 28 emrat, për ish-ambasadorin Lisien Bashkurti nuk është një reformë, por një masë administrative jo transparente, e cila traumatizon shërbimin diplomatik.

Lisien Bashkurti: Më shumë duhet ti kushtojë vëmendje përmbajtjes së politikës së jashtme dhe veprimit diplomatik sesa çështjeve teknike-administrative me të cilat po konsumon shumë kohë dhe po krijon më shumë traumë në shërbimin diplomatik. Nuk ka aq transparencë dhe komunikim nga Ministria e Punëve të Jashtme për të treguar se përse, sa dhe si janë marrë këto masa.

Bashkurti pranon që diplomacia shqiptare ka nevojë për përmirësime, por sipas tij ligji i përcakton qartë kriteret për punësimin dhe largimin nga puna.

Lisien Bashkurti: Është shumë e vështirë të bëhesh diplomat, nuk mjafton vetëm arsimimi dhe shkolla, nuk mjafton vetëm të jesh student ekselence i çfarëdo niveli, qoftë dhe me Doktoraturë. Është e domosdoshme të merren parasysh një sërë elementësh, karakteristika që i kërkon ky profesion.

Pas shpalljes së 350 pasaportave diplomatike të pavlefshme, diplomati shqiptar kërkon kujdes për anulimin e tyre pasi personat e prekur mund të jenë jashtë vendit apo në shërbime të ndryshme.

Lisien Bashkurti: Përgjegjësia është ligjore.Nëse janë lëshuar pasaporta diplomatike jashtë kritereve natyrisht që ato i ka firmosur dikush. Pasaportat diplomatike kalojnë me urdhër të Ministrit, kalojnë në Drejtorinë e Përgjithshme Konsullore, ka një praktikë dhe një procedurë të tërë.

Sfida më e madhe e Shqipërisë sipas Lisien Bashkurtit është negociimi me Brukselin për anëtarësimin në BE, që sipas tij do të kërkojë angazhimin e gjysmës së trupës diplomatike në vend.