Bashkim Koçi/Vota në “qesen e bukës”

601
Sigal

E keqja jonë si popull është se ne harrojmë shumë shpejt, ne nuk jemi në gjendje të regjistrojmë të kaluarën ashtu si ka ndodhur

Këto ditë, kur fushata elektorale është bërë kryefjala e lajmeve në media, e bisedave nëpër tavolina kafenesh, e debateve badjava pranë vatrave familjare, ajo që bie në sy dhe që të fut krupën në zemër e në shpirt është sjellja e subjekteve politikë dhe të kandidatëve për deputetë me votuesit. Po e shkelin “krenarinë“ dhe “dinjitetin” me këmbë. Çuditërisht nuk kanë as ndrojtje e as turp, nuk kanë as frikë e as merakun se po u nxihet faqja, duke luajtur mjeshtërisht rolin e mashtruesit, edhe pse na janë shfaqur të tillë, po me ato maska, në çdo katër vjet. Dhe për çka po shkruaj në këto radhë janë, jo skena të imagjinuara, trillime kritizerësh, apo mllef për dikë, i cili nuk na ka përmbushur një premtim. Jo. Ç’ka po shkruaj dhe faktet që po sjell, janë përgjithësues dhe në një farë mënyre janë treguesit e gjendjes  “shëndetësore”  të vendit, të Shqipërisë tonë, të cilën politikanët në këto vite i dhanë “rrugën e dreqit”, të një të tatëpjete që nuk dimë si është fundi. Dhe ajo çka po ndodh është përpara syve tanë, po e përjetojmë e po e përflasim nga mëngjesi në darkë, si një e keqe që nuk po e zmbrapsim dot këtu e 23 vjet.

E keqja jonë si popull është se ne harrojmë shumë shpejt, ne nuk jemi në gjendje të regjistrojmë të kaluarën ashtu si ka ndodhur, me të mirat dhe të këqijat. Mandej, ashtu si bëjnë gjithë popujt e emancipuar, t’i kundërvihemi të keqes me mjete demokratike, me votë, siç është, fjala vjen, momenti i tanishëm, ku po bëjmë zgjedhjet parlamentare.

Sepse çfarë po ndodh? Për të na grabitur votën, të vetmen pasuri që na i fali demokracia, kandidatët për deputetë janë hedhur në sulm (po në sulm, ama), duke na ofruar e shpalosur si program të partive që përfaqësojnë, të gjitha premtimet e bëra, gati në çdo katër vjet të këtyre dy dekadave në demokraci. As më shumë e as më pak, por fotokopjen e premtimeve të bëra në fushatat e viteve të shkuara elektoralë.

Le ta nisim me partinë në pushtet, Partinë Demokratike. Ajo po shfaqet me ne votuesit sikur ka bërë mrekulli, sikur ne që e besuam dhe e sollëm në pushtet për të na qeverisur, nga puna që paska bërë qenkemi më të lumturuarit e Botës. Me rrugë të asfaltuara, të gjithë të punësuar, me shërbim të kualifikuar shëndetësor, me ujë e drita 24 orë, shkurt, me të gjitha të mirat. Të krijohet përshtypja sikur edhe monopatet majëmalit, ku kalojnë bagëtitë janë të shtruara dhe me sinjalistikë të kohës. Të bëjnë të shohësh ëndrra me sy hapur, sikur ne shqiptarët ua kemi kaluar shteteve më të përparuara të Botës. Por, për faqen e tyre të zezë, realiteti është krejt ndryshe. Spitalet tona, m’u në zemër të Tiranës, janë për t’u vënë duart në kokë, të lemerisin. Shkollat, gjithashtu, nuk meritojnë të kenë këtë emër të bukur, mjedise, ku mësohet për gjithçka, por u ngjajnë më shumë ahureve të bagëtive, mjedise, ku strehohen kafshët shtëpiake. Dhe Kryeministri ynë nuk ka turp pse pret “shirita përurimi” për të disatën herë, ndërkohë që, objekti, i cili “përurohet” për të disatën herë, i ka ardhur koha të restaurohet, të vihet dorë, sepse ka dalë jashtë funksionit. Ajo që të dëshpëron e të brengos është se ne, populli, ne pronarët e asaj fletëzës që i sjell këta sojsëzë në pushtet, nuk bëhemi të gjallë për t’u treguar derën e prapme, nuk i tregojmë me gisht si mashtrues ordinerë, si ca grabitës të veshur me kostum firmato, të blerë me lekët tona.

Në Poliçan të Skraparit, punonjësit e Ndërmarrjes së Ujësjellës –Kanalizimeve kanë 12 muaj pa marrë rrogën. Plot një vit. Një vit të stresuar për të gjetur paratë e bukës së fëmijëve. Kanë përcjellë të katër stinët e vitit, duke mbajtur sytë nga shteti faqezi e i pashpirt që të mund të marrin hakun e punës së kryer. Ndërkohë, janë po këta faqezinj, të të gjitha ngjyrave; pëdëistë, lësëistë e socialistë, të cilët nuk po gjejnë derman, nuk po i zë gjumi për t‘ua rrëmbyer edhe njëherë votën për të fituar mandatin e deputetit. Sigurisht, nuk dëshiroj të fyej kënd, por punët kanë shkuar deri aty, sa ia vlen për të bërë një pyetje pa përgjigje: si mund të ketë fytyrë një kandidat për deputet, si mundet që ai ka kurajo e guxon të dalë përpara njerëzisë, të bashkëpatriotëve të vet, duke llomotitur e thënë broçkulla nga më të pabesueshmet, të përsëritura si në një kasetë regjistruese sa herë që kanë kërkuar votën dhe gjendjen e gjejnë dhe e lënë në atë derexhe të vajtueshme? Dëgjojmë të përflitet se shuma e borxheve të hallexhinjve, të familjarëve si ata të qytetit të Poliçanit, në defterët e dyqaneve të ushqimoreve, (kryesisht bëhet fjalë për ushqime të ashtuquajtura “të shportës“) do të merren përsipër të shlyhen nga parallinjtë që garojnë për të kapur karrigen e deputetit. Sigurisht, hesapet, shumta që kanë për të paguar borxhlinjtë janë në dorë të sekserëve, të militantëve të sprovuar me kësi punësh në fushata zgjedhore. Ata bëjnë thjesht pazar: “Më jep kaq vota dhe borxhi yt ka shkuar në zero”. Mjerani qytetar, në të shumtën e rasteve, çka i afrohet në këmbim të votës, i duket si një dhuratë e rënë nga qelli, në mos qesen e bukës e përfytyron si ajo kutia e votimit. Pra i gjithë ky muhabet përmblidhet në dy fjalë: nëm votën, mere bukën! Një mendim i urtë i popullit  thotë se, “për të mbërritur në Agim, nuk ka rrugë tjetër veç Natës”. Jam i mendimit se kemi marrë aq përvojë, kemi marrë aq leksione sa në këto zgjedhje të 23 Qershorit të mund të mbërrijmë në Agimin që e presim, tani e 23 vjet.