Bashkia e Tiranës thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë e aksionit për pastrimin e qytetit

519
Sigal

 

 

Seferi: “Ndërgjegjësim për një qytet më të pastër për
festat e fundvitit; jo qese dhe mbetje plastike që bllokojnë kanalizimet”

 

Për të mbajtur pastër qytetin, por edhe për ndërgjegjësimin
e qytetarëve, Bashkia e Tiranës organizon nesër, nga ora 8.00 e mëngjesit, aksionin
e madh të pastrimit të Tiranës. Nënkryetari Andi Seferi ftoi sot të gjithë
qytetarët që të shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të bëhen pjesë e këtij aksioni,
për të pastruar lagjen e tyre dhe për të mbajtur pastër ambientin e përbashkët.
Ai theksoi se është shumë e rëndësishme që, veç angazhimit të Bashkisë së Tiranës,
dhe që ky aksion të jetë i suksesshëm, duhet edhe pjesëmarrja dhe angazhimi i
qytetarëve.

 

“Ftojmë të gjithë banorët e 24 njësive administrative t’i
bashkohen aksionit të madh ‘Të pastrojmë Tiranën!’ Është një moment
shumë i rëndësishëm që të gjithë bashkë të solidarizohemi në pastrimin e
qytetit, të japim një dorë në pastrimin e shtëpisë sonë të përbashkët, aq më
tepër që është edhe një mision qytetar që gjithsecili prej nesh ka ndaj qytetit
ku jeton”, tha nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi. Ai theksoi se ky
aksion duhet të shërbejë jo vetëm për të pastruar qytetin në një ditë, por edhe
si ndërgjegjësim që qytetarët të mbajnë pastër qytetin, sidomos tashmë kur po
afrohen festat dhe kur Tirana do jetë më e vizituar.

 

“Është shumë e rëndësishme që në këtë prag festash të
nëntorit dhe fund vitit, shtëpia jonë e përbashkët që do vizitohet nga
turistët, miqtë tanë për të kaluar festat e fundvitit, të jetë e pastër”, shtoi
Seferi. Ai gjithashtu u bëri thirrje banorëve që ndërgjegjësohen dhe të mbajnë
pastër ambientin e tyre, duke përdorur sa më pak qeset plastike dhe sa më shumë
qeset e letrës.

 

“Nga pastrimi i shtretërve të lumenjve gjatë përmbytjeve
të ditëve të fundit u vu re se në pak kohë pastruam rreth 600 tonelata qese,
mbetje, shishe plastike, gjë që tregon se jo vetëm pastrimi ka rëndësinë e vet,
por edhe mirëmbajtja e qytetit është shumë e rëndësishme. Për këtë arsye, gjej
rastin të ftoj të gjithë qytetarët, banorët e Tiranës, të minimizojnë
përdorimin e qeseve plastike, sepse është një element i cili, nga kalimi që bën
në zgara, puseta, kanale përfundon në shtretërit e lumenjve duke krijuar
probleme shumë të mëdha, si ato që patëm para disa ditësh”, u shpreh Seferi. Sa
i përket aksionit që do të ndërmerret ditën e nesërme ai bëri të ditur se
Bashkia e Tiranës për të mirëorganizuar këtë aksion, do jetë e gjitha në terren
në krah të qytetarëve.

 

“Agjencitë, ndërmarrjet, strukturat, punonjësit, të
mirëkoordinuar nga administratorët e çdo njësie administrative, së bashku me ndërlidhësit
komunitarë, kryepleqtë, administratorët e pallateve, do të mundësojnë organizimin
e aksionit. Do të doja të ftoja edhe njëherë të gjithë qytetarët e Tiranës që
të marrin pjesë masivisht në këtë aksion kaq të rëndësishëm, ku krahas Bashkisë
së Tiranës janë ftuar e janë bashkuar edhe shumë institucione shtetërore,
përfaqësi diplomatike, organizata qeveritare dhe jo qeveritare, shoqëria civile
dhe trupi i vullnetarëve, të cilët do të japin një kontribut shumë të madh”,
mbylli deklaratën e tij nënkryetari Seferi.

 

Aksioni i nesërme i organizuar nga Bashkia e Tiranës, do
të nisë në orën 08.00 të mëngjesit dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë ditës. Ai
do të shtrihet në të gjitha zonat e Tiranës.