Bashkitë pushtojnë tokë e qiell…

694
Vangjush SARO
Ka shumë kohë që pushtetarët e të gjitha kallëpeve dhe Bashkitë e të gjitha ngjyrave, shkatërrojnë ç’të mundin dhe derdhin pareshtur beton në çdo hapësirë të mundshme, në tokë e në qiell, duke e vështirësuar edhe më jetën e qytetarëve. Sarandë. Pogradec. Durrës. Ngjyrat, katet, distancat, format nuk të kanë asnjëlloj harmonie a parim ndërtimi. Por Tirana është “krenaria” e kësaj dukurie të përbindshme. Mund të thuhet, në fakt, për të mos e nënvleftësuar aq punë sa është bërë, se këto kohë ka pasur njëlloj kujdesi në disa fragmente të Parkut të Madh, te ish-Stacioni i Trenit dhe te Pazari i Ri. Por në të tërën e vet, qyteti është pushtuar, tokë e qiell, prej kullave të kohës sonë, fryt i papërgjegjësisë dhe i pazareve të individëve të pangopur e klaneve që i mëkojnë ata dhe mëkohen prej tyre në mënyrë të ndërsjellë. Herë pas here, sidomos kur jemi në fushata elektorale, thuhet se nuk ka më lejë, nuk do të jepen leje… Ndërtimi. Mirëpo këto janë slogane. Te Stadiumi Kombëtar, tek ish-Ndërmarja e Dekorit, tek ish-Ambasada jugosllave (në krah të Kopshtit të Fëmijëve) dhe, kështu më tej, kudo nëpër kryeqytet, në terrene mes rrugësh kryesore e në një dendësi të paparë ndërtesash, gjatë gjithë kësaj vere të nxehtë, janë parë vinça të frikshëm dhe tokmakë që rrëmojnë e shembin pareshtur; kushedi ç’mostra bëhen gati të kapin tokë e qiell. Kështu pra, me gjithë demagogjinë e ndryshimit, nuk janë dhënë lejë, po punojmë ashtu e kështu, lejet i kanë dhënë paraardhësit, etj., me gjithë këto dëngla pra, në të katër anët e Tiranës – që edhe kështu siç është, mezi merr frymë e po asfiksohet – ka zhurmë, ndotje, po ndërtohet, ngrihen pareshtur kulla të shëmtuara. Doemos, bëhet edhe ndonjë rrugë e mbikalim, s’ka pse të mos e themi. Por qyteti, para së gjithash po pushtohet, tokë e qiell, nga ndërtime abuzive. Është e kotë ndërkaq, të debatosh me pushtetarët e tranzicionit, gjithaq me këta të sotmit, që u përbetuan për vizione edhe që do ta ndryshonin kryeqytetin. Ndryshimi, për këta, do të thotë: beton dhe pllaka. Kur ua do puna, zyrtarët e lartë të kujtojnë… pronarët; që do të thotë se këta (pronarët) vënë veton. Por kur ia do leverdia, Bashkia e Tiranës dhe zyrtarët e lartë të Tiranës, e vënë veton me kokë të tyre, doemos për interesat e tyre. Po ashtu, rritja e frikshme e çmimit të tokës dhe e taksës për ndërtim në këto hapësira, janë tema që tregojnë se si vete e vjen e pastrohet paraja, ndërkohë që edhe më i frikshëm është asfiksimi i kryeqytetit. Sa i takon shtrembërimeve dhe demagogjisë, këto ëmbëlsira të mbetura kohe, zyrtarët e lartë le t’ua shpërndajnë, si ndihma, atyre që i ndjekin nga pas në mënyrë të verbër. Të gjithë e dinë tashmë se si klanet tallen me planet urbanistike të kryeqytetit. Kemi dëgjuar herët (kur Kryeministri i sotëm u bë Kryetar Bashkie) për “kthimin në identitet…” Të kujt? Të Tiranës. Madje flitej që në një rreze të konsiderueshme, nuk do të ndryshohej asgjë, do të mbahej qyteti në peizazhe të qeta, me ndërtime të ulëta dhe vlera të trashëguara, që do të duhej të dilnin më në pah. Mjafton t’i hedhësh sot një sy kësaj derexheje dhe e kupton shumë mirë se planet, premtimet dhe deklaratat, janë njëlloj shakaje në atë vend. Fanfara vazhdon programin. Paraja bën pushtetin, pushteti bën paranë. Dhe kështu, “jeta do të vazhdojë siç ka qenë, domethënë si mos më keq…” (Xhorxh Oruell/ “Ferma e kafshëve”) Dhe sërish, për të qenë në njëlloj ekuilibri, mund të them se po shohim disa përpjekje të Kryetarit të sotëm të Bashkisë për të krijuar “parqe” dhe “kënde lojërash” për fëmijë. Jam i prirur të vlerësoj dhe të inkurajoj çdo lëvizje, sado të vogël, në këtë temë. Por flet vetë puna që kemi të bëjmë me… ëndrra në sirtar. Tirana e shkretë nuk ka më vend, as në tokë e as në qiell, për të tilla dhurata e punë disi sociale. Më tregoni një, vetëm një hapësirë publikë (ish-hapësirë publike) midis dy pallateve ekzistuese 5 ose 6 katëshe, ku nuk është ndërtuar (në mënyrë krejt abuzive) një mostër e lartë dhe e shëmtuar! Nuk ma tregoni dot. Pasi e kanë bërë këmbë e beton e hekur, tani përpiqen të gjejnë një vend ku mund të mbillen ca lule e pak e bar e, ku mund të sajohet ndonjë (gjoja) park për fëmijët. Medet! Një shthurje urbanistike dhe ambientale e tillë, në të gjitha lagjet e hershme, shkon tani si jo më mirë me shëmtimin e përgjithshëm, ku nuk gjen dot dy trotuare njësoj, dy rrugë pak a shumë njësoj, dy ndërtesa po ashtu. Një mish-mash ngjyrash, katesh e lartësish, shtesash pa fund, një pamje që ka grimca dhe imitime sa nga Luanët e Azisë, aq edhe nga degjenerimi urban në disa vende të Amerikës Latine, po ashtu, nga gjithfarë përvojash betoni e anarkie të botës, ndërkohë që nuk ka pothuaj asgjë shqiptare; edhe ato pak mjedise që mund të ta kujtonin Shqipërinë, historinë dhe trashëgiminë e saj, janë të parëndësishme, të padukshme, janë poshtë, nën këmbët e kullave e të vinçave. Ka shumë syresh që këtë gjë, anarki le të themi, e quajnë zhvillim. Këta përpiqen të gjejnë argumente, që edhe bota kështu dhe ashtu… Ka edhe të tjerë, që janë apo shfaqen ca më të thellë dhe që i tregojnë proceset duke dhënë leksione të koklavitura. Lojëra e shaka për të qetësuar (a tallur) qytetarin, që jeton me zhurma e smog, dhe që pak i hyjnë në punë analizat, shpjegimet dhe interpretimet. “S’ka gjë më të thellë se ajo që duket në sipërfaqe…” (Hegel)
Sigal