Bashkia e Tiranës aksion me klientelizëm, nuk po “shkul” nga trotuaret 2357 “kioskat” e “Albtelekom”

566
Aksioni për çlirimin e trotuareve nga zaptuesit e paligjshëm, por edhe ata të lejuar me “copëra letrash” të paligjshme tip “defterë bakalli” nga pushteti lokal, ka nisur e po vazhdon në Tiranë. Së fundi është njoftuar edhe prej 60 bashkive të tjera në qytetet e vendit, se do të nis ky aksion rehabilitimi e rikthimi në identitet, i gjithë mjediseve të pushtuara dhunshëm me lloj ndërtimesh, deri edhe me baraka llamarine “skrap”, duke kërkuar prej zaptuesve lirimin e vullnetshëm të tyre, në të kundërt, do përdoret forca e shtetit. Çlirimi i trotuareve po vazhdon masivisht në Tiranë, duke dhënë provën e parë, se shteti kur ka vullnetin për të zbatuar ligjin, zbaton ligjin. Në Tiranë, deri tani çliruar 15% e trotuareve. Ky aksion është mirëpritur nga qytetarët, të cilët pas 25 vitesh po ndihen të lirë për të ecur lirshëm, në trotuare të çliruara… 
Fakti/ 1100 “Kioskat” telefonike të “Albtelekom” nuk po shkulen nga trotuaret
Ndërkohë që nga trotuaret janë shkulur edhe lule të mbjella, nuk po shkulen kioskat e vendosura në mënyrë të paligjshme prej “Albtelekom”. Përse? Pyetjes së “Telegraf”, të bërë dje në Bashkinë e Tiranës, nuk iu përgjigj askush. Pyetjes së bërë në Policinë Bashkiake të Tiranës, iu përgjigjën, se impiantet telefonike të ngulur prej 11 vitesh si “kioska” metalike të shëmtuara në trotuaret e Tiranës, nuk do të hiqen mbasi nuk ka urdhër nga krye-bashkiaku Veliaj, për t’i hequr. Këto “kioska” pronë e “Albtelekom”, vazhdojnë të jenë prezent në trotuare, duke mbetur aty si shëmti dhe pengesë për lëvizjen e qytetarëve e për pamjen e kryeqytetit, madje janë të vendosura edhe në kryqëzime trotuaresh, në parqe e në çdo cep të Tiranës dhe të çdo qyteti. Por, sot po ndalemi në Tiranë, ku buja e aksionit për pastrimin dhe çlirimin e trotuareve nga zaptuesit, po bëhet edhe me “daulle” mediatike, të sponsorizuara si promovuese të kësaj buje. Aksioni i bashkisë Tiranë për të çliruar trotuaret e kryeqytetit, nuk po prek kioskat e Albtelekom”, paça se ato janë objekte të paligjshme, mbasi ky rrejt telefonik nuk duhet të jetë në sipërfaqe, por nën tokë, sipas kontratës së privatizimit, nënshkruar 11 vjet më parë me shtetin shqiptar, si shitës dhe pronar i mjediseve publike, për të cilët shqiptarët paguajnë taksa, madje më të larta se në vendet e BE. U interesuam në zyrat e Entit Rregullator të Telekomunikacionit (ERT), ku a thanë, se “Albtelekom” i ka vendosur pa leje këto “kioska” telefonike mbi trotuare, duke shkelur ligjin. Po kështu edhe pajisjet “ËIRELESS”, të cilat janë të ngulura në mjediset publike të Tiranës dhe në qytete të tjerë të Shqipërisë. Sipas ERE, vendosja e tyre në mënyrë pirate, përbën shkelje ligji dhe vjedhje shërbimi. Prej 11 vitesh aktivitet privat, po zhvillohet pa asnjë kontroll e pa asnjë ndëshkim ligjor një biznes- korruptiv me shërbime abuzive e marifete korruptive, të lejuara nga shteti shqiptar. 
“Albetelekom”, ka zaptuar 12 mijë metër katrore trotuare vetëm në… Tiranë
Kompania “Albtelekom”, ka bërë ndërhyrje fizike dhe zaptim sipërfaqesh trotuari në Tiranë e në rrethe në shumë mjedise. Është fjala për punimet që “Albtelekom” ka kryer nëpër rrugët brenda “hartës” urbane të qytetit të Tiranës, duke shkatërruar trotuare, rrugë e duke mos i rehabilituar ato, por sidomos duke zaptuar sipërfaqe trotuaresh pa asnjë pagesë dhe pa asnjë leje prej pushtetit lokal. Dhe askush nuk e ka ndëshkuar. Madje as aksioni aktual për çlirimin e trotuareve nuk po e prek. Në Tiranë nuk flitet fare për heqjen e këtyre kioskave telefonike që ka ngulur prej 11 vitesh “Albtelekom”. Kujtojmë, që Ligji Nr. 8934, datë 05. 09. 2002 “Për Mjedisin” në Nenin nr. 3, pika 31, sanksionon kështu: “Ndotësi dhe zaptuesi ndëshkohet kur është i paligjshëm dhe paguan kur lejohet me ligj për zaptim dhe përdorim mjedisesh publike”, që nënkupton koston që paguan ndotësi për përmirësimin e një mjedisi te ndotur prej tij dhe detyrimin për kthimin e tij në një gjendje te pranueshme, si dhe pagesën për sipërfaqen fizike të mjedisit që përdor dhe heqjen e objektit kur e zapton pa leje hapësirat publike. Këtë gjë, “Albtelekom” e ka bërë me nguljen në trotuare e në mjedise publike mes lagjeve 2357 kioskat (kabinat) telefonike, të cilat kanë zaptuar sipërfaqe të mëdha publike trotuare, lulishte, parqe, oborre pallatesh etj. Por nuk po shkulen edhe pse po shkulet gjithçka, madje siç e thamë edhe vazot me lule! Me vendosjen e këtyre kioskave telefonike dhe të shërbimit pirat “WIRELESS”, kompania “Albtelekom” ka zaptuar 11 mijë e 789 e 435 metër linear kufizues betoni trotuaresh. Ka “asgjësuar” edhe 8 mijë e 324 metër katrore shkurre dekorative. Ka shkulur e gjymtuar edhe 1622 pemë dhe 1597 metër linear kangjella hekuri ndarës të rrugës me trotuaret. Për gjithë këto dëmtime të shkaktuara gjatë punimeve të kryera për interesa të biznesit të vet, “Albtelekom” nuk ka paguar asnjë qindarkë rehabilitim të mjediseve të dëmtuara. Këtë rehabilitim e ka kryer bashkia, duke harxhuar 11.8 milionë euro nga financat e saj, që na fakt janë taksa të paguara prej biznesit dhe qytetarëve të Tiranës dhe financime të buxhetit të shtetit, po nga taksat e shqiptarëve. 
Prej 10 vitesh, “Albtelekom” nuk paguan faturën 11.8 milionë eurove të dëmit në mjediset publike
Prej 10 vitesh, “Albtelekom” nuk paguan faturën e dëmit që i ka dërguar Bashkia e Tiranës. Nëse ka një mbledhje që duhet bërë urgjent prej Këshillit Bashkiak të Tiranës, duhet bërë për detyrimin e “Albtelekom”, për kthimin e 11.8 milionë eurove që i detyrohet bashkisë për punimet rehabilituese, që bashkia u ka bërë dëmeve të shkaktuara në mjedis nga “Albtelekom”. pa llogaritur koston e dëmtimeve që ka shkaktuar e ka lënë pa rehabilituar në 35 qytete të tjera të vendit e që janë një tjetër faturë e madhe… Ajo ka zaptuar sipërfaqe trotuaresh, rrugësh kombëtare e mjedisesh rrëzë pallateve në Tiranë dhe në krejt qytetet e tjerë të vendit, madje edhe në plazhe e zonat komunale, mbi të cilët ka vendosur kabinat e shërbimit telefonik fiks. Nga investigimi ynë, rezulton se këto kabina janë ndërtuar mbi sipërfaqe trualli pronë shtetërore, pa leje, pa blerje të truallit, pa marrje me qira të tij. Ato janë vendosur në fasada muresh të shkollave, spitaleve, hyrjeve të pallateve, në trotuare, madje edhe përbri hyrjes së selisë së kryeministrisë e përballë hyrjes së Kryesisë së Kuvendit, apo në postbllokun e parlamentit e në derën kryesore të Bibliotekës Kombëtare! Sipas ligjit, vendosja e tyre në sipërfaqe dhe në mjedise publike e kulturore është e ndaluar kategorikisht. Po kështu, ndalohet kategorikisht të vendosen mbi trotuare. Por ka edhe një detyrim tjetër ligjor, që e ndalon “Albtelekom” të vendos kabinat telefonike mbi tokë. Sipas kontratës së blerjes, në kapitullin “Investime”, kjo kompani ka detyrimin sipas kontratës, që gjithë rrjetin e shërbimit ta ketë nëntokësor duke mos lënë “asnjë fije teli”, apo pajisje mbi tokë, apo në ajër, siç i ka realisht. 
“Albtelekom”, pirateri dhe konkurrencë të paligjshme me 400 pajisje pirate të shërbimit “WIRELESS” në Tiranë 
Në përbërje të aksionit për çlirimin e mjediseve publike, sidomos të trotuareve, ka edhe një urdhër tjetër të lëshuar “pa letra”prej krye-bashkiakut Erjon Veliaj, që nëpër rrugët dhe mjediset e Tiranës, të mos hiqen impiantet e shërbimit të internetit “WIRELESS”. Nëpër rrugët dhe mjediset e Tiranës, madje edhe në hyrjen prapa kryeministrisë, konstaton një abuzim tjetër me shërbimet e “Albtelekom”. Kjo kompani private e futur në tregun shqiptar edhe me shërbimin “internet”, ka gjetur një mënyrë të sofistikuar përfitimi me abuzim. Konkretisht, mbi kabinat telefonike, kompania “Albtelekom” ka instaluar edhe pajisjen e shërbimit ”WIRELESS”, sidomos në zonat më të populluara me lokale barë-kafe, shkolla, qendra argëtimi ka instaluar pajisjen e shërbimit ”WIRELESS” edhe në shtyllat elektrike të ndriçimit publik, mbi reklama biznesesh, ngjitur në mure rrethues vilash, në trungje pemësh, në fasada pallate e objektesh të tjerë. Janë 400 pajisje të shërbimit ”WIRELESS”, të instaluara në mënyrë të paligjshme, pa licencim, pa leje, pa siguri teknike, me qëllimin për të kryer një shërbim interneti ambulator e jo fiks, të cilin ua shet konsumatorëve të zonës. Interesimit të gazetës “Telegraf”, bërë dje në zyrat e Entit Rregullator të Telekomunikacionit (ERT), iu përgjigjën se këto pajisje të vendosura prej “Albtelekom” në mjediset publike të Tiranës dhe në qytete të tjerë të Shqipërisë, nuk janë të miratuar për t’u vendosur, por janë vendosur pa leje dhe kjo përbën shkelje ligji dhe vjedhje shërbimi. Këto pajisje të shërbimit ”WIRELESS”, janë të ndaluara të vendosen në mjedise publike, mbasi përbëjnë cenim të konkurrencës së ndershme. Ligjërisht, kompania “Albtelekom” nuk ka asnjë të drejtë të vendos ato në mjedise publike, por brenda mjediseve të shërbimit internet, si gjithë operatorët e tjerë.
Sigal