Bashkia e Tiranës, fond 5 milionë dollarë për të rinjtë që hapin biznes

519
Të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Tiranës që kanë një ide biznesi, tashmë kanë një mundësi reale për ta bërë atë realitet falë mbështetjes financiare që siguron “Crimson Funding”. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me partnerët norvegjezë, prezantoi sot në kryeqytet “Crimson Funding”, i cili siguron një fond prej rreth 5 milionë dollarësh në formë kredie të favorshme për zhvillimin e bizneseve të mesme dhe të vogla, ku bashkia financon 25 për qind të tij me qëllim punësimin e rreth 800 personave.
Në ceremoninë e prezantimit të fondit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e konsideroi atë si një mundësi të shkëlqyer për të gjithë ata që deri më sot, për shkak të burokracive, e kanë pasur të pamundur zhvillimin e ideve të tyre për të bërë biznes. “Kjo është një mënyrë alternative financimi, me fleksibilitet në heqjen e barrierave burokratike, për të asistuar një të ri apo të re me talent, që ka një ide dhe që do ta fillojë ta lidhë jetën dhe suksesin e vet ekonomik me qytetin tonë të Tiranës”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj sqaroi se bashkia që ai drejton do të kontribuojë fillimisht në këtë fond me një shumë prej afro 1 milionë dollarësh, me synimin që në fund të mandatit, vetëm falë projekteve që do mbështeten nga ky fond, të krijohen më shumë se 800 vende të reja pune. “Nëse qëllimi ynë është që të punësojmë 800 vetë, atëherë kjo do të ishte absolutisht një histori suksesi”, tha kreu i bashkisë. Ai shpjegoi se fondi i krijuar falë këtij bashkëpunimi është një mundësi alternative për t’i ardhur në ndihmë kujtdo që kërkon të zhvillojë një biznes në territorin e Tiranës.
Sigal