Bashkia Durrës merr pjesë në Eventin e Pestë Ndërkombëtar, të organizuar në Itali në kuadër të Projektit IN.TO.EU.

490
Bashkia Durrës në partneritet me Bashkinë Palazzo di San Gervasio Itali, Bashkinë Teruel Spanjë si dhe Bashkinë e Olimpias së Lashtë Greqi, që në shkurt të vitit 2016 është në fazën e zbatimit të Projektit Inclusive towns in action for a shared European strategy of inclusion – IN.TO.EU (Qytete gjithëpërfshirëse në veprim për një strategji të përbashkët Evropiane të përfshirjes). Ky projekt ka për qëllim të përballet si edhe analizojë temën e imigracionit në nivel Evropian dhe lokal, nëpërmjet dhënies së propozimeve si dhe shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave të ndryshme lidhur me kapacitetet manaxhuese në nivel lokal, aspektet ligjore, shëndetësore dhe sociale për pritjen e parë të imigrantëve, mjetet si edhe qasjet e duhura për integrimin e tyre në vendin pritës. Për më tepër, ky projekt synon promovimin e dialogut ndërmjet aktorëve publikë/privatë në nivel lokal dhe europian, si edhe rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit të qytetarëve lidhur me rolin e BE-së për të adresuar fenomenin e migrimit, duke u ndalur më së shumti në prioritetet afatshkurtra dhe afatgjata të Axhendës Evropiane për Migrimin (Maj 2015). Kështu, me qëllim adresimin e situatës aktuale në nivel lokal lidhur me menaxhimin e pritjes së parë, si dhe integrimin e imigrantëve në secilin prej vendeve partnere, përfaqësues nga Bashkia Durrës, kanë marrë pjesë në Eventin e Pestë Ndërkombëtar, i cili është organizuar në datat 15-17 nëntor 2017, në Palazzo San Gervasio, Itali. Gjithashtu, gjatë këtij Eventi është zhvilluar një sesion i veçantë kushtuar ndërveprimit dhe dialogut me qytetarët e territorit pritës, duke informuar pjesëmarrësit mbi rolet dhe përgjegjësitë e autoriteteve publike lokale dhe qytetarëve për një integrim sa më të mirë të imigrantëve. Ky Event, i cili u mbyll me sukses, shënon takimin përmbyllës të Projektit IN.TO.EU. Ndër të tjera, në këtë Event u diskutua lidhur me forcimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet vendeve partnere si edhe publikimin e rezultateve të projektit. Të gjitha rezultatet e këtij Projekti, do të publikohen në një dokument të vetëm final i cili do t’i vihet në dispozicion Komisionit Evropian. Më pas, rezultatet e këtij projekti do të publikohen në faqen zyrtare (website) “Domos Europa”, në faqet zyrtare të institucioneve lokale të vendeve partnere në këtë projekt, si edhe në rrjetet sociale apo mediat lokale. Në këtë Event, pati një pjesëmarrje shumë të gjërë me përfaqësues nga të gjitha vendet partnere në këtë projekt, përfaqësues nga autoritet lokale dhe rajonale vendase, përfaqësues nga shoqëria civile dhe trupi akademik, si dhe imigrantë të cilët jetojnë dhe punojnë në Palazzo San Gervasio. Këta të fundit, ndanë më të pranishmit në sallë eksperiencën e tyre jetësore si imigrantë, duke u ndalur tek vështirësitë e parë si imgrantë në Itali si edhe integrimin e tyre në qytetin e Palazzo San Gervasio, i cili bën pjesë në Rajonin e Bazilikatës (Reggione Basilicata).
Sigal