Bashkia e Tiranës “fshin” 2.1 miliardë lekë me tender për fshirjen e hyrjes së qytetit “Studenti”

676
Paradokset me tenderët, që përveç ministrive të shëndetësisë, të brendshme, të kulturës, të jashtme, të mbrojtjes, të administratës publike dhe drejtorive qendrore e rajonale të pushtetit të “Rilindjes”, janë prezent e po shfaqen masivisht edhe në veprimtarinë financiare të bashkive. Duket si një mësymje e pandalshme që shpall tendera e zhduk miliona e miliarda lekë nga buxheti i shtetit dhe taksat e shqiptarëve. Buletini i Prokurimeve Publike është i mbushur me tendera të shumtë në vlera miliarda lekë e miliona euro, që duhet thënë se shumica edhe sajohen qëllimisht nga drejtuesit e bashkive, për të zhvatur “ndonjë dorë lekë” nëpërmjet garave fiktive që me komisione fantazmë, zhvillojnë tenderët, të cilët i paracaktojnë se prej cilave firma do të fitohen, me çfarë oferte do të fiksohen dhe me çfarë volumi pune do të justifikohet “llogaria” që jep shteti. Një rast tipik i një tenderi abuziv, absurd e skandaloz, të sajuar qëllimisht “për të bërë lekë” e tregon tenderi i shpallur dhe realizuar prej drejtuesve bashkiakë të Tiranës. Eshtë tender i sajuar, për gjoja pastrimin e pjesës lindore të qytetit “Studenti” në Tiranë. 

Pasi kanë sajuar tenderin e kanë gjetur klientin fitues, kanë “futur dorën në thesin” e taksave të mbledhura me hir e me pahir, me presion e me polici, me gjoba e më pranga, me të drejtë e pa të drejtë prej qytetarëve e bizneseve dhe kanë akorduar afro 2.1 miliardë lekë nga të ardhurat prej taksave, për të… fshirë me fshesë pjesën lindore të qytetit “Studenti” e cila në fakt nuk është sipërfaqe, por kufi ndarës, ngjitur me banesat dhe gardhet e banesave, vilave e kullave private. Mirëpo, kur duhet të dalin e të jepen ca lekë, sebepi dhe motivi gjendet, sajohet e realizohet. Tenderi me vlerë të përcaktuar e të fiksuar 208 milionë, 294 mijë e 423 lekë me TVSH, tashmë është përfunduar e është shpallur firma fituese. Eshtë shpallur edhe data e lidhjes së kontratës me firmën fituese, qysh në datën 6 qershor 2016, ose 8 ditë më parë, ose më saktë në ditën kur drejtuesit e bashkisë publikonin në media me zë e më figurë aksionin e madh të pastrimit të Tiranës në mënyrë vullnetare (pa lekë), ku bënte pjesë edhe territori i qytetit “Studenti”. 

Sa për saktësim, përfundimi tenderit dhe lidhja e kontratës me vlerë prokurimi afro 2.1 miliardë lekë nga të ardhurat (taksat) e bashkisë së Tiranës është publikuar në Buletinin e Prokurimit Publik Nr. 23, datë 13 qershor 2016! Skandali dhe abuzimi me këtë tender, qëndron në faktin, që bashkia akordon, ose më saktë po bënë “pluhur” 2.1 miliardë lekë fonde publike, për të pastruar një pjesë të qytetit “Studenti”, kur vetë qyteti “Studenti” ka një “ushtri” me punonjës pastrimi e gjelbërimi, të cilët paguhen nga buxheti dhe të ardhurat e kësaj qendre studentore. Skandali vazhdon edhe me faktin absurd, që bashkia ka bërë tender 2.1 miliardë lekë për pastrimin e një “cope” të qytetit “Studenti” me firmë private, kur në fakt ka 3 ndërmarrje të mbushura me punëtorë pastrimi e gjelbërimi për territorin e Tiranës, ku bën pjesë edhe qyteti “Studenti”. Bashkia e Tiranës, thotë se do pastroj këtë qendër studentore, ndërkohë që ka detyruar me “dajak” bizneset që janë brenda kësaj qendre, që të pastrojnë vetë mjediset, madje edhe të paguajnë taksë pastrimi, gjelbërimi, reklame, ndotjeje, zhurme, mjedisi e arsimi! Nga ana tjetër, çdo javë shikojmë ne ekrane drejtuesit e bashkisë së Tiranës, të veshur me kominoshe pastruesi e bluza mjedisorësh me stampa higjiene e thirrje “për vullnetarizëm”, që deklarojnë se pastrojnë falas edhe qytetin “Studenti”! Atëherë përse bashkia po “fshin” nga buxheti 2.1 miliardë lekë nga taksat e Tiranës, për të fshirë me fshesë e për të “malaksur” me kova uji një pjesë të qytetit “Studenti”, vlerë e cila mund të strehonte shumë familje me banesa sociale! Duke marrë shkas prej këtij tenderi absurd e abuziv, gazeta “telegraf” ka nisur një investigim edhe për projektin vullnetar “Adopto një shkollë, çerdhe, kopsht”, për të zbardhur nëse këto janë bërë vërtetë vullnetarisht nga firmat private, apo janë bërë lojëra ilegale me financat publike?!
Policia bashkiake e Tiranës, sekuestron dhe kullot kuajt e romëve
Pasi i gjenin anës Lanës dhe i mbanin në prehër, i ngrinin në qafë e i çonin në spital, kopshte e çerdhe gjatë fushatës elektorale të vitit 2015, pas marrjes së drejtimit të bashkisë, të zgjedhurit në krye të Tiranës, po u bien “më qafë” romëve, duke i larguar nga barakat, nga tregjet e rrobave, duke u bllokuar karrocat etj. Së fundi, drejtuesit e bashkisë së Tiranës, kanë nisur edhe sulmin e sekuestrimit të kuajve gomerëve që mbajnë romët! Katër ditë më parë, ndërsa romët po flinin në lulishten buzë lumit Lana, ku kishin lidhur edhe kuajt e tyre të punës, një çetë prej 8 policësh të bashkisë së Tiranës, iu vërsulën kuajve e u prenë litarët. Më pas, secili prej policëve bashkiakë, që dukej se kishin përvojë pune me kuajt, duke tërhequr kuajt prej litari, u nisën nga ura te zona që quhet “Pallati me Shigjeta” e deri tek “komisariati” i Policisë Bashkiake. E ndërsa romët flinin “në atë pikë vape”, policët morrin kuajt dhe nisën të ecnin nëpër trotuare, duke tërhequr kuajt prej litarësh. Vetëm pak minuta pas tyre, u shfaq një automjet “Toyotë” me karroceri me sirena e stampa të Policisë Bashkiake të Tiranës e cila kishte lidhur në sponde dy kuaj të tjerë të sekuestruar tek romëve dhe i tërhiqte me shpejtësinë e automjetit, duke i çuar deri brenda oborrit të Policisë Bashkiake.

 Me sa duket, drejtuesit e bashkisë së kryeqytetit, kanë plan të “rilindin” Tiranën duke lejuar ndërtim kullash e duke sekuestruara baraka, duke lejuar auto-betoniere që qarkullojnë e zhurmojnë në mes të ditës e Tiranës, duke sekuestruar karroca kokoshkash nga bregu i liqenit, duke sekuestruar kuajt e romëve në periferi e duke lejuar lukunitë e qenve të qelbur në qendër të Tiranës, në poltronin e Pallatit të Kulturës, në hyrje të Muzeut Kombëtar, në shkallët e kryeministrisë dhe në portën e bashkisë! Gazeta “Telegraf”, u ndodh rastësisht në momentin e sekuestrimit të kuajve të romëve, madje edhe iu bë presion nga disa policë “të fortë kokë-rruajtur”, që të mos fotografonte turpin e radhës të Policisë Bashkiake e cila ushtroi edhe dhunë fizike mbi 3-4 romë të mitur që kërkonin kthimin e kuajve. Aq e vendosur është treguar Policia Bashkiake, sa nuk i ka lëshuar akoma kuajt, duke i mbajtur të lidhur në disa karroca të sekuestruara e duke u hedhur ndonjë “dorë bar”, të cilin shkon dhe e korr 1 herë në ditë një polic bashkiak tek lulishtet anës Lanës. Thuhet, se çështja “kuajt” do t’i kalojë gjykatës administrative dhe deri sa të zhvillohet seanca e gjyqit, kuajt do të mbahen në “arrest” prapa ndërtesës së Policisë Bashkiake të Tiranës, por që flitet se edhe mund të përfitojnë nga ndonjë “amnisti” që mund të bëjë bashkia! 
Sigal