Bashkia e Durrësit është në prag protestash për fondin e pagave

567
Sigal

Qeveria i mban Bashkisë 1.2 miliardë lekë, si “haraç” për faturat e papaguara të Ujësjellësit ndaj CEZ-it. Reagon Vangjush Dako

Punonjësit e Bashkisë së Durrësit janë në prag të nisjes së protestave pas bllokimit të këstit të katërt të grantit nga Qeveria Shqiptare, me vlerë 1.2 miliard lekë. Prej një jave kësti i katërt i grandit nuk i ka kaluar degës së thesarit në Durrës, e për pasojë të gjithë punonjësit kanë mbetur pa marrë pagat për muajin shtator. Punonjës të sektorëve të ndryshëm i janë drejtuar Bashkisë së Durrësit për tu kërkuar sqarime titullarëve për mos kalimin e pagave të tyre, prej datës një tetor. Por kreu i bashkisë deklaron se, grandi prej 1.2 miliard lekësh që është edhe fondi i pagave të punonjësve të bashkisë, është mbajtur si haraç, i Ndërmarrjes së Ujësjellësit, e cila ja ka borxh CEZ-it në 20 vitet e fundit, pavarësisht se kjo ndërmarrje nuk është në varësi të Bashkisë së Durrësit.

Reagimi

Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako tha për “Telegraf” se, babëzia e qeverisë ka mbërritur deri aty, sa këstin e katërt të grandit, t`ja mbajë bashkisë, si detyrim që Ujësjellësi ka ndaj faturave të papaguara të energjisë elektrike në vitet e fundit. “Ne si bashki nuk e kemi në varësi Ndërmarrjen e Ujësjellësit dhe jemi bashkia e vetme në republikë që nuk i kemi asnjë detyrim Ujësjellësit, sepse nuk është në varësinë tonë. Për çdo muaj bashkia paguan nga 50 deri në 60 milionë lekë fatura të energjisë elektrike, rregullisht, nuk kemi asnjë faturë të papaguar dhe nuk mund të mbajmë haraçet e dy ndërmarrjeve të dështuara siç janë Ujësjellësi dhe CEZ-i. Bashkia i ka paguar faturat e energjisë për të gjithë energjinë elektrike që përdoret për ndriçimin e qytetit, Ndërmarrja e Ujësjellësit nuk është në varësinë tonë dhe këtu qëndron antikapi më i madh, të cilin qeveria kërkon që të na e lërë neve si pushtet lokal. Nëse nuk çliron grandin, qeveria duhet ta dijë se do të përballet me masa shumë të ashpra, deri në protesta nga ana e administratës së bashkisë, ose në të kundërt, bashkia do të mbyllë dyert për qytetarët! Qeveria e djathtë në këtë mënyrë kërkon që me të, të paguhen borxhet e CEZ-it, të mbajë rrogat e administratës, por edhe punëtorëve të të gjithë ndërmarrjeve të tjera në varësi të bashkisë. Ne i kemi bërë të qarta kushtet tona për ndërmarrjen e Ujësjellësit të Durrësit, e cila është specifike dhe kërkon trajtimin me një ligj të veçantë, sepse ujësjellësi kalon në territoret e 7 njësive vendore, para se të mbërrijë në Durrës, e nuk mund të menaxhohet nga bashkia e qytetit në këto kushte”, deklaroi kreu i Bashkisë së Durrësit.

  

Agron Mema