Bashkimi i ushtarakëve, vazhdojnë problemet, ja çfarë thonë Kroi, Çako e Zaimi

537
Më 30 tetor pritet të mbahet Kuvendi Mbarëkombëtar i Ushtarakëve pa dallim. Kjo ditë do jetë finalja e madhe për fatin e të gjithë ushtarakëve në rezervë
Bashkimi i shumëpritur i shoqatave të ushtarakëve në mbarë vendin pritet të marrë një përgjigje në datën 30 tetor. Në këtë datë është thirrur mbajtja e Kuvendit Mbarëkombëtar të Ushtarakëve, të cilët prej më shumë se një muaji kanë nisur lëvizjen për bashkim. Por e gjithë kjo lëvizje nuk ka kaluar në heshtje. Shoqatat kryesore në vend kanë pretendimet e tyre. E gjithë kjo zhurmë bëhet në një kohë që Gjykata Kushtetuese është duke shqyrtuar kërkesat e dy shoqatave lidhur me një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë. Shoqatat e ushtarakëve kanë nënshkruar edhe një rezolutë të përbashkët. Për të realizuar bashkimin e ushtarakëve, nuk ka asnjë pengesë ligjore, administrative apo organizative dhe duke u bazuar në faktin, se të gjitha shoqatat kanë të njëjtin qëllim dhe mision, gjithçka i bashkon dhe asgjë nuk i ndan. Por sot jemi në një tjetër situatë. Ne kontaktuam me përfaqësues të Shoqatës kryesore të ushtarakëve në rezervë, Zydi Kroi. Ai shpjegoi arsyet, pse aktualisht shoqatat nuk po bien dakord për t’u bashkuar edhe pse parimisht duhet ta bëjnë një gjë të tillë. Për të qenë të drejtë në dhënien e informacionit, ne kontaktuam edhe me drejtues të shoqatës së ish-ushtarakëve civilë. Por ndryshe nga Kroi përfaqësuesit e kësaj shoqate nuk ishin dakord të flisnin për situatën, ndonëse në thelb pranojnë se ka paqartësi. Ata thanë se do të flasin kur të jenë krijuar kushtet e përshtatshme. Gjithsesi për të sjellë fjalën e tyre ne kontaktuam me ish-ushtarakun Kujtim Çako, i cili pranoi problematikën, por u shpreh i bindur se një gjë e tillë do të sistemohet në 30 tetor.
Zydi Kroi ish-ushtarak në rezervë
Mbledhja në dijeninë time është shtyrë pa afat. Ideatorët e kësaj nuk mund ta bëjnë.
Shoqata jonë ka 25 vjet që është krijuar, është kundër kësaj federate, për shkak se në statutin e vet është një nen që ndalon bashkimin dhe transformimin e shoqatës.
Në këto kushte shoqata e Thoma Kondurit ka një marrëdhënie bashkëpunimi me shoqatën e Kujtim Çakos, atë të ish-ushtarakëve civilë. Pra të gjitha këto që diskutohen tani janë në marrëveshjen që është firmosur mes dy shoqatave. Madje fryt i këtij bashkëpunimi është dhe padia në Gjykatën Kushtetuese. Kështu ankimi në Gjykatën Kushtetuese e kanë bërë të dyja shoqatat. Edhe nëse ka probleme për trajtimin e ushtarakëve e bëjnë të dyja. Unë kam qenë 11 vjet president. Unë jam pro bashkimit, por të vijë shoqata e Kujtim Cakos tek ne. Për shkak se shoqata ka emërtimin Shoqata Kombëtare e Ushtarakeve në Rezervë të Shqipërisë. Ka një mision në statut që është në përputhje me kushtetutën e Konfederatës ndëraleate të oficerëve në rezervë të NATO-s. Për pasojë emrin dhe misionin nuk e ndryshojmë dot. Të vijnë ata tek ne, sepse emrin dhe misionin ne nuk e ndryshojmë. Ne kemi pasur një emërtim tjetër, Bashkimi Atdhetar i Ushtarakëve të Liruar në Shqipëri. Ka ndryshuar në 2002-2003. Në Strasburg na bënë një sugjerim që të gjithë shoqatat e ushtarakëve të NATO-s e kanë termin në rezervë, pra konsiderohen pjesë e forcave rezerviste. Kjo ide i ka lindur Kujtim Çakos, por vendimi për të krijuar federatën duhet ta marrin organet e larta të shoqatës që është Asambleja sepse siç e cilësova në statut nuk lejohet, por vetëm asambleja mund ta ndryshojë. Sipas mendimit tonë mbetet që të dy shoqatat të koordinojnë veprimet dhe aktivitetet në funksion të përmirësimit dhe të zgjidhjes së çështjeve ekonomike të ushtarakeve. 

Kjo shoqata ka një marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm e hartuar në vitin 2004 dhe e rinovuar në vitin 2016.

Ministria e njeh si shoqatë të ushtarakeve dhe ka detyrime dhe të drejta mbi këtë shoqatë ashtu sikundër dhe shoqata ka disa pika me Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo është bërë mbi bazë të përvojës së konfederatës aleate. Kjo shoqatë ka një marrëveshje me shtabin e NATO-s në Bruksel, sipas të cilit të gjitha shoqatat që duhet të anëtarësohen duhet të marrin miratim nga ministri i mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. 

Shoqata tjetër u anëtarësua në një organizatë të punonjësve civilë “Euromil”. Qëndruan 2-3 vite dhe më pas janë ndërprerë marrëdhëniet. Ndërsa për ne, në bazë të marrëveshjes që kemi me Ministrinë dhe Shtabin e Përgjithshëm dhe në bazë të nenit 43 të statusit të ushtarakut, kuotat e anëtarësimit i paguan Ministria e Mbrojtjes. E ka ligji për statusin e ushtarakut. Madje Ministria e Mbrojtjes e mbështet financiarisht shoqatën tonë edhe në të gjitha seminaret, konventat që bën kjo strukturë. Kjo konfederatë ka përfaqësuesin e vet në shtabin e NATO-s në Bruksel. Kemi marrëveshje në përputhje me Kushtetutën e Ushtarakëve.

Ata kërkojnë të bashkohen me ne dhe ne sipas tyre ta shkrijmë 21 vjet punë si shoqatë. Shoqata ka një histori të veten. Ka shënuar arritje. Natyrisht ka edhe disa probleme. Ndërkohë ata që bëjnë pjesë në shoqatën tjetër janë moshatarët e mi. Madje kur e krijuan e quanin aleanca e ish- kuadrove kryesor të ushtrisë, sepse kishin ja dy- ish-drejtor e ish-zv/ministra. Ne nenin 23 të Kushtetutës të CIOR, thuhet: Vetëm një shoqatë kombëtare e njohur ligjërisht dhe zyrtarisht nga autoritetet më të larta ushtarake mund të pranohet në CIOR” (Konfederata ndëraleate e oficerëve në rezervë).
Ata s’kanë ku venë më. Edhe ata i përjashtuan dhe një nga arsyet ishte, se nuk paguan kuotat. Ushtarakët në rezervë janë të përçarë. Një minorancë ka një shoqatë tjetër. 
Kujtim Çako, ish-ushtarak 
Natyrisht është problem i njohur. Ne shpresojmë që në 30 tetor kur të mbahet Kuvendi Mbarëkombëtar i Ushtarakëve të jenë edhe pjesa tjetër që deri tani kanë kundërshtuar. Ftesa u është bërë sërish. Aktualisht nuk ka asnjë problem të ri. Është një qëndrim i shoqatës tjetër drejtuar nga Thoma Konduri, që ne jemi me bashkëpunimin, por nuk jemi akoma për bashkimin. E kanë bërë edhe me shkrim këtë kërkesë. Nuk bëhet fjalë që aleanca të heqë emrat, nuk preket integriteti i asnjë shoqate dhe do të ruhet juridiksioni juridik i gjithsecilit duke u futur në një bashkim të përgjithshëm. Natyrisht organizimi i ri nuk është, as aleanca dhe as shoqata tjetër. Është një keqkuptim i krijuar. Projekt-statuti thotë që mblidhen të gjitha shoqatat në një ombrellë të tillë, në një kauzë bashkimi për mbrojtjen e të drejtave të ushtarakëve dhe nuk ka asnjë problem për shkrirjen. Pra, qëndron dhe ekziston secila. Shoqata e ish rezervistëve, kanë qenë ndër të parat e themeluar si e tillë. Është e vërtetë që ata financohen nga Ministria e Mbrojtjes, e kanë të legalizuar me ligj shoqatat e tjera. Nuk ka asgjë abuzive. Nëse dikush e thotë këtë, bën gabim se ajo është ligjore dhe nuk ka problem. Përdorimi efektiv i tyre është një problem tjetër. 
Pëllumb Zaimi ish-kolonel
Puna është shumë serioze dhe ju ftoj të vini në emër të grupit nismëtar të 14 a 15 shoqatave. Thelbi i Platformës është Bashkimi pastaj duke ecur sqarohen të gjitha. Është aksion pozitiv . Ka dy tre muaj që është punuar për këtë qëllim. E kemi lënë të mos shfaqemi si kundërshtarë, por pas bashkimit çdo agjenture do t’i vëmë emrin. Tani jemi “pushim zjarri….” për hir të bashkimit. Por ama do të largojmë çdo sharlatan e agjent të pushtetit kundër nesh. Kaq kam tani për tani.
Xhemil Çelaj, ish –kolonel i zbulimit
U njoha dje me një njoftimin anonimat të një “Grupi nismëtarësh” dhe ftesën për mbajtjen e Kuvendit Mbarëkombëtar të Ushtarakëve! Gjykoj se nuk mund të Thirret një Kuvend pa bërë publikisht të paktën thelbin e Platformës mbi bazën e të cilës pritet të bashkohen ushtarakët. Mbajtja e një kuvendi të tillë kërkon transparencë, një punë paraprake përgatitore, kush dhe si do të mandatojë kuvendarët, pasi Kuvendi “Mbarëkombëtar”nuk mund të jetë një mbledhje e disa personave nga rruga sipas thirrjes së bërë. Kjo dhe të tjera gjëra ulin besimin në seriozitetin e nismës. Qofsha unë i gabuar. Uroj me shpirt bashkimin por termi “Mbarëkombëtar” më fut në mendime që nuk u jap dot zgjidhje!
Sigal