Bashkim Aliraj/ Mbi gjendjen e atletikës në Vlorë

753
Sigal

Pa një atletike të zhvilluar, nuk mund të arrihen rezultate të larta edhe në sportet e tjera

 *Trajner Shoqata “Jon” Vlorë 

 Ndonëse si ekip, Flamurtari në atletikë nuk ka shkëlqyer si ato të “17 Nëntorit”, Vllaznisë, Partizanit, etj., ndër vite Vlora ka nxjerrë mjaft atletë të mirë që kanë qenë kampionë apo rekordmenë të vendit, me të rinj e të rritur. Ata kanë bërë emër të madh në këtë sport të bukur. Do të veçoja sidomos atletët M.Arapi, S.Kokalari, K.Jorgo, A.Muço, A.Leskaj, P.Rama, E.Danaj, Sh.Alushi, G.Meçani , P.Janina, V.Muço, B.Malaj, K.Malaj, K.Meçani, S.Shaqiri e shumë të tjerë. Vite të shkuara, Vlora ka pasur dhe një ekip femrash në fshatin Nartë, qe merrte pjese rregullisht në Kampionatin Kombëtar të Atletikës dhe zinte disa vende nderi për femra. Përvec shkollës “Avni Rustemi” ne qytetin e Vlorës, klasa sportive kishte dhe Narta në atletikë. Kjo fale punës e pasionit të ish-trajnerit të palodhur të Nartës, L.Diamanti. Në vitet 1984-85-86 e më vonë, Flamurtari në atletikë kishte 7-8 ekipe sportive që stërviteshin nga trajnerët e palodhur: K.Dhrami, M.Arapi, K.Moçka, P.Rama, Th.Rama, P.Hanxhari, F.Hermeni, E.Danaj, G.Alimerko, etj.. Pothuaj çdo ditë, stadiumi “Flamurtari” gumëzhinte nga atletët.  Dhe akoma më mirë ishte situata në qytete të tjera si Tirana, Shkodra, Korça, Durrësi. Kjo falë punës e përkushtimit të kuadrove e specialisteve të edukimit fizik si në qendër dhe në bazë. Nga Federata kishte një interesim të jashtëzakonshëm për atletikën. Por, si është gjendja e saj sot? Për të parë nga afër, shkova buzë detit, pranë ish-Akademisë së Marinës, sepse atje stërviten atletët tani. Takova trajnerin e pasionuar të vetmin në atletikë në Vlorë , “Mjeshtrin e Sportit”, Kastriot Malaj. “Shif vetë se ku stërvitemi dhe shkruaj, – më tha ai. – Këto janë kushtet e stërvitjes. Pista e vrapimit është prishur në stadium.       Kam mbi 15 vjet si trajner dhe asnjë dhome zhveshje nuk kemi”. Më pas, Kastrioti vijon duke më thënë: “Gjendja e atletikës në Vlorë dhe kudo është për të ardhur keq, këtë shkruaje pa frikë”.

Por, pavarësisht vështirësive e kushteve, Kastrioti nuk tërhiqet. Ai është për t’u marrë shembull. Krahas punës që bën si mësues i Edukimit Fizik në shkollën e mesme të përgjithshme “Ali Demi” (punon me orë të plota), ai çdo ditë stërvit dhe ekipin e atletikës (djem dhe vajza) të grupmoshave të ndryshme. Kastrioti dhe këto dy vitet e fundit, 2012- 2013, ka nxjerrë atletë të mirë në garat e gjata 3000–5000 metra si A. Meçani (e familjes Meçani), N.Pipa që ka zënë vendin e parë me moshat 13-14-vjeçare ose R.Bedini, nënkampion me të rinjtë në garën 3000-5000 metra, në shtizë. Kampion me të rinjtë është atleti A.Lushaj.  Kastrioti dhe vetë merr pjesë me veteranët në veprimtaritë ndërkombëtare në atletikë dhe ka zënë disa vende nderi. Natyrisht, po të punohet mirë nga të gjithë dhe rezultatet do të ishin më të mira në atletikë në Vlorë. Kjo do të bënte që dhe në kampionatet kombëtare të fëmijëve, të rinjve, apo të rriturve në gara do të shkonim me një ekip më dinjitoz. Por, siç dihet që ka kuadro e specialistë që nuk punojnë e nuk duan ta prishin rehatinë e tyre. Më shumë merren me teorizime e fjale boshe se sa me punën konkrete. Pasioni në radhe të parë tregohet me punë. Mendoj se, janë mundësitë që në garat e gjata ashtu si Vlora ka pasur traditë që nga atletet S.Kokalari, vëllezërit Meçani dhe nipi i tyre K.Meçani, që atletika të arrijë rezultate më të mira duke shfrytëzuar në maksimum ambientin, pyllin e Sodës, kodrat përreth Kaninës, etj. Por, kërkohet puna dhe sakrifice nga të gjithë. Pa sakrifica nuk mund të arrihen rezultate të larta në sport.

     Për ketë problem takova dhe veteranin e atletikes, atletin e mirënjohur E.Danaj, që tani është pensionist. “Po nuk pati pistë vrapimi, nuk ka atletike. Është njësoj si të bësh not në det të hapur”, – më thotë Enveri. “Shkatërrimi i pistës së vrapimit në stadiumin ‘Flamurtari’ ishte gabimi më i madh. Pista nuk i duhej vetëm atletikës, por gjithë sporteve” – thotë ai. Mendoj se, ky shqetësim është mjaft i drejtë, sepse pista e vrapimit ka qenë dhe është e  domosdoshme jo vetëm për atletet gjate gjithë kohës, por dhe për sportet e tjera si: basketboll, volejboll, notarët, mundësit, etj. Më kujtohet vite të shkuara kur stërvitja vajzat në not. Notarja E.Xhindi në atletike kishte treguesit më të mirë në 50, 300, 800m vrapime, kërcim së gjati, etj. Prandaj dhe rezultatet ajo i kishte shumë më të mira se shoqet. Ajo ishte kampione dhe rekordmene e vendit ne garen 100 e 200m not shpinë. Por, problem në atletikë nuk është vetëm baza materiale e palëvizshme e cila ne Vlore mungon, por dhe ajo e levizshme.  “Në 20 vjet, si trajner nga Federata e Atletikës kam marrë vetëm një shtizë”,– thotë Kastrioti.  Por, përse është kjo gjendje, mos vallë jemi kaq të varfër me të vërtetë?  Jo, nuk besoj. Jam i bindur që edhe në sport ka abuzime e përvetësime. Mungon dëshira për te bere dicka te mire dhe te bukur per sportin.   Une nuk kam dyshim për drejtuesit e Federatës së Atletikës, për presidentin e saj për tëe cilin kam shumë respekt, por po të shikosh gjendjen në sport në disa qytete në atletikë, not, mundje, peshëngritje, çiklizëm, etj.,  gjendja e terreneve dhe ambienteve sportive është për të ardhur keq.  Federata e Atletikes nuk duhet ta kishte lejuar prishjen e pistës së vrapimit në Vlorë. Kush e mban përgjegjësinë për këtë gjendje? Këto 20-23 vjet në vend që të përmirësohej e rregullohej gjendja e ambienteve sportive, përkundrazi ajo u përkeqësua më tej. Kjo ka ndodhur se, edhe niveli i drejtimit që nga Qeveria, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe e bashkive ka qenë i dobët.  Ka pasur njëanshmëri dhe formalizëm në drejtim, mungesë kulture e vizioni. Disa drejtues me sport kuptojnë vetëm futbollin dhe lënë pas dorë sportet bazë që i do rinia aq shumë si: atletikën, notin, gjimnastikën, lojërat me dorë, tenisin, çiklizmin, etj..

   “Ministria e Sporteve të ndreqë gabimet e së kaluarës!”

 Sot, Qeveria, Ministria e Arsimit dhe e Sportit duhet të përballet me të keqen e madhe të kaluar dhe të luftojë energjikisht pa humbur kohë, për të ndrequr ato. Nëpër shkolla që ka mundësi, të ngrihen terrene sportive me pista vrapimi. Nxënësit në radhë të parë në fizkulturë duhet të mësojnë si të vrapojnë bukur e pastaj të bëhen sportistë të mirë po të duan. Gjithashtu ngritja e shkollave të reja publike dhe ato private nuk duhet të lejohen pa terrene sportive me pista vrapimi, fusha volejbolli, basketbolli, pse jo dhe me pishina të vogla që noti të futet në programin e edukimit fizik për t’u mundësuar që në moshë të vogël (ciklin e ulët). Është mirë që Qeveria e Ministria e Arsimit dhe e Sportit te shikojë dhe pagën e trajnerëve në sport, sepse nuk mund të ecet sot po nuk u vunë në krye të ekipeve specialistët më të mirë. Paga 12 mijë lekë në muaj për trajnerët e Kategorisë së Parë që bëjnë 5–6 herë stërvitje në javë është qesharake dhe ofenduese. Është kjo një nga arsyet e forta që sot trajnerët e specialistët më të mirë nuk marrin ekipe sportive. Ka mjaft salla e palestra si ajo e shkollës “Ali Demi” në Vlorë që mund të vihen në funksion të ekipeve sportive në atletikë. Shumë mirë disa atlete në kërcim së larti ose së gjati (djem apo vajza) mund të stërviten rregullisht sidomos ne periudhën e dimrit. Mendoj se, duhet të jetë e qartë për të gjithë se pa një atletike të zhvilluar, nuk mund të arrihen rezultate të larta dhe në sporte të tjera. Ky synim e objektiv duhet të bëhet realitet në të gjithë vendin.

 “Tifozat Kuq e Zi” mbushin 10 vjet

Grupimi më i madh i kombëtares shqiptare të futbollit më 28 dhjetor në Prishtinë feston dekadën e parë të ekzistimit. Kanë qenë saktë dhjetë vite më parë, kur ata janë paraqitur në një ndeshje të kombëtares shqiptare të futbollit për herë të parë me emrin, “Tifozat kuq e zi”. Prej atëherë ata kanë qenë ndër promotorët e vlerës së fanellës kuqezi dhe ngritjes së vetëdijes kombëtare në të gjitha trevat shqiptare e sidomos edhe në diasporë. Motoja e tyre “O sa mirë me qenë shqiptar”, shumë shpejt u bë e njohur dhe e përkrahur nga gjithë shqiptarët. Koreografitë e tyre kanë bërë që futbollistët e kombëtares të ndjehen ndër më të privilegjuarit në mesin e kombëtareve të botës në saje të përkrahjes që kanë. Tani ka ardhur koha që edhe ata të festojnë 10 vjetorin e tyre, pikërisht më 28 dhjetor më një festë që mbahet nga ora 18:00 në Sheshin 21 në Prishtinë. Sipas organizatorëve dhe diskutimeve të tyre pritet që në këtë festë të jenë prezent edhe disa ish-futbollist të njohur të kombëtares.