Sigal

Ambasada e SHBA: Si mund të pajiseni me vizë shëndetësore, martese, studentore dhe kur refuzohet viza turistike

 Bashkimi familjar, rinovimi dhe refuzimi i vizave

Ambasada Amerikane në Tiranë sqaron shtetasit shqiptarë duke iu përgjigjur pyetjeve të qytetarëve që kanë të bëjnë me llojet e veçanta të vizave si dhe me rastet e rinovimit apo refuzimit të vizave të ndryshme. Gazeta “Telegraf” sjell disa pyetje të qytetarëve të interesuar dhe përgjigjet përkatëse të përfaqësuesve të Ambasadës Amerikane.

Aplikimi për bashkim familjar kur je i pajisur me vizë turistike dhe anasjelltas

Pyetje: Përshëndetje. Nëse nis procedura për bashkim familjar, përbën problem nëse personi që po pret këtë proces (bashkëshortja) ka momentalisht vizë turistike, d.m.th. nënkupton kjo që  nuk mund të bëhet bashkimi pa mbaruar afati i vizës turistike? Ju faleminderit

Përgjigje: Jo nuk përbën asnjë problem. Edhe nëse viza turistike është akoma e vlefshme në ditën tuaj të intervistës për vizë imigruese, ajo anulohet dhe lëshohet viza imigruese.

Pyetje: A mund të kualifikohem unë për një vizë turistike nëse jam në proces për një peticion emigrimi?
Përgjigje: Kur je në proces për peticion emigrimi nuk ka bazë për një refuzim automatik të një vize jo-emigruese. Sigurohuni të përmendni që keni në proces një petiticion emigrimi në formularin e aplikimit. Kini parasysh se për një vizë turistike barra e provës bie mbi aplikantin ose aplikanten që të provojë se ai ose ajo ka lidhje madhore me vendin e tij ose të saj.

Peticioni për pajisjen me vizë për të fejuarit

Pyetje: Përshëndetje! I fejuari im amerikan ka bërë peticionin për vizë fejese K-1. Çfarë do të ndodhë me peticionin tonë?

Përgjigje: Kategoria e vizave jo-emigruese K-1 është për të fejuar it/at e një qytetari Amerikan. Viza K-1 i lejon qytetarit të huaj të fejuar për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara dhe martohet brenda 90 ditëve pas mbërritjes. Pas martesës, qytetarit të huaj do t’i duhet të rregullojë statusit e tij në rezident të përhershëm të ligjshëm me zyrat e Shërbimeve Amerikane të Shtetësisë dhe Emigracionit (USCIS) të Departamentin të Sigurisë Kombëtare. Për shkak se viza për të fejuarit i lejon mbajtësit të emigrojë në SH.B.A. dhe martohet me një qytetar Amerikan menjëherë pas mbërritjes në Shtetet e Bashkuara, atij do t’i duhet të plotësojë disa nga kërkesat e e vizës së emigrimit. Fëmijët e ligjshëm të aplikantëve K-1 mund të marrin vizën K-2.

Pajisja me vizë mjekësore

Pyetje: Cilat janë kushtet për vizat mjekësore?

Përgjigje: Vizat për arsye mjekësore kërkojnë: që ju te jeni konsultuar me mjekun në SHBA dhe ai të ketë marrë përsipër trajtimin dhe koston e trajtimit, si edhe afatin e trajtimit; ju duhet të keni dëshmi të të ardhurave që të mbuloni shpenzimet e trajtimit si dhe të qëndrimit. Kategoria e vizës është B2

 

Rinovimi i vizës për studentët

Pyetje: Jam student/vizitor shkëmbimi/punonjës i përkohshëm dhe viza më skadon së shpejti. A më duhet të udhëtoj në Shqipëri të rinovoj vizën?

Përgjigje: Jo, ju nuk keni nevojë të rinovoni vizën. Për sa kohë ju keni një I-20 të vlefshëm, ju jeni në rregull me statusin tuaj. Pra, nuk ju duhet një vizë e vlefshme që të mbulojë të gjithë kohën e studimeve, por një I-20 e vlefshme për të gjithë kohën e studimeve. Studentët, vizitorët e shkëmbimit dhe punonjësit e përkohshëm pranohen në SHBA për kohëzgjatjen e statusit të tyre (duration of status – D/S), që do të thotë për sa kohë i lejon programi i tyre përkatës. Kjo do të thotë që nuk ju duhet vizë studentore apo pune që të mbulojë të gjithë kohën e studimeve apo të punës në Shtetet e Bashkuara. Edhe nëse viza juaj skadon përpara se të mbarojë programi, ju mund të qëndroni në Shtetet e Bashkuara për sa kohë ju mbani statusin e studentit apo të punonjësit; gjithsesi, juve do ju duhet një vizë e re nëse për ndonjë arsye largoheni nga Shtetet e Bashkuara.

Pyetje: Nëse një person i cili ka marrë vizën një vjeçare për vitin e fundit të gjimnazit dhe dëshiron të vazhdojë universitetin duhet të kthehet?

Përgjigje: Viza që ju është lëshuar përmban informacion mbi shkollën e mesme. Preferohet që ju të merrni një vizë të përditësuar ku të jetë informacioni i sakte me shkollën e re dhe me informacionin e I-20-es së re.

Refuzimi i vizës turistike

Pyetje: Kam aplikuar për vizë turistike. 3 pyetje më bëri dhe më tha nuk aplikohesh. Si ka mundësi sepse sipas 3 pyetjeve i plotësoja kushtet.

Përgjigje: Përshëndetje! Ne nuk mund të diskutojmë çështje individuale mbi vizat në forume publike, pasi ligji nuk na e lejon këtë gjë. Gjithsesi, kjo nuk më pengon të flas mbi refuzimet në përgjithësi. Unë e kuptoj mërzitjen tuaj. Refuzimet për vizë janë gjithmonë zhgënjyese dhe të vështira për cilindo, madje edhe për ne! Unë besoj se ajo për të cilën ju jeni të mërzitur është që ligji i Shteteve të Bashkuara mbi imigracionin, kështu siç është, është shumë strikt. 
Si zyrtarë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe si oficerë konsullorë, autoriteti ynë vendimmarrës mbi vizat – si për lëshimet, edhe për refuzimet – është tërësisht i lidhur me ligjin e Shteteve të Bashkuara mbi imigracionin, më saktësisht Akti i Imigracionit dhe Nënshtetësisë (AIN). Sipas AIN-së, neve na duhet të konsiderojmë çdo aplikant vizash jo-imigruese si një person që synon imigracionin në Shtetet e Bashkuara, pra si një imigrant të mundshëm, përveç rastit kur ata provojnë që nuk janë të tillë. Kjo është një pengesë ligjore e domosdoshme, tepër strikte, që duhet tejkaluar. Neve na duhet të shqyrtojmë çdo çështje për vizë individualisht. E thënë ndryshe, çdo person duhet të dëshmojë që ai ose ajo i plotëson kërkesat për kualifikim për për kategorinë e vizës dhe të ketë lidhje të forta me një rezidencë jashtë Shteteve të Bashkuara. Për shkak se secili person ka rrethanat e tij unike, ne nuk vijmë dot në të njëjtin konkluzion për çdo individ. Këshilla ime në përgjithësi për aplikantët (në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri), të cilët janë refuzuar nën Seksionin 214b të AIN, është që të kuptojnë se refuzimi nuk është një paragjykim, apo kritikë, ndaj jush personalisht. Oficeri konsullor nuk po paragjykon zgjedhjen tuaj në jetë apo situatën tuaj jashtë Shteteve të Bashkuara. Ata thjesht po bëjnë një vlerësim të lidhjeve tuaja jashtë Shteteve të Bashkuara, si dhe nëse ju i përmbushni ose jo kriteret për kualifikim të përcaktuara tek AIN, të cilat janë shumë strikte. Dhe, mbani mend që refuzimet në Seksionin 214b të AIN nuk janë të përhershme. Lidhjet tuaja jashtë Shteteve të Bashkuara, si dhe kriteret e tjera për kualifikim për vizat jo-imigruese ndryshojnë përgjatë kohës, pasi edhe vetë jetët tona evoluojnë.

Pyetje: Sigurisht, kjo lyp edhe pyetjen: “Kur mund të riaplikoj unë?”

Përgjigje: Nëse dhe kur të aplikoni koha është tërësisht në zgjedhjen tuaj, por është e dobishme të mbani mend që, nëse juve ju është refuzuar viza bazuar në lidhje jo të forta jashtë Shteteve të Bashkuara, do ishte më e udhës që të prisni derisa situata juaj të ndryshojë përpara se të aplikoni përsëri për vizë, ose t’i evidentoni sa më qartë këto lidhje dhe fakte tek formulari juaj i aplikimit DS-160. Shpresoj që kjo t’ju ndihmojë duke hedhur pak më shumë dritë mbi refuzimet 214b, në përgjithësi, dhe se si oficerëve konsullorë u kërkohet që të shqyrtojnë çështjet për vizë. Nëse akoma po kërkoni për më tepër informacion dhe udhëzim, do doja t’ju referoja tek faqja jonë e internetit: https://travel.state.gov/…/visa…/visa-denials.html