Bashkia e Himarë po prish ilegalisht Kishën Ortodokse në Dhërmi

531
Kisha Ortodokse ka denoncuar prishjen e Kishës së Dhërmiut me urdhër të Bashkisë së Himarës, Sipas saj ky veprim ka ardhur në shkelje të ligjit dhe vlerave kulturore. “Në mënyrë të befasishme, punonjës të Bashkisë Himarë shkuan në kishën e Shën Athanasit, hoqën ikonat dhe sende të tjera të shenjta dhe nisën ta shkatërronin atë. Këto veprime u bënë pa dijeninë e Komunitetit Orthodhoks, pa asnjë njoftim paraprak dhe pa asnjë dokumentacion ligjor.”- thuhet në deklaratën e Kishës Ortodokse. Sipas Kishës Ortodokse ky veprim përbën edhe shkelje të ligjit nr. 10057/22.01.2009/ “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, që garanton paprekshmërinë e vendeve të kultit dhe mbrojtjen e tyre nga shteti. Iniciativa të tilla abuzive private nën petkun zyrtar, duke iu nënshtruar interesave ogurzeza, duhen dënuar me forcë nga organet shtetërore, pasi cenojnë rëndë marrëdhëniet me komunitetet fetare.
“Sot, dt. 20 gusht 2015, në qytezën e Dhërmiut, në Himarë, komuniteti lokal i besimtarëve Orthodhoksë, në perudhën festive të së Kremtes së Tërëshenjtës Mari, u provokua nga një incident i rëndë, shkaktuar nga struktura të pushtetit lokal me mbështetjen e organeve të rendit. Në mënyrë të befasishme, punonjës të Bashkisë Himarë shkuan në kishën e Shën Athanasit, hoqën ikonat dhe sende të tjera të shenjta dhe nisën ta shkatërronin atë. Këto veprime u bënë pa dijeninë e Komunitetit Orthodhoks, pa asnjë njoftim paraprak dhe pa asnjë dokumentacion ligjor. Sapo ky veprim u bë i njohur, besimtarë bashkë me klerikun shkuan në kishë, protestuan, ndërhynë dhe e ndaluan shkatërrimin e mëtejshëm. Ata shprehën indinjatën e tyre për këto akte flagrante dhe janë të gatshëm në çdo moment ta mbrojnë kishën e tyre nëse do të ritentohet të shembet ky vend i shenjtë. Edhe pasdite ata u mblodhën përsëri për të protestuar.
Tentativa për të dëbuar besimtarët nga një kishë e tyre, pronë e Komunitetit Orthodhoks, është edhe më skandaloze po të mendosh se u bë në shkelje të të gjitha ligjeve të mundshme, fshehurazi dhe në mënyrë tinzare. Ngjarja dëshmoi një mungesë të thellë të respektit ndaj besimit dhe komunitetit fetar, të ngjashëm me atë të sistemit ateist komunist, që shkatërroi kishën për herë të parë në vitin 1972 dhe gurët i përdori për të ndërtuar depon e ujit. Në vitin 1992, në vendin ku kishte qenë kisha e vjetër, banorët ngritën një kishë të thjeshtë, e cila ka 23 vjet që i shërben si vend adhurimi komunitetit. Por përsëri dikush po përpiqet ta shembë, si 43 vjet më parë! Ky veprim abuziv i disa punonjësve shtetërorë, përbën veç të tjerash edhe shkelje flagrante të Ligjit nr. 10057/22.01.2009/ “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, që garanton paprekshmërinë e vendeve të kultit dhe mbrojtjen e tyre nga shteti. Iniciativa të tilla abuzive private nën petkun zyrtar, duke iu nënshtruar interesave ogurzeza, duhen dënuar me forcë nga organet shtetërore, pasi cenojnë rëndë marrëdhëniet me komunitetet fetare. Aq më shumë që akte të tilla kanë ndodhur vetëm me objektet orthodhokse të kultit. Shpresojmë që në vazhdim ata që u implikuan në këtë skandal, do të kuptojnë se kanë vepruar në mënyrë të gabuar dhe do të pendohen përpara Perëndisë dhe komunitetit për përdhosjen e një vendi të shenjtë dhe do të respektojnë ligjin”, thuhet në deklaraten për shtyp.
Sigal